1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Greqi: Plani afatmesëm sfidohet nga shoqëria

Qeveria greke pas votimit të planit afatmesëm të masave, ftohet të zbatojë tani kursin më të rreptë të kursimeve në historinë e Greqisë moderne.Cili mund të jetë fati i programit që nga opinioni shihet si “ndëshkim”?

Protestues para parlamentit të Athinës

Protestues para parlamentit të Athinës

Mermerë dhe vitrina të thyera, fasada ndërtesash të nxira nga flakët dhe barrikada nëpër rrugë është pamja e shkatërrimeve biblike të dhunës dhe kaosit të djeshëm në sheshin Sintagma, para parlamentit grek, që drita e ditës së sotme i zbuloi në të gjitha përmasat e tyre. Një shesh i tërë i mbytur në gazrat e pafund të hedhura nga policia në përleshjen e saj me autonomët me maska, por edhe lot demostruesish 100 prej të cilëve përfunduan në spital. I mbetet drejtësisë të vërtetojë nëse gjithçka u shpalos si një “plan represiv policor” apo “frikësim dhe terrorizim të protestuesve” sipas akuzës të partisë së majtë Siriza që braktisi për këtë parlamentin.

Plani: e vetmja alternativë për qeverinë, “barbarizëm” për opozitën

“Gojët e këqia” thonë se gërmadhat e dhunës së verbër të ditës së djeshme, sa pa u votuar mirë e mirë masat shtrënguese me 155 vota, janë semantike për gërmadhat ekonomike dhe sociale, që pritet të shkaktojë zbatimi i masave shtrenguese të planit afatmesëm. Në fakt kjo mbrohet hapur nga opozita e majtë, kreu i së cilës, Aleksis Cipras edhe një herë dje foli në parlament për “barbarizëm”.

“Barbarizmi nuk ka argumente. Vetëm thirrje dhe kërcënime të karakterit metafizik ka. Pas tre muajsh kur do të shkojmë të kërkojmë transhin e 6-të çfarë argumente do të na thoni, ato që na thatë vjet me memorandumin e parë dhe ato që na thoni tani për planin afatmesëm?” ishte pyetja retorike e kreut të së majtës.

“Duhet të fitojmë kohë në favor të vendit dhe të ekonomisë që të mos shndërrohet vendi në protektorat absolut” kishte deklaruar më parë ministri i Financave Evangjellos Venizellos kur qeveria e lanshoi paketën e kursimeve të rrepta si të “vetmen alternativë” për shpëtimin e vendit nga falimentimi dhe katastrofa.

Një rreth vizioz, që nuk do të krijojë perspektivë zhvillimi

Por punonjësit, pensionistët, të papunët, të rinjtë e të moshuarit që janë në greva dhe këtu e një muaj në “sheshet e të revoltuarve”, para parlamentit dhe në të gjitha qytetet e mëdha, nuk i pranojnë masat të cilat i shohin si të njëanshme dhe barrë vetëm për të pafuqishmit. “Nuk i duam, nuk durojmë më, nuk i duam më as qeverinë dhe as troikën” i thotë DW Vasilis Qefallas, nënpunës privat. Të revoltuarit si Kristaqis Janopullos vetëm si shpëtimtare nuk i shohin masat e shpallura, për të cilat sot parlamenti do të aprovojë edhe ligjin zbatues. “Akoma edhe me të dhënat e tyre tregojnë se defiçiti do të shtohet dhe më tepër, do të arrijë pothuajse dyfishin e Produktit Kombëtar Bruto. Pas 2-3 vjetësh dhe dy memorandumeve do të gjendemi në pozitë më të vështirë se ajo që ishim para tyre. Janë një rreth vizioz, i cili nuk do të krijojë asnjë përspektivë zhvillimi, përkundrazi një mesjetë për miliona njerëz”, thotë Janopullos dhe i mëshon veçanërisht shkallmimit të statusit të punës të fituar me beteja dekadash.

I destinuar të dështojë pa mbeshtetjen dhe tolerancën e shoqërisë

Zemërim popullor

Zemërim popullor

Rreth vicioz sheh edhe analisti Babis Agrollambos, i cili flet për masa të diktuara që thjesht aprovohen nga qeveria e cila është në “gjendje paniku” nga dështimi i objektivave financiare. “Çdo program stabilizimi, çdo program kursimesh kërkon mbështetjen elementare të shoqërisë ose të paktën tolerancën e saj. Por mbështetja dhe durimi janë ezauruar” thotë analisti grek. “Shoqëria deri tani ka treguar tolerancë dhe durim. Por tani është në prag të shpërthimit të saj, që mund të ndodhë dhe nga një ngjarje e rastësishme të një dhune të tepruar si ajo e djeshme. Pyetja shtrohet sa mund të durojë sistemi politik peshën e krizës” thotë nga ana e tij analisti Tasos Papas, gjë për të cilën shprehet pesimist.

“Thika ka vajtur në kockë dhe kërcënohet vetë jeta”

Çështja shtrohet pra sa i përballueshëm është programi -me 22 taksat shtesë dhe shkurtimet që arrijnë në katër paga për nënpunësit shtetërorë- nga xhepi i qytetarëve por edhe nga vetë ekonomia e zhytur në recesion të thellë. “Jo pra, nuk e përballon. Thika ka vajtur në kockë dhe kërcënohet vetë jeta. Ekzistenca elementare. Nevojat jetike të njerëzve. Dhe kjo është antiekonomike dhe antishoqërore. Është edhe e pamoralshme, por edhe jo produktive,” i thotë DW nga ana e tij akademiku ekonomist dhe eksperti ndërkombëtar Kostas Vergopullos, i cili shpreh dyshimin e tij se “edhe sikur të zbatohet programi nuk do të ketë rezulatet e aspiruara”.

Emigrantët shqiptarë: “Një faqe progresi për Greqinë, që ndërkohë duhet të lajë borxhet”

I njëjti zë shqetësues për pasojat e planit dëgjohet edhe nga emigrantë shqiptarë si Astrit Korbi nga Skrapari, sidomos për emigrantët që sipas tij “në masën 50-60% do të iknin me laçkë e me plaçkë në qoftë se ndërkohë nuk do të aprovohej”. Astriti tregon mirëkuptim për protestat, por jo për ekceset dhe djali i tij Sokoli, siç thotë, “është me të revoltuarit në shesh”. Ndërkohë shpalos dhe një optikë të dytë, siç bëjnë dhe shumë bashkatdhetarë të tjerë. “Është një faqe e re e historisë greke, ndoshta faqja që shënon rritjen e kurbës drejt progresit. Sepse programi u jep kohë gjithë biznesit grek, qeverisë dhe popullit të kuptojnë se në ç'situatë ndodhen dhe kanë mundësi me masat e reja shtrenguese të kursimit të reformojnë vendin dhe t'i kthehen punës dhe ekonomisë reale”. Protestat, sipas tij, “duhet të vazhdohen dhe të bëhen çështje edhe e shqiptarëve edhe pse ndjehen të mënjanuar nga shteti, duke i kërkuar hesap për pjesën e kalbur të tij. Por duhet kuptuar një gjë, që ndoshta politika greke nuk e ka shpjeguar mirë: borxhi është borxh dhe duhet larë”.

Vërtet, Greqia me paketën e djeshme të masave të strategjishë së përshtatjes financiare kthen një faqe të re. Se si do të jetë kjo faqe dhe sa i gjatë do të jetë kalvari që e pret, kjo mbetet të shihet.

Autor: Niko Anagnosti/Athinë

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 30.06.2011
  • Fjalët kyç greqia
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/11mLX
  • Data 30.06.2011
  • Fjalët kyç greqia
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/11mLX