1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Greqia ende pa paketën e re të ndihmave

Ndihma të reja për Greqinë do të ketë vetëm pasi vendi të përmbushë një sërë kushtesh. Marrëveshja greke për shkurtime në sektorin social dhe reduktim vendesh pune nuk u mjafton ministrave të financave.

Drama greke vazhdon, njëherë për njëherë. Qeveria greke e vendosi eurogrupin para një prove të vështirë durimi. Në mënyrë të përsëritur negociatat për masa të reja kursimesh ndërpriteshin ose disa kryetarë partish nuk pranonin të merrnin pjesë në to. Vetëm pak orë para fillimit të takimit në Bruksel të enjten (10.2.) erdhi njoftimi çlirues: Athina pranon masat e rrepta të kursimeve dhe reformat.

Ministri grek i Financave Evangelos Venizelos u shpreh plot vetëbesim me të mbërritur në Bruksel se në Athinë ka marrëveshje "për një program të ri, të fortë dhe të besueshëm". Sipas tij tani radhën për të vepruar e kanë qeveritë e tjera. "Tani na duhet miratimi politik i eurogrupit për hapin e fundit", tha ai.

Rehn dhe Venizelos gjatë takimit në Bruksel

Rehn dhe Venizelos gjatë takimit të eurogrupit në Bruksel

Tre kushte

Më pak punonjës në sektorin shtetëror, ngrirje e pagave dhe veçanërisht të kontestuara, shkurtim i pensioneve dhe ulje e pagës mininale - janë këto kafshatat e vështira që u është dashur të kapërdijnë partive greke. Por të gjitha këto nuk ishin të mjaftueshme për ministrat e financave. Ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble tha përpara takimit: "Negociatat kanë përparuar shumë por ende nuk kemi përfunduar." Rreth mesnatës shefi i eurogrupit Jean-Claude Juncker konfirmoi para gazetarëve rezervat e ministrit Schäuble. "Nuk do të ketë asnjë pagesë pa zbatim", përmblodhi ai shkurt mendimet e takimit të ministrave.

Trysni mbi Greqinë - Lagarde dhe Juncker

Trysni mbi Greqinë - Lagarde dhe Juncker

Konkretisht Juncker përmendi tre kërkesa. Parlamenti grek të dielën duhet të miratojë paketën e masave. Duhen kursyer edhe 325 milionë euro të tjera. "Së treti na duhen premtime të forta politike nga kryetarët e partive në koalicionin qeveritar për zbatimin e programit."

Juncker tha se kur Greqia t'i përmbushë këto kushte, ai do të organizojë një tjetër takim të ministrave të financave të eurogrupit të mërkurën e ardhshme, për të vendosur përfundimisht. Atje do të diskutohet edhe për reduktimin e borxheve greke, për të cilat Greqia aktualisht negocion me kreditorët privatë.

Më shumë mbikqyrje dhe ndoshta llogari e veçantë

Ministrja austriake e Financave Maria Fekter pranoi se është e nevrikosur nga ecejaket e gjata greke. "Durimi i atyre që ndihmojnë po vihet në provë të fortë dhe arsyeja është që ne prej kohësh kërkojmë nga grekët programe ambicioze, të cilat ata i kanë pranuar por puna në zbatim çalon shumë", tha Fekter. Mosbesimi ndaj Greqisë është i thellë.

Për këtë arsye ministrat e financave ngulin këmbë për një mbikqyrje më të fortë. Komisioneri i BE-së për politikën monetare Olli Rehn konfirmoi se edhe propozimi gjermano-francez për një llogari të veçantë për Greqinë, po "shqyrtohet seriozisht". Në atë llogari do të derdheshin paratë për shlyerjen e borxheve. Sidoqoftë grekëve nuk u mbetet shumë kohë për të treguar se i marrin seriozisht reformat. Muajin e ardhshëm Greqia mund të falimentojë, nëse nuk do të ketë ndihma të reja nga jashtë.

Roli i paqartë i Bankës Qendrore Evropian

Mbikqyrje e veçantë - Ministri gjerman i Financave Schäuble

Mbikqyrje e veçantë - Ministri gjerman i Financave Schäuble

Negociatat me kreditorët privatë për heqjen dorë vullnetarisht nga një pjesë e borxheve greke ende nuk kanë përfunduar. Objektivi është reduktimi me 100 miliardë i borxhit grek, nga të cilat bankat, sigurimet dhe fondet duhet të heqin dorë vullnetarisht. Nëse kjo shumë do të arrihet vërtet është në pikëpyetje. Ndoshta kreditorët publikë, pra taksapaguesit në vendet e Eurozonës duhet të vijnë sërish në ndihmë. Por gatishmëria për këtë është natyrisht e vogël dhe politikisht temë delikate.

Në mënyrë indirekte mund të luante një rol Banka Qendrore Evropiane (ECB). Presidendi i saj Mario Draghi theksoi të enjten pasdite në Frankfurt mbi Main se ai kundërshton çdo lloj përpjekje për të anashkaluar rregullat e ECB-së. Sipas tyre ECB nuk mund të financojë direkt shtetet anëtare. Por banka mund të ndihmonte në mënyrë indirekte. Draghi nuk e përjashtoi këtë shprehimisht dhe ministrat e financave i përgjigjen pyetjes me fjalinë standart: "ECB është e pavarur."

Draghi është megjithatë mjaft i pavarur për t'u dërguar qeverive një mesazh ndoshta jo shumë të këndshëm. Flitet shumë për çështjet e financimit. "Unë mendoj se më të rëndësishme janë reformat në këto vende. Tek ato duhet të përqëndrohemi dhe më pas tek të tjerat." Por qendresa ndaj kërkesave pa mbarim për reforma dhe kursime është në rritje, edhe në Greqi. Sindikatat kanë bërë thirrje për greva të reja për të premten dhe të shtunën. Kjo nuk është ajo që presin ministrat e financave të eurogrupit.

Autor: Christoph Hasselbach / E. Xhani

Redaktoi: Bahri Cani