1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Debat në Greqi

Janis Papadimitriou/ Auron Dodi22 Tetor 2013

Qeveria greke e sheh në rrezik raportimin televiziv për presidencën në BE gjashtëmujorin e parë të 2014-ës: katër muaj pas mbylljes së radiotelevizionit shtetëror, ERT, ende nuk ka një televizion publik funksionues.

https://p.dw.com/p/1A3M6
Fotografi: Reuters

Dy televizione konkurruese pretendojnë se kanë të drejtë të vazhdojnë transmetimet e radiotelevizionit të vjetër shtetëror: një pjesë e punonjësve të pushuar nga puna, të cilët që prej qershorit mbajnë të pushtuar godinën e radiotelevizionit në periferinë e Athinës, Agjia Paraskevi, dhe të cilët transmetojnë prej atje në internet një program proteste; dhe kolegët e tyre, të cilët punojnë për një radiotelevizion pasardhës me emrin e thjeshtë "radiotelevizioni publik", ose në greqisht: Dimosia Tileorasi.

Problemi: radiotelevizioni i ri ka vërtet miratimin e qeverisë, por nuk ka në dispozicion pajisjet e nevojshme teknike për një program të plotë televiziv dhe radiofonik, meqenëse pjesa më e madhe e infrastrukturës së ERT ka mbetur në godinën e vjetër, ku punonjësit e programit të ri nuk kanë qasje. Veç kësaj, radiotelevizionit të ri nuk i lejohet të japë kontrata të përhershme pune, derisa të sqarohet përfundimisht statusi i tij juridik. Prandaj, rreth 600 punonjësit e Dimosia Tileorasi punojnë hë për hë mbi bazën e kontratave të përkohshme, të cilat duhet të ripërtërihen çdo dy muaj.

Maria Alexaki bën pjesë te mbi një mijë ish-punonjësit e ERT-së që guxojnë të nisin një fillim të ri profesional te Dimosia Tileorasi. "E kemi shumë të vështirë, që të përgatisim çdo ditë katër emisione lajmesh, siç bënim përpara të ERT. Thjesht na mungojnë pajisjet bazë", ankohet gazetarja dhe moderatorja. "Shpesh sjellim një kompjuter me vete nga shtëpia ose punojmë me radhë; pra njëherë ulet njëri në kompjuter dhe mbaron tekstin e tij, pastaj ai i liron vendin kolegut të punës", thotë Alexaki.

Mosmarrëveshje për trashëgiminë e ERT-së

Në mosmarrëveshjen për radiotelevizionin shtetëror ajo ka qëndrim të qartë: ekziston vetëm një radiotelevizion publik dhe ky është i sapothemeluari - megjithë dobësitë dhe problemet e tij. Verën e kaluar, Alexaki ishte pjesë e punonjësve që pushtuan godinën e ERT-së, por ndërkohë, për mendimin e saj, negociatat midis qeverisë dhe sindikatave ecin në drejtim të gabuar dhe përfaqësues të punonjësve të pushuar të ERT-së e teprojnë me kërkesat e tyre.

Televizioni shtetëror grek
Televizioni shtetëror grekFotografi: picture-alliance/dpa

"Vendimin për ta mbyllur radiostacionin e vjetër, shumica jonë e konsideroi të gabuar, por ai ishte i pakthyeshëm", shpjegon Alexaki. Në këto kushte, duhet të kishin nisuar negociatat, me synimin që sa më shumë prej gazetarëve të ERT-së të punësoheshin në kushte sa më optimale në radiotelevizionin pasardhës. Në vend të kësaj, palët janë ngurtësuar në kërkesën maksimale që të rihapet radiotelevizioni i vjetër.

Nikos Michalitsis punon prej shumë vitesh te ERT dhe ka drejtuar dikur sektorin "Prodhimi dhe teknika" në televizionin shtetëror. Ai bën pjesë tek protestuesit e orës së parë, të cilët vazhdojnë të qendrojnë në godinën e radiotelevizionit. " ERT në fakt nuk u mbyll asnjëherë. Ne, punonjësit vendosëm në mbledhjen tonë të përgjithshme që ERT ta vazhdojë punën dhe të transmetojmë lajmet njësoj si më parë", deklaron Michalitsis. Në këtë mënyrë, punonjësit e ERT-së nuk luftojnë vetëm për vendet e punës, por edhe për kushtetutën greke dhe demokracinë.

Por të gjithë gazetarët janë të të njëjtit mendim: me presidencën greke në BE, prej janarit 2014 do të vijë ora e provës, jo vetëm për gazetarët, por edhe për qeverinë e kryeministrit Antonis Samaras.

Mosmarrëveshje e dimensionit evropian

Në mënyrë të papritur të hapur, sekretari i shtetit, përgjegjës për televizionin publik, Pantelis Kapsis deklaroi para pak kohësh në parlamentin grek se raportimi për presidencën greke në BE është në rrezik: ai nuk mund të garantohet, nëse vazhdon pushtimi i godinës së ERT-së. Këtë gazetarët protestues duhet ta mbajnë parasysh seriozisht, tha ish-gazetari. Pas kësaj, analistët supozojnë një kërcënim: nëse pushtuesit e godinës së ERT-së nuk largohen vullnetarisht, ekziston mundësia që t'i detyrojnë për këtë.