1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Gorbaçov, Bush dhe Kol në Berlin - Tre ish burra shteti festojnë rënien e murit

Tre burra shteti që i dhanë formë kthesës në Evropë u takuan përsëri plot një javë përpara 20 vjetorit të rënies së murit të Berlinit. Presidenti gjerman Këler bëri thirrje të vazhdohet rruga e bashkimit evropian.

Gorbaçov, Bush dhe Kol në teatrin Friedrichstadtpalast në Berlin. 31.10.2009

Gorbaçov, Bush dhe Kol në teatrin Friedrichstadtpalast në Berlin. 31.10.2009

Ish kancelari gjerman Helmut Kol u shpreh se ndihej i gëzuar dhe mirënjohës që ishte një nga 1.800 të pranishmit në pallatin Friedriechstadt të mbushur plot, një teatër në ish Berlinin lindor. I gëzuar dhe mirënjohës që gjatë qeverisjes së tij u krijua një situatë në të cilën u bë i mundur ribashkimi gjerman. Dhe i gëzuar që tani në Berlin mund të takojë ish partnerët e tij nga ajo kohë, Xhorxh Bush të vjetrin dhe Mihail Gorbaçovin. Shkak ishte një aktivitet festiv për të cilin kishte bërë ftesë fondacioni kristian-demokrat Konrad Adenauer.

Ish kancelari Herlmut Kol gjatë aktivitetit të fondacionit Konrad Adenauer, 31.10.2009.

Ish kancelari Herlmut Kol gjatë aktivitetit të fondacionit Konrad Adenauer, 31.10.2009.

Kol: Bashkimi i Gjermanisë arsye historike për të qenë krenar

Deri një ditë përpara aktivitetit nuk ishte e sigurtë nëse takimi do të mbahej. Helmut Kol nuk e ka marrë veten plotësisht që prej një rrëzimi të rëndë një vit më parë, ai lëviz me karrige me rrota dhe ka vështirësi në të folur. Por një gjë ai donte ta thoshte: historia gjermane nuk ofron shumë raste për krenari, por ai e ka një arsye. Kol tha shprehimisht: "Nuk kam asnjë arsye më të mirë për të qenë krenar sesa për bashkimin gjerman."

Këler: të vazhdohet rruga për bashkimin evropian me përfshirjen e Rusisë dhe ish shteteve sovjetike

Më parë Presidenti Këler kishte vlerësuar në fjalimin e tij rolin e Bushit, Gorbaçovit dhe Kolit në kthesën paqësore: „Unë ju falenderoj në emër të gjemanëve dhe jam i sigurtë edhe në emër të të gjithë popujve të Evropës.“

Presidenti gjerman Horst Këler.

Presidenti gjerman Horst Këler.

Këler i bëri thirrje evropianëve të ecin në rrugë të reja për bashkimin e mëtejshëm të kontinentit. Bashkimi Evropian duhet të zhvillojë një partneritet gjithëevropian me Rusinë dhe shtetet e tjera të bashkësisë së shteteve të pavarura, GUS, pasuese të ish Bashkimit Sovjetik.

"Bashkimi Evropian dhe Rusia thjesht duhet t'ia vënë vetes detyrë një bashkëpunim të tillë. Zoti president Gorbaçov, i drejtohem edhe Rusisë, ju duhet t'ia vini këtë detyrë vetes", - tha Këler.

Gorbaçovi duke marrë si pikënisje mendimin e Këlerit u shpreh, se mundësitë që u ofruan pas Luftës së Ftohtë janë shfrytëzuar shumë pak. Ish kryetari sovjetik i shtetit shprehu keqardhje për rezervat që shtetet ende kanë ndaj njëri-tjetrit: "Ne duhet të kuptojmë se projekti evropian nuk mund të përfundojë me sukses mbi bazën e atmosferës antiruse dhe antiamerikane."

Ish presidenti Bush: të jemi po aq të kujdesshëm dhe largpamës në marrëveshjet për paqe sa jemi të vendosur në kryerjen e luftrave

Vitet kanë lënë gjurmë edhe tek Mihail Gorbaçovi. Me mundim i ngjit ai shkallët e podiumit. Dhe më i vjetri prej të treve, Xhorxh Bush i vjetri, ecën i mbështetur në shkop. Presidenti amerikan i kohës së rrëzimit të murit e vendosi këtë ngjarje në një kontekst të gjerë historik.

"Rrëzimi i murit dhe bashkimi i Gjermanisë brenda NATO-s i dhanë fund jo vetëm luftës së ftohtë dhe Luftës së Dytë Botërore, por së fundi edhe Luftës së Parë Botërore." - tha Bush.

Më në fund u shkulën rrënjët e liga të marrëveshjes së paqes të Versajës, e cila nxorri despotë dhe diktatura. "Ndoshta ajo që duhet të mësojmë është që të jemi po aq të kujdesshëm dhe largpamës në marrëveshjet për paqe sa jemi vigjilentë dhe të vendosur në kryerjen e luftrave." - tha Bush.

Fjalë largpamëse të një ish luftëtari të luftës botërore, të thëna në afërsi të ish murit të Berlinit.

Autor: Peter Stüzle / Eliana Xhani

Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi

  • Data 01.11.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KKD7
  • Data 01.11.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KKD7