1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Gordon dhe Reeker vizitojnë Beogradin

Në Beograd arrijnë zyrtarë të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, ndihmësi i sekretares amerikane të Shtetit Philip Gordon dhe zëvendësi i tij, Philip Reeker.

Në foto, Tomisllav Nikoliq

Në foto, Tomisllav Nikoliq

Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Philip Reeker, po qëndron nga e marta (03.07.) për një vizitë në Serbi. Siç informojnë mediet serbe, qëllimi kryesor i vizitës është përpjekja për të bindur zyrtarët serbë për formimin e një koalicioni më të gjerë qeverisës. Në ditën e parë të vizitës Reeker ka biseduar me drejtuesit e Partisë Përparimtare (SNS), Partisë Socialiste (SPS), Rajonet e Bashkuara (URS) dhe të Liberal-demokratëve (LPD). Reeker është takuar edhe me presidentin e Serbisë, Tomisllav Nikoliq. Sipas fjalëve të Nikoliqit në takim është konfirmuar se Serbia do të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës  dhe se Departamenti amerikan i Shtetit do të jetë i gatshëm të bashkëpunojë me secilën qeveri, e cila do të zgjidhet nga Kuvendi Popullor i Serbisë. I pyetur nga mediet serbe, nëse ndoshta Reeker ka ardhur me disa kushte sekrete, që ndikojnë në formimin e një koalicioni të gjerë, Nikoliq tha: "Ndoshta me dikë tjetër. Kryetarit të shtetit nuk mund t'i sjellë askush kushte sekrete."

Mediet e Beogradit njoftojnë se takimi me mandatarin për formimin e qeverisë serbe Ivica Daçiq ka zgjatur mbi një orë e gjysmë. As Reeker, as Daçiq pas takimit nuk kane dashur të prononcohen për mediat. Daçiq më parë kishte deklaruar se është i bindur që qeveria e SHBA-ve nuk e ka për qëllim të përzihet në formimin e qeverisë së Serbisë. Ai ka theksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një prej partnerëve kryesorë të Serbisë dhe bëhet fjalë për përparimin e marrëdhënieve në mes të këtyre dy vendeve, "gjë që është dëshmuar edhe me angazhimin tim si ministër i Brendshëm gjatë katër viteve të kaluara".

Qëndrimi i Uashingtonit në favor të formimit të koalicionit të madh

Në foto, Philip Gordon

Në foto, Philip Gordon

Siç informon agjencia serbe e lajmeve Tanjug,  ambasada amerikane në Beograd ka theksuar se vizita e Reeker-it është pjesë e vizitave të tij të rregullta në rajon, ndërsa në Beograd ai ka ardhur me qëllim të bisedojë me shumë zyrtarë të qeverisë serbe dhe drejtuesit e partive politike. Mirëpo mediet e Beogradit kanë njoftuar se Philip Reeker e Philip Gordon, të dërguarit e sekretares amerikane të shtetit Hillary Clinton, do të qëndrojnë në Beograd në vizita të ndara, në mënyrë që me aktorët kryesorë politikë të bisedojnë për formimin e qeverisë së ardhshme serbe dhe të përcjellin qëndrimin e Uashingtonit në favor të formimit të koalicionit të madh ndërmjet Partisë Përparimtare (SNS) të Nikoliqit dhe demokratëve (DS) të Tadiqit. Mediat serbe shkruajnë se Uashingtoni thekson se situata jo e mirë ekonomike në vend mund t`i shtyjë socialistët dhe përparimtarët, nëse ata e formojnë qeverinë, që t`i kthehen populizmit dhe nacionalizmit, në mënyrë që vëmendjen ta vendosin në “çështje të mëdha kombëtare”, e para së gjithash në Kosovë.

Ndërkohë që Reeker përfundon të enjten (5.7.) vizitën në Beograd, ndihmës-sekretari amerikan i shtetit, Philip Gordon, vjen në Beograd më 8 dhe 9 korrik. Më pas ai do të vizitojë edhe disa vende të tjera të rajonit. Reeker herën e fundit ka qenë në Beograd në fund të janarit, ndërsa Gordon në qershor të vitit të kaluar.