1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Gratë turke të indinjuara nga fjalimi i Erdoganit

Me refuzimin e barazisë së të drejtave, presidenti turk Erdogan është bërë shkas për hapjen e një debati të ashpër. Shoqatat e grave e akuzojnë për prapambetje dhe tërheqin vëmendjen për dhunën e vazhdueshme ndaj grave.

Mesa duket Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan nuk e vlerëson shumë barazinë gjinore. Një barazi e plotë mes burrit dhe gruas është "kundër natyrës", tha kryetari i shtetit turk të hënën, pikërisht në një konferencë për të drejtat e grave. Qënia e gruas dhe predispozita e saj fizike janë ndryshe nga ato të burrave. "Gratë nuk mund të lihen të bëjnë të njëjtën punë, siç ka ndodhur në të kaluarën nën regjimet komuniste", deklaroi Erdogan. Puna me lopatë nuk përputhet me natyrën e tyre të brishtë, tha ai. Aktivistet për të drejtat e grave dhe opozita reaguan me indinjatë. Ato e akuzuan ish-kryetarin e partisë konservatore në qeveri AKP për botëkuptim të prapambetur. Në Stamboll dhe Ankara aktivistet për të drejtat e grave bënë thirrje për mitingje proteste. Nga kritika ndaj Erdoganit lindi një debat për të drejtat e grave dhe vrasjet e grave në Turqi.

"Mendimet e tij janë të prapambetura dhe në asnjë mënyrë moderne. Si President ai nuk ka të drejtë të thotë diçka të tillë", kritikon Fikriye Yilmaz në bisedë me DW. Ajo bën pjesë në një organizatë që lufton kundër vrasjeve të grave.

Megjithëse në fjalimine tij Erdogan e dënoi qartë dhunën ndaj grave dhe e quajti në kundërshtim me fenë islame, tema po debatohet ashpër. Në Turqi vazhdimisht vriten gra nga burrat e tyre, tërheq vëmendjen koordinatorja e Unionit të Grave Turke, Sevna Somuncuoglu. Partia Demokratike e Popujve (HDP) i ka bërë tani thirrje Parlamentit të debatojë në një seancë të jashtëzakonshme dhunën kundër grave.

Somuncuoglu veç kësaj tërheq vëmendjen për neglizhimin e grave në shumë fusha. Sipas një renditjeje të Forumit të Ekonomisë Botërore për pabarazinë gjinore, Turqia gjendet në një nga vendet e fundit. "Mes grave dhe burrave ka një hendek të madh kudo, në shkolla, në rrugë, në vendin e punës, në parlament", numëron Somuncuoglu fushat në të cilat gratë janë në disfavor.

Të drejtat e grave shpesh vetëm në letër

Aktivistja e Unionit të Grave Turke ankohet se shumë të drejta të grave vërtet janë të përcaktuara në ligj por nuk zbatohen. Kjo përkeqësohet nga deklaratat e fundit të kreut të shtetit. "Në letër jemi në pozicion të mirë, por kur një president shprehet kështu, atëherë të gjithë ata, që duhet të zbatojnë ligjin, nuk do ta vrasin shumë mendjen", ankohet Somuncuoglu. "Çdo ditë ecim prapa."

Deputetja opozitare Nur Serter e akuzon ish kryeministrin Erdogan se me këndvështrimin e tij dogmatik po mbetet vendnumëro jashtë botës moderne. "Për të kuptuar se përse është kështu situata e grave në Turqi, mjafton të shohim Presidentin tonë. Mjaft më", deklaron politikania e Partisë Popullore Republikane (CHP) në mediet turke. Një bashkim i shoqatave të grave e akuzon Erdoganin se me deklaratat e tij ka shkelur të drejtën e përcaktuar në kushtetutë për barazinë gjinore si dhe marrëveshjet ndërkombëtare. Deklaratat e Presidentit kanë si synim të prapësojnë arritjet e lëvizjes së grave.

Kritikë për përcaktimin e gruas në rolin e nënës

Në kritika të ashpra ka hasur edhe vlerësimi i Erdoganit se detyra më e rëndësishme e gruas është roli i saj si nënë. Detyra si nënë është në përputhje me fenë islame, deklaroi kryetari i shtetit. Feministet nuk mund ta kuptojnë këtë, u shpreh Erdogan, i cili ka katër famijë. Ato e refuzojnë idenë e të qenit nënë. Edhe disa vite më parë Erdogan pati ngjallur pakënaqësi me kërkesën e tij që çdo grua turke të lindte të paktën tre fëmijë.

Këtë kufizim në rolin e nënës e refuzon kryetarja e "Shoqatës së Lëvizjeve të Grave Turke", Elif Logoglu. Gratë turke nuk kanë nevojë për mësime rreth të qenit nënë nga Presidenti. "Kjo nuk është ndonjë temë për të cilën nuk e kemi idenë" shprehet ajo me indinjatë. Por në temën e barazisë gjinore nuk bëhet fjalë për këtë. Edhe pyetja nëse gratë mund të kryejnë të njëjtën punë fizike si burrat nuk është relevante. Natyrisht që burrat dhe gratë kanë dallime fizike, thotë profesoresha dhe kryetarja e organizatës. "Por barazia gjinore që ka rëndësi është ajo para ligjit, në sistemin arsimor dhe të drejtësisë. Për këtë është fjala."

Me modelin e tij tradicional të gruas Presidenti turk nuk është i vetëm. Shumë burra në Turqi mendojnë si ai, thotë Somuncuoglu nga Unioni i Grave Turke. Erdogan me fjalimin e tij u ka dhënë atyre kurajë. Por aktivistja shprehet me nota luftarake: që në Perandorinë Osmane, para themelimit të Turqisë, gratë kanë kërkuar të drejtat e tyre. "Ne do të vazhdojmë", thotë ajo.