1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Grekët duan dëmshpërblim financiar për tmerret e luftës

Mund të kishte qenë kaq bukur në Greqi. Por për Presidentin Gauck vizita në Athinë nuk mund të quhet e qetë. Grekët duan para. Më saktë: reparacione lufte.

Vizita e Presidentit gjerman në Greqi është rënduar nga kërkesat e papritura masive greke. Vendi pritës kërkon reparacione për krimet e nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Presidenti grek Karolos Papulias gjatë një prezantimi të përbashkët me mikun nga Gjermania, kërkoi fillimin sa më shpejt të negociatave për zhdëmtimet. Gauck iu përgjigj Papulias se rruga juridike për këtë është e mbyllur. "Unë nuk do të prononcohem në lidhje me këtë. Dhe me siguri nuk do të them diçka të ndryshme nga ajo që ka deklaruar qeveria ime." Qeveria gjerman e sheh të mbyllur çështjen e zhdëmtimit për Greqinë.

Me fjalë të qarta Presidenti Papulias iu rikthye kërkesave për reparacione edhe gjatë banketit shtetëror në mbrëmje. "Lidhjet e mia të veçanta me Gjermaninë e bëjnë edhe më të vështirë të kuptoj refuzimin e qeverisë gjermane për të folur për temën e kredisë së detyruar gjatë pushtimit nazist dhe për reparacionet", deklaroi Papulias. Presidenti grek foli për një "temë të moralit politik".

Miliona, miliarda

Kjo "temë e moralit politik" rëndon prej dekadash mbi marrëdhëniet gjermano-grke, por ka dalë me forcë në plan të parë për shkak të gjendjes së mjeruar të financave greke gjatë krizës së euros. Krahas zhdëmtimeve për dëme materiale dhe jetë njerëzish, bëhet fjalë edhe për një kredi të detyruar, që Banka e Greqisë i pati dhënë Bankës së Rajhut në vitin 1942. Shuma e zhdëmtimit në Greqi vlerësohet deri në 160 miliardë euro, vetë kredia e detyruar disa miliarda euro. Vlera e kredisë ishte llogaritur nga nazistët në 1945 në 500 milionë marka të Rajhut.

Presidenti Papulias i cili ka studiuar dhe punuar në Köln, kritikon faktin që Greqisë i këkohet të zbatojë pa diskutime masa të dhimbshme për rimëkëmbjen e financave shtetërore. Nga ana tjetër Gjermania refuzon të diskutojë për obligime nga koha e Luftës së Dytë Botërore.

Presidenti gjerman gjatë banketit shtetëror nuk foli direkt për kërkesat për reparacione lufte, por shprehu keqardhje që krimet e regjimit nazist në Greqi dhe Gjermani kanë mbetur në masë të madhe të pazbuluara dhe "fatkeqësisht të pandëshkuara". "Jam i gëzuar që ne sot në Gjermani pyesim edhe një herë se çfarë rezulton nga përgjegjësia jonë politike dhe morale kundrejt Greqisë", deklaroi Gauck.