1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Greqi: Kriminaliteti në rritje

I vetmi indeks që shënon rritje në kushtet e Greqisë në krizë të thellë është ai i kriminalitetit. Kronika e zezë është përditë e ngjeshur me krime, që nga vjedhjet e vogla deri tek ato me armë..

Kriminaliteti në rritje në Greqi

Kriminaliteti në rritje në Greqi

Katër herë e kanë vjedhur kinkalerinë e saj në kryqëzimin e rrugëve Mavromihali dhe Laskareos, në qendër të Athinës. «Kësaj radhe ishte shumë e vështirë. Ishim brenda bashkë me tim shoq, na goditën, hynë me pistoleta. Një përvojë e hidhur,” i thotë DW Dhora Zarkadhulla . «I shoh kudo para syve të mi. Më duket sikur do të vijnë prapë të më godasin,” thotë për tmerrin që jetoi por edhe për koston, 1.500 euro, kur duhet të “paguajë elektrikun, qiranë, TVSH-në dhe haraçet”.

Kronika e zezë është e ngjeshur përditë me vjedhjet e dhunshme, shumë herë edhe të përgjakshme, të dyqaneve, kioskave, pikave të karburanteve por edhe bankave. Në shënjestër edhe banesat, me viktima shpesh të moshuarit. “Hynë disa persona në shtëpi pa i kuptuar dhe u zgjova me një pistoletë në kokë. Morën gjithçka që gjeten” thotë i moshuari Ksenofondas Bubulis që e konsideron veten “me fat” që nuk i kushtoi jetën.

Kronikë e zezë e përditshme me të gjitha llojet e krimit

Vetëm natën ditën e hënë dhe në të gdhirë të së martës u bënë gjashtë vjedhje, thotë buletini i policisë, me katër qytetarë të plagosur nëpër pika të ndryshme të Athinës. “Në këto momente krimi po shpërthen,” i thotë Deutsche Welles Jorgos Filipaqis, reporteri i mirënjohur grek i kronikës së zezë për më se 35 vjet. “Përditë kemi me dhjetëra vjedhje me armë, mijëra hapje banesash dhe grabitjesh, shumë mashtrime dhe shantazhe, grupe tutorësh që u sheshin mbrojtje lokalëve të argëtimit të natës, por edhe bizneseve si kioskat, falsifikime, rrjete shfrytëzimi të të huajve. Nuk ka kundravajtje të kodit penal që të mos ndodhë sot në Greqi,” thotë Jorgos Filipaqis duke shprehur keqardhjen e tij që për shkak të “gjendjes tragjike ekonomike rrugën e kundravajtjes e marrin edhe pjesëtarë të efektivave policore, siç ndodhi javën e fundit me një kryerojtar të Shërbimit Antiterror që u arrestua tek kryente vjedhje”.

Gazetat shkruajnë përditë për krimet e ndodhura

Gazetat shkruajnë përditë për krimet e ndodhura

Rritja e kurbës i ka rrënjët në kolapsin ekonomik

Problemi po bëhet shqetësim social. Pak para formimit të qeverisë së bashkëpunimit kreu i konservatorëve Andonis Samaras, me pyetje në parlament kërkonte marrjen e masave për luftimin e fenomenit. I cili nuk mund të bëhet sigurisht vetëm me masa represive, por duhen në radhë të parë masa preventive. Në këtë konkluzion arrin edhe një studim i Universitetit Pandio të Athinës për ecurinë e kriminalitetit në Greqi, duke theksuar se “rruga e dytë, që është edhe rruga më e butë, është ajo që preferohet përderisa është në pajtim me parimet e një shoqërie të lirë dhe demokratike”. Kjo në radhë të parë kërkon evidentimin e shkaqeve të rritjes së kurbës së krimit që jo rastësisht përkon me thellimin e krizës dhe shtimin e ankthit për mbjetesë.

“Bëhet fjalë për një kriminalitet dhe kriminalistikë të kohës së krizës, që nuk është e njejtë me atë të kohës së mirëqenies” i thotë DW profesori i kriminalistikës në Universitetin Pandio të Athinës, Andonis Manganas. Ndër shkaqet më të thella të fluksit të krimit profesori grek nënvizon dhe fenomenin e shkeljes së ligjit nga vetë shteti, që sipas tij është edhe “kundërvajtësi” më i madh. “Shohim që vetë shteti prek të drejta esenciale që janë të sanksionuara jo vetëm nga Kushtetuta greke, por edhe nga Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut. Për rrjedhojë qytetarët, që kanë arritur në këtë pikë dhe duke parë se del në sipërfaqe instikti bazë i mbijetesës, kur janë venë me shpatulla në mur, shumë më lehtë kryejnë krime si mashtrime apo vjedhje”.

Andonis Manganas, profesor i kriminalistikës në Universitetin Pandio të Athinës Photo: Privat. 13.4.2009

Andonis Manganas, profesor i kriminalistikës në Universitetin Pandio të Athinës

E pashmangshme rritja e krimit nga imigrantët, që “janë në një pozitë 100 herë më të keqe se grekët”

Manganas e konsideron të pashmangshëm “kontributin” e madh të imigrantëve në rritjen e kurbës së krimit. “Në qoftë se i shtojmë fenomenit dhe numrin e madh dhe të pakontrollueshëm të imigrantëve klandestinë, të cilët janë në një pozitë 100 herë më të keqe se grekët, pra është çështje mbijetese, s'ka si të mos shtohet numri i krimeve, kryesisht i vjedhjeve nëpër supërmarkete, stacione të metrosë apo nëpër banesa”. Studimi thotë se në total të krimeve 57.15% kryhen nga imigrantët, por kjo sipas profesorit grek ka shpjegimin e vet dhe kurrsesi nuk justifikon asnjë qëndrim racist dhe ksenofob. “Këta njerëz janë veçanërisht të dobishëm për Greqinë. Fakti që i shfrytëzojmë dhe i shtrydhim si limon, duhet të bëjnë “mea culpa” për këtë,” thekson profesori grek, dhe pyet: “Duam skllevër që të na binden verbërisht apo bashkëpunëtorë dhe ndihmës me të drejta?”.

Një politikë efikase për imigracionin do të ulte patjetër vetëm një pjesë të krimit, që është shtrirë në të gjithë shoqërinë greke, që përballet ndërkohë me makthin e mbijetesës dhe. “Problemi më i madh është se qytetari grek ka filluar të mos ketë bukë, nuk mund të jetojë, nuk ka punë, nuk ka pensionin e duhur, bizneset po shkatërrohen. Për të kalon në plan të dytë akoma edhe krimi, që është i madh dhe në radhët e të huajve, kryesisht afrikano-aziatikë,” siç thekson Jorgos Filipaqis. Luftimi i krimit kërkon një politikë tërësore preventive, që presupozon në radhë të parë zgjidhjet për kapërcimin e kolapsit të krizës.

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Aida Cama