1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Greqi : Episodet janë në zhvillim e sipër

Kryeqyteti grek dhe qytetet e tjera të Greqisë jetojnë me ankthin e një nate tjetër dhune dhe shkatërrimesh në qendrat e tyre. Episodet janë në zhvillim e sipër dhe bëhen katalizator zhvillimesh politike.

default

Parlamenti grek, Athinës

Dhuna e ricikluar në orët e para të pasdites para parlamentit grek në Athinë, por edhe në qendër të Selanikut nga të rinj të revoltuar paralajmëron një tjetër natë tmerri për dy qendrat e mëdha urbane edhe qytetet e tjera të vendit, të traumatizuara rëndë nga dhuna e tri netëve të mëparshme. Tani nuk flitet më për grupe të veçanta të rinjsh me maska, që shkatërrojnë dhe bastisnin, por për një revoltë të rinisë kundër margjinalizimit të saj. “Kush janë këta? Janë të margjinalizuarit që kemi përgatitur ne dhe u vumë në shpirt urrejtjen klasore, të margjinalizuarit e rinisë greke që i vumë në koshin e plehrave dhe tani shpërthen,” deklaron ish rektori i Politeknikumit Universitar, Nikos Markatos. I njëti arësyetim dhe e njëjta terminologji përdoret edhe nga kryetari i së majtës Allavanos, pas daljes së tij nga rezidenca e kryeministrit Karamanlis, kur bëri fjalë “për zgjidhje politike në një krizë politike”. “Mendoj se shteti duhet të tregojë se dëgjon, se ka veshët e hapura ndaj rinisë” deklaroi Allavanos, duke kërkuar riorganizimin demokratik të policisë dhe masa për arsimimin dhe punësimin e rinisë.

As apeli i sotëm i presidentit Papulias për “rikthim në normalitet” dhe as paralajmërimi i kryeministrit pas mbledhjes së Komisionit Qeveritar se “asnjë nuk ka të drejtë të përdorë si alibi ngarjen tragjike për akte dhune të verbër” nuk mund të çtensionojnë klimën e acaruar. Ngjarjet tragjike duket se sherbëjnë si katalizator zhvllimesh politike. Fjala nuk është për dorëheqjen e një ministri apo kreut të policisë, por për kërkesën për zgjedhje të parakohshme politike. Atmosfera, sipas burimeve gazetareske, ishte e acaruar në takimin e sotëm të kryeministrit Karamanlis me kryetarin e opozitës socialiste Papandreu, i cili sot, në kulmin e tensioneve dhe të dëshpërimit popullor për shkatërrimet dhe dëmet e pallogaritshme, shkoi një hap më tej duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë dhe shpalljen e zgjedhjeve si të vetmen rrugë për qetësimin e situatës dhe daljen nga kriza. “Vendi nuk disponon qeveri që mund të mbrojë qytetarin,” deklaroi Papandreu, i cili më vonë deklaroi hapur se qeveria e Karamanlisit të “vetmin shërbim që mund t’i bëjë vendit është që të japë dorëheqjen”.

  • Data 09.12.2008
  • Autor Niko Anagnosti / Athinë
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GCNr
  • Data 09.12.2008
  • Autor Niko Anagnosti / Athinë
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GCNr