1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Goran Rakiq fiton zgjedhjet në veri të Mitrovicës

Sipas rezultateve paraprake të publikuara nga KQZ, Goran Rakiq nga Nisma Qytetare Serbe, ka fituar në zgjedhjet e përsëritura për kryetar të komunës së veriut të Mitrovicës.

Goran Rakiq, nga Nisma Qytetare “Srpska”, e cila mbështetet nga qeveria e Beogradit, ka fituar shumicën e votave për kryetar të komunës së veriut të Mitrovicës. Zgjedhjet për kryetar të komunës së veriut u mbajtën të dielën ku pjesëmarrja e qytetarëve në votime sipas KQZ-së, ishte pak mbi 20%, nga rreth 29 mijë qytetarë sa kishin të drejtë vote. Sipas të dhënave paraprake të KQZ-së, Goran Rakiq, ka fituar 52.6 për qind të votave. I dyti renditet kandidati i Nismës Qytetare “Serbia, demokracia, drejtësia” Oliver Ivanoviq, me 27.7% të votave të fituara. Ivanoviq akoma gjendet në paraburgim i dyshuar të jetë i përfshrë në krime kundër civilëve menjëherë pas luftës në Kosovë.

Kandidatët shqiptarë Florent Azemi nga PDK dhe Musa Miftari, nga LDK, kanë marrë respektivisht 11% dhe 8.7% të votave. Misioni i Bashkimit Evropian për Polici dhe Drejtësi, EULEX, njofton se sipas vlerësimeve nga terreni, zgjedhjet për kryetar të komunës në pjesën veriore të Mitrovicës janë zhvilluar në një atmosferë të qetë pa incidente. “Jam shumë e kënaqur që zgjedhjet për kryetar të komunës së veriut janë mbajtur në mënyrë të rregullt dhe pa incidente. Unë dua të theksoj profesionalizmin e Policisë së Kosovës dhe të përsëris se bashkërendimi në mes të EULEX-it, PK-së, KFOR-it dhe OSBE-së ka qenë i shkëlqyeshëm”, thotë Joelle Vachter, ushtruese e detyrës së Shefit të Misionit EULEX.

Zgjedhjet për kryetar të komunës së veriut të Mitrovicës edhe kësaj radhe u lehtësuan nga OSBE-ja, e cila kishte pjesëtarët e saj në të gjitha vendvotimet. Kjo organizatë i lehtësoi zgjedhjet komunale në Kosovën veriore në pajtim me marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian mbi normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës të arritur në Bruksel në prill 2013. “Anëtarët e këshillave të vendvotimeve i kanë kryer detyrat e tyre me profesionalizëm dhe afro 100 pjesëtarë të OSBE-së ofruan ndihmën e nevojshme teknike. Për më tepër, ofruesit e sigurisë – Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i edhe njëherë u dëshmuan në nivel të detyrës duke ofruar një ambient të qetë zgjedhor dhe unë i falënderoj për punën e tyre të palodhshme”, shprehet shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jean-Claude Schlumberger.

Përfshirja e komunave veriore të Kosovës në zgjedhjet komunale u bë e mundur pas nënshkrimit të marrëveshjes së 19 prillit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve. Ndërsa, zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Mitrovicës së veriut, u ripërsëritën, pas heqjes dorë nga mandati i kryetarit të zgjedhur Krstimir Pantiqi, i cili kishte fituar në balotazh me 3 nëntor të vitit të shkuar.