1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Greqi: "Sistemi i deritanishëm politik është bërë i panevojshëm"

Pas përpjekjesh të gjata Greqia ka një kryetar të ri qeverie: ekspertin financiar pa parti Papademos. Mirëpo, Spiros Moskovou dyshon që ai t'ia arrijë synimit kundër interesave politike partiake.

default

A është zgjedhja e zëvendëspresidentit shumëvjeçar të Bankës Qendrore Evropiane Lucas Papademos si kryetar i qeverisë kalimtare një arsye për lehtësim? A mund të quhet e shpëtuar Greqia tani prej falimentimit përfundimtar? A janë tejkaluar pështjellimet në eurozonë? Kurrsesi.

Vetëm zgjidhje nevoje

Papademos mund të jetë një ekspert financiar i shkëlqyer, por ai nuk mbahet prej një konsensusi kombëtar të vërtetë, po prej tri partish që janë të dënuara të bashkëpunojnë, në mënyrë që të shmanget në minutën e fundit katastrofa absolute.

PASOK-u socialist ende në qeveri i Giorgos Papandreout, Nea Demokratia e Antonis Samarasit si partia më e madhe opozitare dhe Partia e vogël e djathtë LAOS e Giorgos Karatzaferisit duhet të marrin përgjegjësinë në javët e ardhshme. Mirëpo pas betimit të qeverisë së re ato do të zënë sërish pritë (duke pasur parasysh zgjedhjet e reja që njëherë për njëherë janë paralajmëruar për 19 shkurt 2012).

Spiros Moskovou

Spiros Moskovou

Vonesat, defektet, taktika e bllokimit e partive të mëdha në Athinë gjatë kërkimit të "shpëtimit të vendit" treguan edhe një herë se sistemi i deritanishëm politik i Greqisë është bërë i panevojshëm. Ai ka ngecur në një rreth vicioz pa rrugëdalje klientelizmi e vetëshërbimi dhe është i zbukuruar me etiketa ideologjike të zbrazëta. Edhe tri dekadat e fundit kështu ka qenë, mirëpo gjatë dy viteve të fundit kriza e huave dhe vështirësitë e eurozonës e demaskuan. Paaftësia e pashembullt për t'iu futur problemeve dhe për të punuar në mënyrë aktive në zgjidhjen e tyre ka zhytur ndërkohë në zemërim  dhe dëshpërim të pjesë të mëdha të shoqërisë greke.

Pak hapësirë për qeverinë kalimtare

Këto nuk janë premisa të mira për qeverinë e sapoemëruar të Papademos. Masat e mara të kursimit nuk po japin efekt, të pasurit mbeten të paprekur, të varfrit duhet të paguajnë qimet e kokës, sektori publik i fryrë kundërshton reformat strukturore, sindikatat vazhdojnë të jenë të gatshme për luftë. Në këtë klimë pakënaqësie bëhet jashtëzakonisht e vështirë për qeverinë kalimtare afatshkurtër të qetësojë frontin e brendshëm, të rifitojë besimin e partnerëve evropianë të irrituar, të zbatojë vendimet e BE-së dhe të zhvillojë bisedimet me sektorin privat për shkurtimin e huave greke. Pështjellimet kanë kaluar vetëm për kohë të shkurtër. Është me vend që rripat të vazhdojnë të mbahen të vënë.

Autor: Spiros Moskovou

Redaktoi: Elert Ajazaj