1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

"Great Game" i ri në Hindukush - Afganistani top loje i fuqive të mëdha

Afganistani gjendet në një rajon të pasur me lëndë të para, pasuritë nëntokësore të të cilit kanë zgjuar gjithnjë dëshirat e fuqive rajonale dhe botërore. Tani ka filluar një Great Game me aktorë kryesorë SHBA dhe Kinën.

Pasuri natyrore në Afganistan.

SHBA kanë zbuluar rezerva gjigante mineralesh në Afganistan.

Lëndët e para të Afganistanit mendohet të vlejnë disa bilionë dollarë. Shumë më lart vlerësohen burimet energjetike në shtete të tjera aziatikoqendrore (deri tani një copë e madhe torte, pjesërisht e paprekur).

Lufta për burimet e lëndëve të para

Irani, Pakistani, India, Rusia dhe para së gjithash SHBA-ja do të donin të kishin një copë të madhe të kësaj torte. Shumë ekspertë pajtohen për atë, se përtej luftës kundër terrorizmit në Afganistan ka edhe një luftë për burime.

Deri tani aksesi te burimet e lëndëve të para nuk është i rregulluar në masë të mjaftueshme, mendon Thomas Greven, docent privat i shkencave politike në Universitetin e Lirë të Berlinit:

"Në 'skenarin më të keq', pra kur mbërrihet në konflikt, nuk mjafton të kesh kontrata për shfrytëzimin e lëndëve të para. Aksesi te burimet e lëndëve të para duhet të jetë i siguruar nëpërmjet bazave ushtarake dhe bashkëpunimeve në politikën e sigurisë."

Rivalët e mëdhenj: SHBA dhe Kina

SHBA-ja dhe Kina konkurrojnë prej të paktën një dekade për burimet e lëndëve të para në botë. Të dyja vendet e dinë, se aksesi i drejtpërdrejtë te burimet energjetike vendos në lidhje me atë, se cili vend mund ta ruajë ose ta zgjerojë mirëqenien e tij. Ky Great Game i ri në Azinë Qendrore është pra edhe një luftë për atë, nëse shekulli i 21-të do të jetë kinez ose amerikan, mendon Thomas Greven.

SHBA e zemëruar: Kina siguron të drejtë e shfrytëzimit të minierës më të madhe të bakrit në Afganistan.

SHBA e zemëruar: Kina siguron të drejtë e shfrytëzimit të minierës më të madhe të bakrit në Afganistan.

Qeveria kineze ndjek prej vitesh një politikë ofensive "blerjeje" në Afganistan dhe në vende të tjera aziatikoqendrore. Për shembull Pekini siguroi të drejtat e shfrytëzimit për minierën më të madhe të bakrit në rajon në lindje të Afganistanit (duke zemëruar mjaft Uashingtonin). Çmimi: tre miliardë dollarë. Në rrugët, që ka ndërtuar SHBA-ja në Afganistan, do të qarkullojnë së shpejti në drejtim të Kinës kamionët e ngarkuar plot. Zyrtarisht Pekini refuzon të ketë ambicie prej fuqie të madhe në Afganistan dhe në rajon. Megjithatë, shumë vëzhgues besojnë, se Kina ka synimin, që së paku në Azi të jetë dominante. Jürgen Stetten, drejtor i departamentit për Azinë në Fondacionin Friedrich Ebert:

"Mendoj, se e vërteta gjendet diku në mes. Edhe sikur të donte, Kina nuk ia lejon dot vetes të mos jetë aktor gjeostrategjik. Dhe, sigurisht, kjo vlen edhe për rajone si Afganistani dhe për konfliktin e Afganistanit."

Faktor shqetësues për Kinën: prania ushtarake e SHBA-së në Afganistan

Deri tani Kina i shmanget përballjes së drejtpërdrejtë me SHBA-në. Fuqia e ardhshme botërore ndihet e kërcënuar masivisht prej pranisë së rreth 100.000 ushtarëve amerikanë fare pranë. Për këtë arsye, thotë Jürgen Stetten, planet e qeverisë amerikane për t'u angazhuar në Afganistan përtej vitit 2014, i shkaktojnë shqetësime të mëdha Kinës.

Afërsia me Pakistanin është për Kinën për disa arsye shumë e rëndësishme: Në njërën anë Pekini sheh te Islamabadi një aleat besnik kundrejt Indisë (rivalit të vet më të madh në rajon). Nga ana tjetër Kina beson, se me ndihmën e Republikës Islamike të Pakistanit mund t'i realizojë më mirë interesat e saj në Afganistan (veçanërisht pas tërheqjes së SHBA-së).

Autor: Ratbil Shamel / Elert Ajazaj

Redaktoi: E. Xhani