1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Greqi : Mafia e punës terrorizon emigracionin

Rreth 3 000 vetë nga shoqatat e punonjësve vendas dhe emigrantë organizuan mbrëmë një manifestim të madh solidariteti dhe kundër shfrytëzimit çnjerëzor të grave emigrante të sektorit të pastrimit.

Azilkërkues para zyrave për të huajt në Athinë, 5 dhjetor 2008.

Azilkërkues para zyrave për të huajt në Athinë, 5 dhjetor 2008.

Emigrantja bullgare Konstandina Kuneva, kthehej më 22 dhjetor në shtëpi nga puna, kur dy persona të panjohur e spërkatën me acid. Si pasojë e këtij sulmi mafioz emigrantja humbi njërin sy, fytyra e saj u dëmtua rëndë dhe ajo kurohet aktualisht në gjendje kritike, në spital. Kuneva nuk ishte një emigrante e thjeshtë, por sekretare e Unionit të Pastruesve dhe Personelit Shtëpiak, i cili përfshin pastrueset, kryesisht emigrantë, që pajtohen në kushte diskriminuese në firmat private, që mbyllin kontratat me spitalet, bankat dhe institucionet e tjera publike.

Ngjarja tronditi opinionin, që u vu në krahë të viktimës duke organizuar edhe protesta, si ajo e së enjtes në darkë në qendër të Athinës. Me parullën “Konstandina nuk je vetëm”, rreth 3 000 pjesëmarrës nga 60 shoqata të ndryshme dhe emigrantë manifestuan para Universitetit të Athinës dhe marshuan drejt ministrisë së punësimit, ku u konfrontuan dhe me policinë. “Do ta ndihmojmë. Do të bëjmë të pamundurën. Kam vajtur dhe në spital. Kam thënë se do të japim gjakun, unë dhe fëmija ime. Kërkojmë të drejtat tona, por njerëzit kanë frikë, nuk vijnë,” na thotë një shqiptare për klimën e terrorit, që mbizotëron në firmat e sektorit të pastrimit.

Sipërmarrësit vendas pasi nënshkruajnë kontrata pastrimi me spitalet, bankat dhe institucionët e tjera publike pajtojnë punonjëse, kryesisht emigrante, me kushte të “një skllavërie moderne”, me paga urie, nga 300 deri në 500 euro, pa sigurim social, duke ndëshkuar çdo shfaqje sindikalizmi. Siç ndodhi me emigranten bullgare që si sekretare e Unionit të Pastruesve dhe Personelit Shtëpiak, kërkonte ndryshimin e statusit të punës dhe dhënien fund të kërcënimeve të vazhdueshme të lirimit nga puna. Vetëm firma IKOMET, ku ishte pajtuar Kuneva, sipas statistikave zyrtare, liroi nga puna 695 punonjës gjatë vitit 2008. “Këtu kemi aplikimin e metodave të pastra mafioze. Nuk kemi punëdhënësin që kërcënon me lirim nga puna, por atë që mund të paguajë njerëz për të terrorizuar punonjësit,” na thotë sindikalistja Magdha Maçi.

Këtij aspekti do t`i mëshonin me forcë edhe eurodeputetë grekë, që e çuan çështjen deri në Komisionin Evropian, duke kërkuar dënimin e rreptë të fenomeneve të tilla. Përballë një presioni të tillë prokuroria i ktheu policisë mbrapsht si të mangët, dosjen për zbardhjen e çështjes dhe dënimin e autorëve. “Mesazhi ynë sot është që të na dëgjojë zonja Petralia për problemet e sektorit tonë,” na thotë Vasiliqi Çuni, nënkryetarja e Unionit të pastruesve, për ministren e Punësimit, që vihet përballë sfidës së ndryshimit të legjislacionit favorizues të sipërmarrjeve të tilla çnjerëzore.

Pyetja munduese që dëgjohet si aktakuzë ndaj politikës është pse duhet të sakrifikohej një emigrante, e cila ka humbur njërin sy nga acidi, që të hidhej dritë mbi “mafien e punës”që i ri në qafë veçanërisht emigracionit.

(ACA)


  • Data 23.01.2009
  • Autor Niko Anagnosti / Athinë
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Gev7
  • Data 23.01.2009
  • Autor Niko Anagnosti / Athinë
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Gev7