1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Greqi: Papandreu në kërkim të konsensusit kombëtar për planin e ri të “shpëtimit të vendit”

Në Greqi kabineti i Papandreut përgjigjet me një program të ri “shpëtimi” të vendit ndaj kushtit të troikës për livrimin e ndihmës shtesë 60 miliardë euro për evitimin e falimentimit të vendit e vazhdimin e reformave

Në kërkim të rrugëdaljeve, kryeministri Jorgos Papandreu

Në kërkim të rrugëdaljeve, kryeministri Jorgos Papandreu

Kryeministri Papandreu takohet sot, e martë, me krerët e partive politike në përpjekjen e tij për të gjetur një “konsensus kombëtar”, mundësisht sa më të madh, para se të shpallë programin afatmesëm 2012-2015 të strategjisë financiare të diskutuar dje në një mbledhje dramatike 6-orëshe të Këshillit të Ministrave. “Përshpejtim i programit të çshtetëzimeve dhe shfrytëzim i pasurisë së patundshme të shtetit, të një kuote prej 50 miliardë eurosh deri në vitin 2015, që do të mbështesë zhvillimin dhe do të reduktojë deri 20% borxhin publik, por do të ulë mjaft edhe shpenzimet vjetore për kamatat”, deklaroi zëdhënësi i qeverisë, Jorgos Petallotis, për vendimin e marrë dhe përmendi shitjen e plotë dhe direkte të pjesëmarrjes së shtetit në 5 kompani të mëdha si telekomi dhe portet e Pireut dhe Selanikut. Njëkohësisht u vendosen masa shtesë, një “cunam masash fiskale”, siç thuhet, për vjeljen e 6 miliardë eurove për vitin 2011 dhe sigurimin e 22 miliardë eurove deri në vitin 2015, kur defiçiti parashikohet të jetë ulur në 1% dhe të jenë krijuar tepricat e para prej 6% për fillimin e shlyerjes së borxhit. Burimet gazetareske flasin për një mbledhje qeveritare të stuhishme të mbajtur në sfondin e informacionit dramatik se arkat e shtetit kanë para deri në fund të korrikut. “Nuk do të ligështohemi” dhe nuk do të lëmë vendin të falimentojë, ishte apeli dramatik i vetë kryeministrit Papandreu drejtuar në radhë të parë ministrave të tij.

Partitë e vogla të së djathtës: “Nuk është ora për fjalë boshe”

Analisti dhe publiçisti i mirënjohur Tasos Papas

Analisti dhe publiçisti i mirënjohur Tasos Papas

“Nuk është ora për fjalë boshe, është ora të biem dakord të gjithë mbi një program, që do të ketë për rezultat uljen e këtyre defiçiteve dhe daljen e Greqisë nga kriza”, ishin fjalët e kryetares së Aleancës Demokratike, Dora Bakojani, tek e cila Papandreu gjen një aleate të vyer në këto momente të vështira për qeverinë e tij. Gatishmëri të ngjashme me ish ministren e jashtme Bakojani, të fraksionuar muaj më parë nga partia e djathtë e Neodemokracisë, tregon edhe partia nacionaliste Alarmi Ortodoks Popullor e Jorgos Karaxhaferis, që sipas anketimeve ndërkohë ka humbur dhe një pjesë të elektoratit se mbështet Memorandumin.

Neodemokracia sfidon konsensusin dhe flet për “recetë të gabuar”

Por jo edhe te opozita e djathtë e Neodemokracisë, mbështetja e së cilës është kapitale për “paqen sociale”, por edhe aprovimin në parlament të një memorandumi të dytë me troikën, për livrimin e transhit të pestë prej 12 miliardë eurosh, por edhe të kredisë së re prej 60 miliardë eurosh, kur e majta shprehet kategorisht kundër. “Themi jo mbështetjes ndaj një recete, që është provuar si e gabuar”, theksoi kreu i Partisë, Andonis Samaras, që ndërkohë kujton, se ashtu si ka vepruar deri më sot, do të “mbështesë çdo masë të dobishme për ekonominë dhe vendin”.

Konsensusi nuk favorizon të djathtën dhe kursin e saj opozitar

Loja politike në Greqi po bëhet po aq komplekse dhe e vështirë si ciklet e krizës. Kreu i Neodemokracisë Samaras, që më 7 qershor do të fillojë një turne evropiane për të bindur për “drejtësinë” e qëndrimit të tij, ftohet të zgjedhë midis rrezikut që të cilësohet si “antievropian”, përderisa kundërshton memorandumin me troikën dhe rrezikut tjetër të cilësohet bashkëfajtor me qeverinë, nëse i shtrin dorën e konsensusit. Gjithçka ngjan si ekuilibër mbi litar dhe pyetja, që shtrohet është, nëse e do apo jo konsensusin Neodemokracia. “Me sa duket nuk e do, pasi nuk është në favorin e saj, pasi të gjithë kursin dhe taktikën e saj opozitare e ka organizuar mbi bazën e kundërshtimit të saj ndaj memorandmit. Është kusht mbijetese për lidershipin e saj. Në qoftë se papritur ndryshon nën presionin e partive partnere evropiane, atëhere do të gjendet në vakuum politik Samaras dhe nuk besoj se do t'i rezistojë”, i thotë DW analisti dhe publiçisti i mirënjohur Tasos Papas.

“Këtu anije po fundosen, barkat po lundrojnë”

Analisti i spektrit të majtë, Fotis Papulias

Analisti i spektrit të majtë, Fotis Papulias

Vetëm me një komoditet tragjik, që të kujton shprehjen popullore “fshati digjet plaka krihet”, apo sentencën greke “këtu anije po fundosen, barkat po lundrojnë”, ngjan ballafaqimi partiak në këto momente kritike për vendin. “Kështu funksionon sistemi dypartiak në Greqi. Kur një pol shembet, tjetri afirmohet”, thekson Tasos Papas, i cili vlerëson se kësaj radhe ky “rregull mund të mos vërtetohet” për shkak të fundosjes demoskopike që paraqesin dy partitë e mëdha në sytë e elektoratit.

Sugjerimi për konsensus irriton të majtën...

Dilema ndërkohë “ose konsensus, ose zgjedhje të parakohshme” ngjalli reagime për faktin se u shtrua jo aq si një imperativ i brendshëm, se sa si kusht i troikës për ndihmë të mëtejshme. “Argumenti se troika do të pezullojë, ose do të pengojë ndihmën, tingëllon keq për faktin se funksionimi demokratik i një vendi nuk mund të drejtohet nga qendra të tilla, propozimet e të cilave mund të cilësohen si ndërhyrje”, i thotë DW analisti i spektrit të majtë Fotis Papulias.

... dhe të djathtën, që flet për “shkarje antidemokratike”

Deklarata për “ndihmë të kushtëzuar me konsensus” nga funksionarët e Brukselit ngjalli reagime të ashpra edhe tek analistët e spektrit të djathtë, që folën për “shkarje antidemokratike”. “Nuk është vetëm shkarrje antidemokratike. Fikson edhe logjikën, që kanë disa në Bashkimin Evropian”, thotë Papulias, i cili pyetjes kanë apo jo të drejtë që kreditorët, në këtë rast troika, të kërkojnë garanci për kthimin e parave, përgjigjet: “Sigurisht që kreditorët vendosin kushte, por siç ndodh në çdo kontratë ka kushte, që gjykohen si spekulativë nga gjykatat. Në këtë rast insistimi për konsensus, që kapërcen kushtet e kontratës dhe bie ndesh me funksionimin e rendit politik, është diçka që i kapërcen caqet”.

Konsensusi minohet nga mungesa e kredibilitetit qeveritar

Konsensusi politik vështirë se do të arrihet në Greqi. Jo aq për rrezikun, siç thuhet dhe nga analistë seriozë, që të çojë në shfuqizim të “rolit institucional” të opozitës, i cili duhet të jetë ai i oponentit dhe jo i bashkëpunëtorit me qeverinë. “Në qoftë se do të kishte propozime të qarta, do të mund të kishte edhe marrëveshje të qarta. Qeveria herë thotë njerën herë thotë tjetrën, herë premton njerën herë tjetrën, tregohet e pavendosur. E gjithë kjo gjeneron një klimë konfuzioni dhe nuk është e mundur që opozita t'i ofrojë trarin e shpëtimit qeverisë”, thotë Tasos Papas. Në këtë kuptim mungesa e kredibilitetit qeveritar është ndoshta problem po aq i madh sa mungesa e konkurrencës së ekonomisë për Greqinë e krizës së thellë.

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Angjelina Verbica