1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Greqia do të dekriminalizojë përdorimin e drogës për përdorim vetjak

Projektligji i paraqitur në parlamentin grek parasheh dënime të rrepta për trafikantët e drogës. Qeveria flet për një "politikë të guximshme". 40% e të burgosurve në burgjet greke ndodhen për perdorim droge.

Pamje ilustruese

Pamje ilustruese

Kriza greke ka edhe një indeks tjetër, atë të rritjes së përdorimit të drogës, që statistikat e saj respektive e injorojnë por e dëshmojnë përditë sheshet dhe rrugët kryesore të vetë qendrës së Athinës. Narkomanët, kryesisht të rinj të rraskapitur dhe me vështrim të perënduar, lëvizin sa nga një shesh në sheshin tjetër për të shmangur patrullat e motorizuara policore dhe bëjnë allishverish me njëri tjetrin për dozën në mes të ditës, ose trafikantët e vegjël apo «vaporaqet” sipas zhargonit grek. «Burgjet janë plot me të droguar dhe trafikantët janë jashtë. Athina është plot me ta” i thotë DW një i ri, Haris siç prezantohet.

Gjithnjë e më shumë drogë për shkak të krizës

Droga është tashmë pjesë e jetës greke, edhe si dëshmi e një krize që nuk është vetëm ekonomike, por edhe sociale. Klasa politike ndërkohë po bindet se fenomeni nuk mund të përballet duke vazhduar kriminalizimin e përdoruesit dhe duke rënduar buxhetin defiçitar me fonde për burgjet. 40% e të dënuarve mbahen nëpër burgje për çështje droge dhe 300 narkomanë humbasin përvit jetën.

Parlamenti grek do të dekriminalizojë drogën

Parlamenti grek do të dekriminalizojë drogën

Në këto kushte qeveria socialiste e Papandreut, i cili ka shprehur një ide të tillë vite më parë - “një saksi hashashi për çdo ballkon” ishte shprehja e tij karakteristike - i paraqiti Komisionit të Çështjeve Sociale të parlamentit projektligjin që dekriminalizon plotësisht për herë të parë përdorimin personal të bimëve narkotike.

Dekriminalizimi do të “lehtësojë” burgjet nga mbipopullimi

Posedimi i lëndëve narkotike shndërrohet nga akt i jashtëligjshëm në faj, ashtu si edhe kultivimi i rrënjëve të kanabis sativa në numër dhe sipërfaqe të justifikueshme për përdorim eksluziv personal. “Dekriminalizimi i përdorimit është një masë në drejtim pozitiv, gjë që është në fuqi në vende të tjera evropiane. Këtu mund të përfundosh në burg. Imagjinoni që për vitet 2007-2008 kanë qenë në proçedurë 17.000 dosje për drogë” i thotë DW gazetari me përvojë në këtë çështje Panajotis Buganis. Në qoftë se ligji, sipas tij, do të ketë dhe fuqi paravepruese, atëherë do të “marrin frymë” edhe burgjet nga mbipopullimi i tyre.

Metadon nëpër spitale për terapinë e narkomanëve

Risi tjetër pozitive e projektligjit është sanksionimi i së drejtës së të droguarit në terapinë e tij të plotë nëpër pavione të posaçme që do të ngrihen nëpër spitale anekënd Greqisë. “Tani kalojnë në përdorimin e metadonit nëpër spitalet publike, një preparat në formë tabletash që zëvendëson drogën pa efektet e saj negative. Ky është një zhvillim pozitiv po të kemi parasysh që deri më sot të gjithë dyndeshin duke pritur jo me muaj por me vite para Organizmit Kundër Drogës (OKANA), me listat e stërgjata që linin hapësirë dhe për korrupsion” thotë Panajotis.

Një joint dhe takim me lumturinë? Shumë burgje në Athinë janë të mbushur me narkomanë

Një "joint" dhe takim me lumturinë? Shumë burgje në Athinë janë të mbushur me narkomanë

Ajo që gazetari grek pret është jo vetëm zhdukja e listës, por që të gjithë të prekurit të përfshihen në programet e terapisë me metadon. Kemi kohën më të keqe të pritjes, 7 vjet kur rasti tjetër më i keq në B.E. është 6 muaj” deklaroi ministri i Shëndetësisë Andreas Lloverdhos, i cili u takua për këtë problem me kryebashkiakët e Athinës dhe Pireut dhe u komunikoi se funksionimi i pavioneve në fjalë nëpër spitale do të fillojë më 10 shtator.

Mirëkuptim por edhe kritika dhe akuza ndaj qeverisë

Opinioni grek, i cili e ndjek me vëmendje problemin e mprehtë social të drogës, duket i dyzuar. “Shyqyr, përdoruesi që posedon sasi të vogla droge për përdorim vetjak nuk është më kriminel” thotë presidentja e OKANA-së Meni Malori. Në anën tjetër janë skeptikët, si afaristi Jorgos Kllonxhas: “Në qoftë se do të japim liri të plotë do të përfundojmë në një situatë të pakontrolluar”. Këtë droje të opinionit, komunistët dhe nacionalistët e kthejnë në akuzë kundër qeverisë se “dëshiron një rini të droguar”.

Dënime më të rrepta për trafikantët

Kuadri i ri ligjor parashikon njëkohësisht masa më të rrepta për trafikantët e drogës, që në rastet e rënda kërcënohen me burgim të perjetshëm. Për ta nuk do të ketë asnjë favor edhe sikur të pretendojnë se janë përdorues. Dispozitat e reja paraqesin një interesim të veçantë për imigracionin shqiptar me të droguarit e tij, por edhe të burgosurit e shumtë për drogë. Një në çdo katër të burgosur ose rreth 2.800 vetë janë shqiptarë, 44.5% prej të cilëve për drogë.

Sheshi Sintagma

Sheshi Sintagma

Efektet në trafikun e hashashit nga Shqipëria

Dekriminalizimi sipas gazetarit Panajotis Buganis, sjell me vete një zhvillim pozitiv për vetë Shqipërinë. “Do të reduktohet. Logjike është se kur dikush do të mund të kultivojë dy ose 5 rrënjë në shtëpinë e tij pa pasur pas tij policinë do të ulet trafiku nga Shqipëria.”Përgjegjësinë e kësaj çështjeje do ta mbajë gjithsecila palë dhe nuk do të ketë të drejtë të shohë vëngër palën tjetër për katandisjen e saj” përfundon gazetari grek.

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Lindita Arapi