1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Grekët duhet ta shtrëngojnë më shumë rripin

4.8 miliardë euro për uljen e defiçitit me 4% e për të bindur Brukselin dhe tregjet për përpjekjet e saj. Papandreu foli për masa të “vështira por të nevojshme” dhe “përgjegjësinë historike”, që duhet të tregojë Evropa.

default

Kryeministri Jorgos Papandreu flet para gazetarëve, 3 mars 2010

U desh një mbledhje-maratonë e Këshillit të Ministrave, që zgjati pak mbi tri orë, që qeveria greke të konkludojë mbi paketën e masave shtesë për zbutjen e problemit akut financiar, që i kërkonte me forcë Brukseli dhe i rekomandoi nga afër gjatë vizitës së tij të henën në Athinë komisioneri evropian për Financat Oli Rehn. Masat e kursimeve shtesë prej 4.8 miliardë eurosh nga reduktimet e shpenzimeve të sektorit publik, por edhe shtimi i të ardhurave nga taksat e reja me përfundimin e mbledhjes qeveritare iu paraqitën në formën e projektligjit parlamentit, i cili do ta votojë të premten dhe do të bëhet ligj i shtetit.

Griechenland Finanzkrise

Protestë e taksistëve në sheshin Syntagma para parlamentit grek

Qeveria greke ndërmori masa të tjera shkurtimesh

Kështu kryeministri Papandreu do ta ketë në bagazhet e tij si një atu të përpjekjes, që bën qeveria e tij për kapërcimin e problemit në turneun, që fillon të premten nga Berlini, do të vazhdojë të shtunën me Parisin dhe do të përfundojë me 9 mars në Uashington. “Informova presidentin e Republikës për vendimet e vështira, që morëm, që nuk ishin preferenca jonë, por domosdoshmeri për mbijetesën e vendit, për ekonominë që të dalë nga vorbulla e spekullatorëve dhe diskreditimit” tha Papandreu, kur një ditë më parë në tone dramatike në grupin parlamentar të partisë së tij foli për “gjendje lufte me të gjitha skenarët negative” dhe kërkoi “sakrifica nga të gjithë për mbijetesën e vendit”.

Papandreu pret solidaritetin komunitar

Papandreu ashtu si në mbledhjen qeveritare, ku la të hapur dhe mundësinë që Greqia t'i drejtohet FMN-së në bisedën e hapur me presidentin Papulias tha se tani qeveria e tij “pret solidaritetin komunitar, që është ana tjetër e marrëveshjes” dhe se “përgjegjësia është historike edhe nga ana e Evropës” me ndihmën, që duhet t'i ofrojë një pjesëtari të familjes evropiane.

Symbolbild Griechenland und die Europäische Union

Greqia dhe BE

Një ndihmë, për të cilën kartat mbahen të mbyllura nga Brukseli dhe pritet të ofrohet vetëm në rast se tregjet nuk binden për “kthesen greke” dhe do të vazhdojnë të kërkojnë kamata të larta kreditimi, që arrijnë në 7%.

“Hapim betejën kundër defiçitit të madh të kredibilitetit të vendit, të vendit që në sytë e kreditorëve të tij jo vetëm që nuk arrin të verë nën kontroll problemet e tij financiare, por deri para pak kohësh fshihte përmasat e defiçitit” tha nga ana e tij zëdhenësi i qeverisë, Jorgos Petallotis, i cili shpalli masat e kursimeve drastike si hapin e parë të një përpjekjeje, që do të ketë së shpejti dhe dimensionin e saj të rimëkëmbjes dhe zhvillimit ekonomik për daljen e vendit nga kriza. Shkurtime, shtim të koefiçentit të tatimeve, por edhe gërsherë në kompesimet e punonjësve të sektorit publik përbëjnë thelbin e masave të shpallura.

Griechenland Finanzkrise Steiks und Demonstrationen

Një pensionist përleshet me policinë

Pensionet e sektorit publik dhe privat “ngrijnë”, TVSH-ja rritet 2%, benzina 8 cent për litër, kompesimet reduktohen 12% dhe jo 10% dhe shkurtohen rreth 30% paga e 13-të dhe ajo e 14-të, kur prerja e plotë e tyre ishte shpallur si “vijë e kuqe” nga sindikatat, që pritet të reagojnë ashpër. Sot në Athinë ishin në grevë pensionistët, përveç grevës dyditëshe të taksive dhe më 16 mars punonjësit e sektorit publik, që së bashku me Konfederatën e Përgjithshme të Punonjësve të Greqisë dhe atë të majtë PAME i përgatisin qeverisë një “pranverë të nxehtë”.

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Angjelina Verbica

DW.COM

  • Data 03.03.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MIuq
  • Data 03.03.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MIuq