1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Gracka e çmimit të naftës

Rrallë ndonjëherë është folur kaq shumë për çmimin e naftës brenda një viti. Kjo nuk habit përballë rënies kaq drastike të tij. Perspektivë për përmirësim nuk duket. 2015 mund të jetë i trazuar, mendon Henrik Böhme.

Kudo ku nevojitet naftë, gëzimi është prej javësh i madh. Një furnizim i makinës kushton dukshëm më pak se në fillim të vitit dhe kush i mbush tani fuçitë e vajit për ngrohje, do të marrë një faturë më të mirë se një vit më parë. Ekspertët e sektorit të naftës kanë përllogaritur se vetëm në Gjermani pronarët e makinave kanë kursyer 5 miliardë euro për furnizim në krahasim me një vit më parë.

Paratë shpenzohen për gjëra të tjera, gjë që forcon kërkesën e brendshme. Kjo ka ndikim pozitiv edhe në koniunkturë. Edhe eksportuesit gjermanë kanë arsye për t'u gëzuar: meqenëse kursi i euros ka rënë ndjeshëm, mund t'i shesin më lirë produktet e tyre. Të gjitha këto kanë bërë që studiuesit e ekonomisë ta përmirësojnë parashikimin e tyre për rritjen ekonomike vitin e ardhshëm. A ndodhet Gjermania, dhe me të edhe Eurozona para një viti të mirë ekonomik 2015?

Gjasat janë të pakëta, nëse çmimi i naftës mbetet në këtë nivel të ulët. Që tani tregjet ndërkombëtare janë tejet nervoze. Ngritjet dhe uljet e forta në bursa gjatë javëve të kaluara janë një prej shenjave për këtë. Nëse çmimet vazhdojnë të bien, Eurozona mund të bjerë në një grackë të rrezikshme deflacioni. Në pritje të rënies së vazhdueshme të çmimeve njerëzit i shtyjnë blerjet e mëdha dhe firmat planet e tyre për investime. Kjo kërkesë në rënie çon në rënie të mëtejshme të çmimeve dhe në fund kërcënon një fazë e gjatë stanjacioni. Japonia, ekonomia e tretë më e madhe e botës, është një shembull paralajmërues për këtë.

Një tjetër vatër rreziku janë vendet prodhuese të naftës. Atje kërcënojnë trazira serioze p.sh. në Venezuelë dhe Rusi, të cilat janë më të varura nga të ardhurat prej naftës se vende të tjera. Sa i takon Rusisë, kokteji i sanksioneve dhe rënies së çmimit të naftës po tregon që tani efekte të forta. Valuta e vendit ka humbur vlerë në mënyrë drastike, largimi i kapitalit është në kulmin e tij dhe investitorët kanë humbur besimin tek ekonomia e vendit. Kush beson ende se një falimentin shtetëror i perandorisë së Putinit nuk do të kishte asnjë ndikim në Perëndim, gabon. Situata të kujton në mënyrë fatale krizën e fundit të madhe të vendeve në zhvillim të viteve 1990. Atëherë FMN dhe Banka Botërore u erdhën në ndihmë rusëve me shumë miliardë dollarë. Kjo për momentin nuk është realiste, për më tepër që atëherë paratë u zhdukën në kanale të errët.

Nëse Rusia nuk do të ishte më e aftë të shlyente detyrimet e saj, atëherë të gjitha parashikimet e bukura për koniunkturën duhej të rishikoheshin. Ashtu si në SHBA, gjithashtu një vend prodhues, që prej epokës së fracking madje pjesërisht fajtore për ofertën e tepër në tregjet e naftës dhe kështu edhe në rënien e çmimit. Por edhe këtu fshihet një rrezik i vërtetë. Sektori i fracking ka emetuar obligacione me interesa të lartë për financimin e teknologjisë së tij të shtrenjtë. Nëse firmat bien në falimentim dhe obligacionet nuk janë më në gjendje të paguajnë interesat, kjo mund të shkaktonte një rënie të fortë në tregjet financiare të ngjashme me atë të flluskës së imobiljeve në SHBA në 2008. E habitshme është që ministri saudit i naftës pranon për herë të parë hapur se janë të shqetësuar për pushtetin e tyre në treg. Nëse çmimi bie, atëherë le të bjerë. Kështu tingëllojnë deklaratat e luftës.

Deutsche Welle Wirtschaft Henrik Böhme

Redaktori i DW Henrik Böhme

Dhe sado i ulët të jetë për momentin çmimi i naftës, nuk është sinjal i mirë që modeli gllabërues i karburantit si Hummer nga GM përjeton aktualisht një kërkesë gjigante. Kjo na bën të harrojmë, që nafta është një lëndë e parë e kufizuar. Heq vëmendjen nga përpjekjet për forma më moderne motorësh dhe mënyra të reja furnizimi me energji.

Kështu mbetet të shpresohet që çmimi i naftës vitin e ardhshëm të marrë përsëri veten dhe të dalë nga niveli absurd i ulët. Nëse kjo nuk ndodh, dhe këtë tregojnë sinjalet për momentin, javët e fundit të paqeta të vitit 2014 nuk do të ishin veçse një paralajmërim për një vit të trazuar 2015.