1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Greqi - Ndihma me ushqime për shtresën e mesme

Në Greqi po vuan keq nga kriza dhe shtresa e mesme. Edhe në periferitë luksoze të Athinës po ndahen ushqime për nevojtarët.

Në lagjen elegante dhe të gjelbër Kifisia në periferi të Athinës Maria Kefala-Salmatani shpërndan ushqime dhe barna për të varfërit. Në vitin 2003 ajo u zgjodh në Këshillin e Qytetit - me premtimin se do të themelonte një strehë të re për fëmijët dhe të rinjtë me aftësi të kufizuara. Por që atëherë prioritetet e qeverisjes vendore kanë ndryshuar. Për shkak të krizës ekonomike janë shtuar me shpejtësi njerëzit në nevojë. Shumica e fondeve fillestare - rreth 4000.000 euro - u vunë në dispozicion nga një program i BE-së, sot projekti i ndihmës i financohet nga donacione private . Deri në fund të janarit administrata lokale në Kifisia do të hapë gjithashtu edhe një farmaci sociale për nevojtarët .

"Edhe pse që nga vitet 1980 në këtë lagje banojnë njerëz të famshëm në Kifisia ka edhe shumë familje nga klasa e mesme që ballafaqohen tani me ankthin e papunësisë", thotë 62-vjeçarja. Ka mjaft familje me fëmijë, në të cilat edhe babai dhe nëna kanë humbur punët. Të prekur nga kriza janë edhe sipërmarrësit e zhytur në borxhe që nuk mund të mbulojë më as nevojat e tyre për ushqime.

Shumë njerëzve u vjen zor të kërkojnë ndihma

Në Kifisia janë regjistruar si nevojtarë 170 vetë, por shifra e atyre që kanë nevojë duhet të jetë më e lartë, mendon Maria Kefala-Salmatani, sepse ka shumë njerëz që u vjen zor të tregojnë se janë në nevojë dhe të kërkojnë ndihma nga shteti. 19 punonjës të administratës së qytetit punojnë në qendrën e shpërndarjes së ushqimeve.

Shpesh janë fqinjët që na tregojnë në besim se cila familje ka nevojë, gjë që e marrin vesh p.sh. se kësaj apo asaj familjeje i është prerë rryma elektrike, sepse nuk është në gjendje të paguajë.

Një pamje e ngjashme vihet re edhe në Psiqikon në veri të Athinës. Kryetari i bashkisë Pantelis Xyridakis, tregon se shumë prej të prekurve nuk u kishte shkuar ndonjëherë në mendje se mund të përfundonin në një gjendje të tillë dhe u vjen turp dhje prandaj edhe shpërndarja e ushqimeve bëhet në një vend jo të ekspozuar.

Shumë njerëz hanë tek kishat

Para shpërthimit të krizës ekonomike çmimet e pasurive të patundshme në Psiqikon shkonin shpesh deri në 10.000 euro për metër katror. Askujt nuk i shkonte në atë kohë ndër mend se bashkisë do t'i duhej të kujdesej për të furnizuar me ushqime nevojtarët. Megjithatë vitet e fundit janë regjistruar si nevojtarë 120 vetë. Një herë në javë ata marrin një paketë ndihmash me ushqime, për të plotësuar kërkesat javore. Gjatë Krishtlindjeve kishat organizuan vakte të përbashkëta që njerëzit të mund të festonin.

Pantelis Xyridakis këto darka i dhanë mundësinë për të mësuar më tepër për hallet dhe për t'i njohur njerëzit me mundësitë e ndihmave. Por ai tregon se nuk e di se sa nevojtarë ka, sepse ata i drejtohen më me lehtësi kishës, se sa administratës së qytetit. 53-vjeçari shpjegon se në vaktet e të ngrënit që ofron kisha shkojnë për ditë të paktën rreth 300 vetë. Mjaft aktive është kisha katolike. Në kishën katolike të Psiqikon shkojnë për të marrë ndihma edhe shumë migrantë të besimit katolik, që nuk kanë asnjë mundësi tjetër për të marrë ndihma, thotë Xyridakis.