1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Greqi: Frikë nga kthimi i terrorizmit të majtë

Vetëm pak ditë pas të shtënave në rezidencën e ambasadës gjermane në Athinë, një terrorist grek i dënuar me burgim ka mundur të ikë. Me marrjen e presidencës së BE-së në Greqi shtohet frika nga terrorizmi.

I arratisuri nuk është një njeri i zakonshëm. Ai është Kristodulos Xyros, një drejtues dhe vrasës famëkeq i organizatës më të rrezikshme terroriste greke deri tani, "17 nëntori". Siç ka pohuar vetë, Xyros ka qenë i përfshirë në disa sulme terroriste në vitet 80 dhe 90. Viktimat janë ndër të tjerë industrialisti athinas Dimitrios Angelopulos, botuesi konservator Nikos Momferatos, policë greke, si dhe diplomatë nga Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara. Përveç kësaj Xyros ka qenë i përfshirë në sulmet e dështuara kundër ish-ministrit socialist, Jorgos Petsos dhe ish-komisionerit të BE, Jannis Palaiokrassas. Edhe një sulm me raketë antitank mbi rezidencën e ambasadorit gjerman në vitin 1999 shkon në llogari të "17 nëntorit”.

Terroristi grek Christodoulos Xyros

Terroristi grek Christodoulos Xyros

Pas shkatërrimit të organizatës terroriste, Xyros u dënua me burgim të përjetshëm gjashtë herë në vitin 2003. Për sjellje të mirë ai ka marrë në tetëmbëdhjetë muajt e fundit tetë herë leje nga burgu me kusht që të paraqitej çdo ditë në stacionin më të afërt policor. Gjatë lirimit të fundit me kusht për Krishtlindje Xyros shfrytëzoi me sa duket rastin dhe u fsheh. Ikja e tij u konfirmua të martën në mbrëmje (7.1.) edhe nga zëdhënësi i qeverisë Simos Kedikoglou.
Si mund të jetë e mundur, që një terrorist i dënuar me burgim të përjetshëm brenda 18 muajve merr shtatë herë pushim, madje as ushtarët tanë nuk gëzojnë privilegje të tilla", kritikon analisti politik Jannis Pretenderis në kanalin televiziv MEGA Channel. "Do të doja të dija, se cili gjyqtar dhe në bazë të cilave kritere e merr një vendim të tillë", thotë me zemërim komentatori athinas.

Premtime për reforma në të ardhmen

Sipas ekspertëve ligjorë dhënia e pushimeve sipas ligjit aktual nuk mund të kritikohet. Ligji penal grek nuk bën dallim në këtë drejtim midis terroristëve dhe kryesve të veprave të tjera të dhunshme. Koalicioni qeveritar i përbërë nga konservatorët dhe socialistët dëshiron ta ndryshojë tani këtë, thekson ministri i Drejtësisë Charalambos Athanassiou pas një takimi me kryeministrin Antonis Samaras të martën. Përveç kësaj Athanassiou premton ndërtimin brenda 100 ditëve të një burgu të ri të sigurisë së lartë për kriminelët e rrezikshëm dhe terroristët. Përse askush nuk ka menduar për këtë deri tani, ministri e lë të hapur.

Fragiskos Ragoussis, avokati i Kristodulos Xyros, e sheh me mjaft qetësi ikjen e mandantit të tij. Ky është vetëm një vendim politik i të burgosurit, që është plotësisht në përputhje me "veprimtarinë revolucionare të tij", tha Ragoussis në një intervistë me stacionin e lajmeve Skai në Athinë. I pyetur me këmbëngulje prej gazetarëve të Skai avokati nuk e përjashtoi mundësinë që terroristi i arratisur të bëhet përsëri "aktiv": “Nevojat sociale dhe "shqetësimet e kohës sonë" e kanë shtyrë Xyros me sa duket të marrë vendimin për të ikur”, shpjegoi Ragoussis.
Ky formulim të bën të hapësh veshët. Në kohën e rritjes së tensioneve sociale fantazma e terrorizmit të majtë duket se po e kaplon përsëri Greqinë. Komentuesi Jannis Pretenderis bën një parashikim dramatik: Gjithçka dëshmon se kemi përpara një valë të re dhune, paralajmëron Pretenderis. "Xyros nuk është një njeri i zakonshëm, ai ka njohuri shumë të mira në çështjet e sulmeve terroriste dhe lëndëve shpërthyese. Tani me sa duket ai do t'ia kalojë njohuritë dhe përvojën e tij brezit të ri. Bëhet fjalë me sa duket për të rinj, të cilët ai i ka rekrutuar vitet e fundit”, shpjegon Pretenderis.

Shqetësim për presidencën greke të BE

Kryeministri grek Antonis Samaras

Kohë të trazuara për kryeministrin grek Antonis Samaras.

Një kohë më të mirë për të nxitur frikën, Xyros nuk do të kishte mundur dot të gjente: Greqia është aktualisht në qendër të opinionit publik botëror, në një kohë që të mërkurën në Athinë do të mbahet ceremonia e marrjes së presidencës së BE-së nga Greqia( 8.1.). Priten mysafirë të lartë nga Brukseli, 2000 punonjës policie janë në dispozicion gjatë gjithë kohës. Pallati Zappeion në zemër të Athinës, ku do të mbahen takimet e rëndësishme ministrore dhe konferencat e shtypit, është i rrethuar hermetikisht që të martën pasdite.

Gazetarja Ana Panajotarea, e njohur për lidhjet e mira me kampin e qeverisë konservatore paralajmëroi në një intervistë me kanalin televiziv Skai: “Vendi ynë është nën vëzhgim të vazhdueshëm nga mediat e huaja dhe merr në raportimet e tyre vazhdimisht goditje të forta, tani edhe kjo. Sikur kryeministri ynë të mos kishte mjaft probleme, ai do të duhet të justifikojë edhe terrorizmin në Greqi."