1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Greqi: Kredi të këqija mes miqsh

Ish shefi i bankës greke Postbank akuzohet se u ka dhënë kredi milionëshe me kushte të favorshme biznesmenëve me të cilët kishte raporte miqësore. Dëmi për taksapaguesit llogaritet në mbi 400 milionë euro.

Përmasat e skandalit nuk janë ende plotësisht të qarta. Por e sigurt është megjithatë se sipas prokurorisë së Athinës, ish shefi i bordit të institutit të kredisë, dikur shtetëror Hellenic Postbank, Angelos Filippidis, ka akorduar nga viti 2007 deri 2010 kredi për shumë sipërmarrje, të cilat nuk do të kishin kaluar asnjë test serioz boniteti. Taksapaguesve u është shkaktuar kështu një dëm prej më shumë se 400 milionë eurosh. Veç kësaj Filippidis duket se ka marrë ryshfete për ndërmjetësimin e këtyre kredive, të cilat i ka depozituar në llogari bankare jashtë vendit.

Në lidhje me skandalin e Postbank po kryhen aktualisht hetime ndaj 39 personave. Dy ish drejtorë të institutit të kredisë janë arrestuar në Athinë. Vetë Filippidis u arrestua në Stamboll, prej nga morën zjarr zëra të rinj se ai ka depozituar shuma të mëdha parash pranë bankave turke. Veç kësaj prokuroria greke dyshon për llogari të tjera bankare në Mal të Zi dhe Zvicër.

"Dhënia e kredive për biznesin filloi me Filippidis në vitin 2008 dhe ishte në kundërshtim me praktikat e zakonshme të Postbank, e cila deri atëherë vepronte si një arkë e vogël kursimi", shpjegon analisti i ekonomisë Panajotis Bousbourellis. Vërtet një riorientim i tillë në biznesin me klientin nuk është në vetvete antiligjor, por Banka Qendrore greke vitet e kaluara ka paralajmëruar jo pa arsye për rreziqet e larta të aktivitetit të Postbank. Paralajmërimet e saj duket se kanë rënë në vesh të shurdhër, kritikon Bousbourellis.

Akuza kundër shpëtimtarëve të bankave dhe sipërmarrësve

Pas privatizimit instituti i kredisë u shpëtua nga falimentimi me pesë miliardë euro nga fondi grek për shpëtimin e bankave, ndër të tjera për shkak të kredive pa garanci. Fakti që shefja e fondit Anastassia Sakellariou, kishte mbajtuar dy vjet më parë një post drejtues në Postbank e vështirëson përpunimin ligjor të çështjes. Sipas aktipadisë Sakellariou në janar 2012 si personi përgjegjës për menaxhimin e riskut në Postbank, kishte aprovuar ristrukturimin e një prej kredive të kontestuara. Ministri i Financave Jannis Stournaras i del në mbrojtje punonjëses së tij: ai deklaroi se ka besim të plotë te drejtësia por edhe tek zonja Sakellariou.

Por më shumë zhurmë shkaktoi padia kundër sipërmarrësit në fushën e sigurimeve dhe mogulit të medieve Dimitris Kontominas. Ai konsiderohet si një nga sipërmarrësit më të suksesshëm të Greqisë dhe u bë i njohur edhe në Gjermani kur në 2008 i shiti RTL-së grupin e tij Alpha Media Group për 125,7 milionë euro (për të riblerë aksionet e tij në mënyrë të papritur nga RTL në 2012).

Një pikë e rëndësishme e padisë kundër sipërmarrësve të prekur është përdorimi për qëllime të tjera i kredive, thotë Bousbourellis. "Merrni rastin e Kontominas: ai akuzohet se me paratë nga kredia është pasuruar personalisht dhe ndër të tjera ka blerë një shtëpi për të bijën", thotë analisti nga Athina.

Ndërthurje e politikës me ekonominë

Kontominas i përgënjeshtron akuzat. Punonjësit e tij deklaruan për shtypin se të gjitha kreditë janë rikthyer sipas marrëveshjeve të kontratave. Një provë përfundimtare për përvetësimin e parave në të vërtetë nuk ka. Por dyshohet se të gjithë klientët e mëdhenj të Postbank paratë nga kreditë i kanë depozituar në llogari të fshehta ose në firma offshore në të gjithë botën, dhe ndiheshin të sigurtë pasi kishin kontakte të mira politike.

Ndërthurjet e ngushta mes ekonomisë dhe politikës nuk janë asgjë e re në Greqi, thotë gazetari dhe ish zëdhënësi i qeverisë Dimitris Tsiodras. Edhe në të kaluarën ka pasur raste kur sipërmarrës kanë marra para të shtetit me kushte të favorshme ose kanë bërë biznese të mira me shtetin kundrejt ryshfeteve, thotë i indinjuar Tsiodras. "Nuk duhet të harrojmë se Postbank ka qenë bankë shtetërore, drejtuesit e saj zgjidheshin gjithnjë nga partia që qeveriste", tërheq vëmendjen gazetari.

Edhe Bousbourellis i referohet ndërthurjes së politikës së partive dhe administratës shtetërore: shefin e Postbank Filippidis e pati zgjedhur asokohe vetë ish kryeministri Kostas Karamanlis. Vetëm pas ndryshimit të qeverisë në 2009 Filippidis u zëvendësua dhe në vend të tij erdhi Kleon Papadopulos, një mik i kryeministrit të ri socialist Jorgos Papandreu, shpjegon Bousbourellis.

Opozita e majtë, e cila sipas sondazheve të fundit ka përparësi ndaj konservatorëve në pushtet, duket se kërkon ta shfrytëzojë politikisht skandalin e Postbank. Kryetari i opozitës Alexis Tsipras flet për një "trekëndësh korrupsioni" mes biznesve të mëdha, bankave dhe partive politike, të cilët këmbejnë ndere me njëri-tjetrin.

"Opozita kritikon jo vetëm Postbank por edhe 'Bankën Bujqësore të Greqisë' (ATE). Ajo akuzohet se u ka bërë dhurata në formë kredish të dy partive, socialiste dhe konservatore. Kreditë janë vërtet dhurata edhe vetëm për faktin që banka pranon si garanci për kredinë të ardhurat nga financimet e partive, megjithëse pagimi i tyre nuk është aspak i sigurt", shpjegon gazetari Tsiodras. Veç kësaj edhe bordi drejtues i ATE, e cila ka qenë më parë shtetërore, zgjidhet nga partia në pushtet.