1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

"Gozhda e fundit në arkivol"

Dekreti i fuqizimit të plotë (Ermächtigungsgesetz). Më 23 mars 1933 projektligji u miratua nga parlamenti gjerman i cili në këtë mënyrë ia kaloi pushtetin e tij Adolf Hitlerit.

default

Parlamenti gjerman (Rajhstag) në vitin 1933

„Rajhstagu i dorëzon pushtetin Adolf Hitlerit“ – shkruante tërë entuziazëm gazeta nacionalsocialiste „Völkischer Beobachter“ (Vëzhguesi popullor) një ditë mbasi parlamenti i atëhershëm miratoi çfuqizimin e pushtetit të tij. Në të vërtetë, më 23 mars 1933 – gati dy muaj mbasi Hitleri ishte emëruar kancelari i Rajhut, u varros demokracia dhe shteti ligjor. Rruga drejt shtetit nacionalsocialist tashmë ishte e hapur. „Ligji për heqjen e domosdoshmërisë së popullit dhe Rajhut" që njihet me emrin "akti i fuqizimit" kështu quhej ligji për të cilin do të votonin atë ditë parlamentarët. Me anë të këtij qeveria nën udhëheqjen e Adolf Hitlerit duhej të merrte kompetenca gati të pakufizuara: pra lejohej, që pa miratim të parlamentit dhe pa nënshkrimin e presidentit të Rajhut të nxirrte ligje, të ndryshonte kushtetutën ose të lidhte kontrata me vende të tjera. Se përse ky ligj për Hitlerin dhe vasalët e tij ishte kaq i rëndësishëm, një kohë kaq të shkurtër mbas fitores, këtë e shpjegon historiani Thomas Raithel nga Mynihu. „Ligji i fuqizimit për nacionalsocialistët ishte një lloj simboli i revolucionit kombëtar, një simbol për kapërcimin e demokracisë së Vajmarës. Me anë të këtij ligji, përballë elitave liberalo-konservatore në vend dhe opinionit të jashtëm, ata mund të ngjallnin përshtypjen se kalimi i pushtetit në dorë të nacionalsocialistëve ishte gjoja legal", sqaron Raithel. Për këtë ndryshim nevojiteshin dy të tretat e parlamentit, siç e parashikonte kushtetuta e Republikës së Vajmarës. Me disa hile procedurale Hitleri i kishte marrë masat që të sigurohej shumica e duhur. Kështu për shembull, 81 deputetët komunistë nuk ishin ftuar në seancën parlmaentare, mandatet e tyre ishin anuluar qysh në fillim të marsit. 26 parlamentarë socialdemokratë, në valën e përndjekjeve të para, ishin arrestuar ose ishin arratisur. Qendra konservatore që përbëhej nga disa parti ishte zbutur më parë në bisedime që kishin zgjatur me ditë, e që ishin një përzierje mes premtimeve dhe kërcënimeve. Si përfundim, forcat pronacionale dhe konservatore iu bashkuan pa asnjë përjashtim nazistëve. Në këtë mënyrë ata mendonin se do të kishin mundësi të ushtronin ndikim dhe të realizonin interesat e tyre, thotë Raithel: „Është një konglomerat iluzionesh, me shpresën se duke treguar një farë bashkëpunimi mund të parandalohej më e keqja. Kësaj klime të iluzionit dhe mashtrimit nga nacionalsocialistët vetë i shtohet edhe ajo e frikës dhe terrorit." Rezultati: 444 votuan për ligjin e fuqizimit: 94 kundër. Në një fjalim të guximshëm të kryetarit të atëhershëm të grupit parlamentar të socildemokratëve, Otto Wels, iu kundërvu Hitlerit: „Mbas përndjekjeve të bëra ndaj partisë socialdemokrate kohët e fundit, askush nuk mund të presë ose të kërkojë prej saj, që të votojë për këtë ligj. Kurrë më parë, që kur është krijuar Rajhstagu Gjerman, nuk është bllokuar kontrolli i çështjeve publike nga ana e të zgjedhurve të popullit në këtë masë siç po ndodh tani dhe siç do të ndodhë edhe më shumë me anë të ligjit të ri të fuqizimit. Një pushtet i tërë i përgjithshëm i qeverisë do të ketë pasoja edhe më të rënda me heqjen e lirisë së shtypit."
Otto Wels e mbylli fjalimin e tij me një „përshëndetje të ndjekurve dhe të shtypurve" – në muajt e marsit të vitit 1933 kishte filluar ndërtimi i kampit të parë të përqendrimit. Mbas zjarrit në Rajhstag në fund të shkurtit kishte filluar një valë e tmerrshme përndjekjesh kundër regjimit.
Gazeta naziste „Völkischer Beobachter“ shkruante e kënaqur: Hitleri tani mund të bëjë për katër vjet me radhë gjithçka për të shpëtuar Gjermaninë. Këtu bënte pjesë ndërtimi i një bashkësie popullore dhe "asgjësimi" i dhunës shkatërruese marksiste. Por nuk ishin vetëm katër vjet. Ligji i fuqizimit u zgjat disa herë, dhe mbeti në fuqi deri në vitin 1945.
E parë nga ditët e sotme, ky akt ishte varrosja përfundimtare e demokracisë. Thomas Raithel konkludon: „Ishte një gozhdë në arkivol, sepse me këtë përfundoi një proces i gjatë i demokracisë parlamentare. Pra mund të thuhet se ishte një gozhdë simbolike. Faktikisht, sistemi kishte vdekur që më parë. Hitleri mund ta kishte mënjanuar këtë sistem edhe pa ndihmën e ligjit të fuqizimit, por ai ishte një instrument për ta shitur nga jashtë me një fasadë legjitimiteti.
  • Data 23.03.2008
  • Autor Cornelia Rabitz
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/DSy9
  • Data 23.03.2008
  • Autor Cornelia Rabitz
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/DSy9