1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Graf Lambsdorff: Gjermania e mbështet Kosovën

Pa vendosjen e bazave të shëndosha në raportet me Kosovën, Serbia nuk ka perspektivë integrimi në BE, pohon për DW Nikolaus Graf Lambsdorff, I Ngarkuar për EJL, Turqinë dhe EFTA-n në Ministrinë e Jashtme gjermane.

Nikolaus Graf Lambsdorff thekson mbështetjen për Kosovën

Nikolaus Graf Lambsdorff thekson mbështetjen për Kosovën

DW: Zoti Lambsdorff, Kosova më nuk është nën mbikqyrjen e Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO), që do të thotë se ajo tani e ka marrë përgjegjësinë për vendin. Mendoni se Kosova është e pjekur për një vendim të tillë?

Nikolaus Graf Lambsdorff: Me rastin e marrjes së vendimit në Grupin Drejtues Ndërkombëtar është bërë fjalë së pari nëse ICO-ja e udhëhequr nga Pieter Feith i ka plotësuar të gjitha kushtet e mundura sipas planit të Ahtisaarit. Grupi ka konstatuar se me të vërtetë janë plotësuar kushtet e parapara. Por natyrisht që ne e dimë se disa kushte, si për shembull veriu i Kosovës, nuk janë plotësuar dhe ai nuk ka mundur t'i plotësojë ato. Grupi ka konstatuar që ICO-ja duhet të mbyllet dhe që të shpërbëhet vetë Grupi.

DW: Përveç Veriut Kosova ka dhe shumë probleme të tjera, si për shembull: gjendja e rëndë ekonomike, papunësia e lartë, korrupsioni, kriminaliteti i organizuar dhe shumë sfida të tjera. Mendoni se qeveria dhe institucionet e Kosovës janë në gjendje të përballen me këto sfida?

Nikolaus Graf Lambsdorff: Së pari duhet thënë se probleme të këtilla ka jo vetëm në Kosovë, por kanë dhe vendet e tjera të rajonit. Me të vërtetë mund të shtrohet pyetja nëse disa institucione janë të gatshme, e madje edhe nëse ato duan, të realizojnë të gjitha detyrat. Nuk duhet harruar se Kosova është e pavarur vetëm prej katër vjet e gjysmë. Institucionet janë shumë të reja dhe pa përvojë. Mund të konstatohet se shumë institucione në Kosovë, përfshirë këtu edhe Parlamentin, kanë plotësuar shumë kushte. Por njëkohësisht puna do të vazhdojë. Institucionet duhet të forcohen dhe të ndihmohen për të mbledhur përvojat e nevojshme, në mënyrë që në Kosovë të krijohet një shoqëri moderne, një shoqëri multietnike.

DW: Gjermania kaherë është e interesuar për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme në raportet mes Kosovës dhe Serbisë. Mendoni se mund të përmirësohen këto raporte?

Nikolaus Graf Lambsdorff: Është e vërtetë që Gjermania që nga fillimi është angazhuar në njërën anë të ndihmojë Kosovën dhe në anën tjetër të normalizojë raportet mes Kosovës dhe Serbisë. Normalizimi nuk është arritur ende. Ndaj ne do të vazhdojmë të mbetemi aktivë dhe i mbështesim përpjekjet e zonjës Ashton, e cila ka shprehur gatishmëri që personalisht të angazhohet në këtë çështje. Nuk mendoj se situata është tepër keq. Udhëheqësia e re në Beograd dhe udhëheqësia kosovare e dinë se zgjidhja e çështjeve kontestuese është në interesin e të dy vendeve dhe se këto çështje duhet të zgjidhen, nëse këto dy vende duan të shkojnë përpara.

DW:Kryetari i Parlamentit Evropian, Martin Schulz ka shkaktuar një valë të tërë reagimesh si në Prishtinë ashtu dhe në Beograd, me deklaratën e tij se Serbia duhet ta njohë Kosovën para futjes në Bashkimin Evropian. A jeni edhe ju të këtij mendimi dhe a kanë në fakt Serbia dhe Kosova perspektivë evropiane?

Nikolaus Graf Lambsdorff: Të dyja vendet – si Serbia ashtu edhe Kosova – kanë një perspektivë evropiane. Kjo do të thotë se këto dy vende mund të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian. Serbia nuk do të bëhet kurrë anëtare e BE pa e zgjidhur këtë problem. Këtu nuk flasim për njohjen e Republikës së Kosovës, por për vendosjen e raporteve mbi baza të qëndrueshme mes Prishtinës dhe Beogradit. Kjo bazë më pas duhet të mundësojë ngritjen e raporteve mes këtyre dy vendeve. Pra edhe një herë: këto dy vende, si edhe të gjitha vendet e rajonit kanë një perspektivë evropiane. Ndërkohë që të dy këto vende kanë deklaruar se duan të jenë pjesë e BE-së.

DW: T'i kthehemi edhe një herë veriut të Kosovës, i cili paraqitet si pengesa më e madhe në raportet mes Prishtinës dhe Beogradit. Si mund të zgjidhet ky problem?

Nikolaus Graf Lambsdorff: Këtu bëhet fjalë për një rajon të vogël me ndoshta 40.000 banorë. Në fakt bëhet fjalë për gjetjen e një zgjidhjeje më të mirë të mundshme për tejkalimin e këtij problemi. Ku qëndron problemi në fakt? Në Evropë ka modele të shumta për zgjidhjen e problemeve të ngjashme. Në qoftë se ekziston vullneti politik, ky është një problem teknik që duhet dhe që mund të zgjidhet. Por problemi duhet të zgjidhet. Ndryshe Serbia nuk ka kurrfarë shansesh të shkojë përpara në rrugën drejt integrimit në BE.

DW: Pra edhe një herë: Gjermania është angazhuar që nga fillimi në zgjidhjen e problemeve mes Kosovës dhe Serbisë dhe këtë rrugë do të vazhdojë, me qëllim që edhe këto vende të bëhen pjesë e BE-së?

Nikolaus Graf Lambsdorff: Absolutisht. Në qëndrimin e Gjermanisë nuk ka ndryshuar asgjë. Kushti është që të plotësohen detyrat e marra përsipër. Beogradi dhe Prishtina, por edhe vendet e tjera të rajonit, e dinë mirë se cilat janë këto detyra. Kushtet duhet të plotësohen dhe kjo është detyra kryesore e qeverive të vendeve të rajonit. Kjo vlen edhe për Serbinë dhe Kosovën. Por populli kosovar me siguri e di se Kosova është një mike e Republikës Federale Gjermane.

Intervistoi: Bahri Cani

Redaktoi: Auron Dodi