1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gostivari - test i ri për bashkëjetesën

2 Mars 2012

Pas vrasjes së dy të rinjve shqiptarë nga një polic maqedonas në Gostivar, filluan të dalin në sipërfaqe si ndjeshmëria ashtu dhe brishtësia e marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoni

https://p.dw.com/p/14E2U
Shqiptarët protestojnë në Gostivar
Shqiptarët protestojnë në GostivarFotografi: DW

Mirjana Maleska, profesoreshë e shkencave politike në Universitetin Shtul të Tetovës, vlerëson për Deutsche Wellen: "Nëse vrasja tragjike pas një zënke për parkim në Gostivar mund të kërcënojë sigurinë në vend, atëherë ne mund të shtrojmë me të drejtë pyetjen: çfarë kemi bërë ne ndërkohë? Me se dhe cilat janë prioritetet me të cilat mirret qeveria, politika dhe politikanët? Në shoqëri të tilla si kjo e Maqedonisë e cila 11 vjet më parë ka dalë nga një konflikt i armatosur, ndërtimi i besimit ndëretnik duhet të ketë gjithmonë prioritet. Kjo nuk duhet bërë vetëm sa për të përmbushur detyrimet që dalin nga marrëveshja e Ohrit, kjo nuk ka të bëjë vetëm me ndarjen e buxhetit dhe monumentet që ndërtojnë shqiptarët në anën e majtë të Vardarit të Shkupit dhe maqedonët në anën e djathtë. Ky është një shqetësim i përditshëm për njërën dhe palën tjetër. Përgjegjësia më e madhe për krijimin e një atmosfere të besimit dhe respektit të ndërsjellë i takon qeverisë, politikës dhe politikanëve. Maqedonasëve më shumë se shqiptarëve sepse një shtet demokratik vlerësohet në bazë të asaj se sillet shumica ndaj pakicës" vlerëson Maleska.

Xhama të thyera në protestë
Xhama të thyera në protestëFotografi: DW

Rrjetet sociale 'vlojnë'nga komentet mbi ngjarjen

Ne kërkuam mendimin e shumë qytetarëve si maqedonas, ashtu dhe shqiptarë për ngjarjen në qytetin e tyre. Por ata nuk deshën të shprehen në mikrofonin tonë. Por ndryshe nga deklaratat në hapësira publike dhe komunikimit fizik publik, në rrjetet sociale të internetit si Facebook, vlon nga komentet e lexuesve.

Profesori i Shkencave Politike në Universitetin FON të Shkupit Nazmi Maliqi sqaron: "Në Facebook mund të gjesh shkrime të tilla, të cilat jo vetëm që nuk dënojnë vrasjen e dy djemve të nacionalitetit shqiptar, por bëjnë të kundërtën...Të gjitha incidentet e kohëve të fundit nuk janë të rastit, ato janë pjesë e një politike e cila është duke u formuar në Maqedoni. Deklaratat publike të politikanëve ndikojnë ngjarjet në vend", nënvizon Maliqi.

Partia opozitare "Rilindja Demokratike Kombëtare", lider i së cilës është pikërisht kryetari i Bashkisë së Gostivarit, Rufi Osmani vlerëson se: "Vrasja është një ngjarje që ka edhe dimension multi-etnik, e cila mund të rrezikojë ekuilibrin e brishtë në mes të shqiptarëve dhe maqedonasve, jo vetëm në Gostivar por në të gjithë vendin". Partia dërgoi një apel publik "për të gjithë qytetarët, në veçanti qytetarët e Gostivarit, që të jenë gjakftohtë dhe të përmbahen nga çdo koment që do të nxiste urrejtje", duke vënë në dukje se "qytetarët shqiptarë kanë të drejtën legjitime për të shprehur zemërimin e tyre nëpërmjet protestave paqësore dhe demokratike. "

Vetëm një ditë pas deklaratës publike të Partisë së Rufi Osmanit ndodhi e kundërta: Në mitingun e djeshëm (01.02.) protestues në qendër të Gostivarit, në të cilën morrën pjesë disa mijëra shqiptarë u dëgjua një retorikë me fyerje kombëtare dhe urrejtje ndaj popullit maqedonas në përgjithësi dhe Maqedonisë si shtet. Në fund të protestave janë thyer dritaret e disa dyqaneve dhe firmave në qytet.

Rufi Osmani - kryetar i Bashkisë së Gostivarit
Rufi Osmani - kryetar i Bashkisë së GostivaritFotografi: DW/S.Toevski

Luajta me ndjenjat kombëtare garanton suksesin elektoral

Megjithatë profesoresha Maleska është kategorike: "Këto dhjetë vitet e fundit në praktikë kanë treguar se luajtja e qëllimshme me ndjenjat kombëtare të qytetarëve garantojnë suksesin elektoral dhe politikanët kanë manipuluar me të. Dorë për dorë me nacionalizmin shkon kufizimi i lirisë dhe përforcimi i stilit të sundimit autoritar. Si shoqëri, ne jemi duke ecur nëpër një teh të hollë, buzë greminës. Partneri në koalicionin qeverisës, BDI-ja është në një pozicion të palakmueshëm: të qëndrojë në pushtet dhe ngadalë të humbasë sipmatinë e elektoratit apo të largohet nga pushteti dhe të shkaktojë një krizë të thellë politike në vend. Këtë të dytën nuk e lejon bashkësia ndërkombëtare. Unë dyshoj se tek VMRO DPMNE dhe lideri i saj ekzisiton dëshira e vërtetë për bashkëjetesë... Nuk është e mjaftueshme vetëm ndarja e pushtetit në kuptimin e plotë të fjalës. Sistemi i ndarjes së pushtetit, e cila bazohet në një lloj marrëveshje mes elitave, mund të mbijetojë vetëm nëse elitat me të vërtetë shohin një të ardhme në një shtet të përbashkët. Por nëse ato fshehurazi punojnë kundër saj, ose nuk punojnë asgjë atëherë ndodhin manifestime të tilla të pakënaqësisë masive të shkaktuara nga tragjedia e cila ka mundur të ndodhë kudo".

Analisti politik nga shoqëria civile në Gostivar, Albert Musliu në miting paralajmëroi se "dy vrasjet mund të bëhen një gjenerator i shqetësimit të mëtejshëm të marrëdhënieve ndëretnike, të bashkëjetesës, në qoftë se institucionet nuk japin përgjigjen e duhur në mënyrë që vrasësi të marrë dënimin maksimal". Për Deutsche Wellen Musliu shton se "incidente të mëtejshme dhe pakënaqësitë në mesin e shqiptarëve" janë të mundshme nëse përgjigja nuk është "e shpejtë dhe adekuate".

Autorë: Sveto Toevski / Esat Ahmeti

Redaktoi: Auron Dodi