1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Greqi: Plane për ngritjen e një gardhi kufitar

2 Janar 2011

Për shkak të valës së pandërprerë të emigrantëve që e përdorin Greqinë si trampolinë për të kaluar në vendet e tjera të BE-së, Athina ka ndër mend të forcojë kufirin me Turqinë.

https://p.dw.com/p/zsii
Si shembull Greqia merr kufirin mes SHBA dhe MeksikësFotografi: AP

206 kilometër gardh rrethues: kjo është zgjidhja që do t'i japë Greqia problemit të rrjedhës së pafund të emigrantëve ilegalë që hyjnë përmes kufirit me Turqinë. Si model ajo merr kufirin mes SHBA dhe Meksikës. Për shkak të problemit me emigrantët ilegalë në Greqi janë vendosur prej rreth dy muajsh edhe njësitë e Agjencisë Kufitare Evropiane Frontex dhe sipas ministrit për Mbrojtjen e Qytetarëve Kristos Papucis bashkëpunimi me ta është i mirë, por Greqia planifikon edhe ngritjen e një gardhi rrethues për t'u mbrojtur prej emigrantëve ilegalë.

Për vendet periferike të BE-së, si Greqia, Spanja apo Malta, barra e refugjatëve diktohet në një farë mënyre prej vetë sistemit dhe rregullave të BE-së. Kështu sipas këtyre rregullave refugjatët ilegalë kudo që kapen, ekstradohen për në atë vend anëtar, në të cilin kanë shkelur për herë të parë territorin e BE-së. Duke trajtuar këtë problem ministri i Brendshëm gjerman Thomas de Maiziere thotë:

"Kjo është një çështje tepër e vështirë, dhe sidomos në lidhje me solidaritetin mes shteteve të BE-së që janë tepër të ngarkuara me problemin e refugjatëve, e sidomos shtetet në Jug të Evropës dhe shteteve të tjera."

Megjithatë ende është e paqartë se ç'qëndrim do të mbajë Komisioni i BE-së në lidhje me planet greke për gardhin kufitar, sidomos në kontekstin e bisedimeve që zhvillon BE-ja për anëtarësimin e Turqisë.

Edhe javën e fundit të vitit 2010 policia greke gjeti në një kamion të mbushur me portokalle 65 ilegalë nga Lindja e Mesme që donin të kalonin për në Itali. Ata kishin paguar nga 1.200 deri 1.600 euro për kokë. Po ashtu në Patras u gjet edhe një kamion me 74 refugjatë.

Internierungslager in Griechenland
Refugjatë në një kamp në Kyprinos, në ultësirën e lumit EvroFotografi: picture alliance / dpa

Kufiri greko-turk kalon përgjatë deltës së lumit Evro (turqisht Meriç). Komisioni i BE-së ka kohë që e konsideron alarmante gjendjen në ultësirën e lumit Evro, sepse rreth 80% e refugjatëve ilegalë që hyjnë në BE, kalojnë nga kjo zonë. Sipas vlerësimeve të Brukselit Greqia është e mbingarkuar me fluksin e refugjatëve ilegalë. Mijëra të tillë lypin rrugëve të qyteteve, qindra syresh përpiqen të gjejnë ndonjë traget për të kaluar në Itali. Kampet e refugjatëve janë të stërmbushur.

Sipas të dhënave aktualisht një ndër dhjetë banor i Greqisë nuk është qytetar i BE-së dhe sipas vlerësimeve numri i ilegalëve shkon deri në 300 000 vetë. Ata janë kryesisht nga Afganistani, Iraku dhe vendet afrikanoveriore.

Sipas vlerësimeve të Entit federal për Migracion dhe Refugjatë edhe në Gjermani pritet që edhe në vitin 2011 si në vitin 2010 të vijnë rreth 40.000 refugjatë, shumica e tyre nga Ballkani. Në vitin 2007 ky numër ishte 19.000.

Autor: Pandeli Pani

Redaktoi: Elert Ajazaj