1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Demokracia në Greqi në udhëkryq

Jannis Papadimitriou / Angelina Verbica24 Prill 2013

Në vendlindjen e demokracisë, shteti po përballet me sfida të mëdha. Korrupsioni, klientelizmi dhe pafuqia e politikanëve në krizë i preokupojnë shumë grekët.

https://p.dw.com/p/18Lnz
Fotografi: dapd

Në një pikë janë të një mendimi të gjithë analistët politikë. Deri në shpërthimin e krizës së borxhit demokracia në Greqi ka funksionuar më mirë se kurrë më parë. Dhe pikërisht në kohët e krizave grekët nuk duhet ta minimizojnë këtë arritje, porosit sociologu dhe publicisti Ilias Katsoulis. "Pas rrëzimit të diktaturës ushtarake në vitin 1974 Greqia  mori rrugën e një demokracie të tipit perëndimor, në të cilën partitë politike qeverisin me radhë", thotë 76 vjeçari. Defiçite të mëdha në demokraci nuk janë shfaqur kurrë, përkundrazi. Madje mund të flasësh për "shumë demokraci", kur greva të mëdha paralizojnë herë pas here gjithë vendin.

Klientelizmi rrezik për demokracinë

Edhe këshilltari politik Levteris Kousoulis e sheh demokracinë të ankoruar fort në Greqi, gjë të cilën ai e lidh edhe me pranimin e vendit në BE në vitin 1981. Megjithatë ai thotë se Greqia është katandisur në një demokraci partish. "Politika bëhet këtu pre e partive", kritikon Kousoulis. Megjithëse demokracia është e paimagjinueshme pa partitë, nuk duhet të ndodhë që institucionet demokratike të dobësohen nga interesat partiake. Plotfuqishmëria e partive në Greqi i ka hapur të gjitha dyert klientelizmit, beson politologu, që ka studjuar në Francë.

Korrupsion dhe nepotizëm: ish-ministri i Mbrojtjes Akis Tsochatzopoulos i akuzuar për evazion fiskal
Korrupsion dhe nepotizëm: ish-ministri i Mbrojtjes Akis Tsochatzopoulos i akuzuar për evazion fiskalFotografi: picture-alliance/dpa

Klientelizmi politik vihet re edhe në një fushë tjetër. Kur qeveria greke regjistroi para dhjetë vjetësh të gjitha iniciativat qytetare dhe organizatat joqeveritare, ishin gjithsej 45.000 grupime. Shumica e këtyre grupeve u themeluan nga burokratët dhe funksionarët e partive vetëm sa për dukje, sepse donin të përfitonin nga financimi shtetëror, shpjegon sociologu Ilias Katsoulis. Pasoja: Iniciativat qeveritare me qëllime serioze e kanë të vështirë, që të tërheqin vemendjen e publikut dhe besueshmërinë.

Edhe roli i mediave greke në krizën politike shihet me sy kritik nga shumë ekspertë. Ata nuk janë të pafajshëm në këtë situatë dhe shpesh madje të ndërlidhur me interesat politike dhe ekonomike të pushtetit, shpjegon Levteris Kousoulis. "Një iniciativë, që prezanton ide të reja, bëhet vetëm atëherë e njohur, nëse ajo mbështetet në strukturat e pushteti ekzistues dhe në oligarkitë partiake", ankohet këshilltari politik.

Copëzimi i pejsazhit partiak

Sipas anketimeve grekët ndodhen në një dilemë: Nga njëra anë politikanët e vjetër bëhen përgjegjës për shkatërrimin ekonomik, nga ana tjetër pikërisht këta politikanë duan ta nxjerrin vendin nga kriza. Çfarë duhet bërë?

Protestues demonstrojnë kundër masave të kursimeve
Grevat janë në rend të ditës në GreqiFotografi: Reuters

Shumë politologë presin një periudhë kalimtare, në të cilën pejsazhi partiak të fragmentohet dhe të rinovohet. Kjo tendencë u vu re në zgjedhjet e vitit 2012, kur konservatorët dhe socialistët humbën më shumë se 15 përqind të zgjedhësve. Prej kësaj përfitojnë forca të reja si e Majta Demokratike, që operon si parti e re në koalicionin nën drejtimin e shefit të konservatorëve Antonis Samaras dhe angazhohet për "më shumë  Europë". "Ne besojmë në një Europë federale dhe duam të punojmë me maturi", thotë deputetja Maria Giannakaki. Deri tani europianët e kanë venë qerren para kalit dhe kanë krijuar një bashkim monetar pa realizuar më parë një bashkim të vërtetë ekonomik.

Deputetja greke Maria Giannakaki
Deputetja greke Maria GiannakakiFotografi: DW/P. Kouparanis

Por copëzimi i pejsazhit të stabilizuar partiak dhe rënia e partive politike, që lidhet me të, fsheh në vetvete rreziqe.  Që nga viti 2012 në parlament ka zënë vend një parti neonaziste, e cila sipas sondazheve del forca e tretë politike në vend. Në vitin 2014 në zgjedhjet evropiane e djathta ekstreme mund të hyjë edhe në Parlamentin Evropian.

"Dëshiroj që sukseset e tyre zgjedhore të jenë vetëm të përkohshme", thotë politikania e re Giannakaki. Por sondazhet flasin për fat të keq ndryshe. Ato mund të forcoheshin, në qoftë se demokracia nuk reagon në kohën e duhur.