1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Goran Bogdanoviq: Beogradi kundër pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhje

Beogradi sërish ka kërkuar prej serbëve të Kosovës që të bojkotojnë zgjedhjet parlamentare me shpjegimin se ende nuk janë plotësuar kushtet për dalje në votime. Bisedë me minsitrin serb për Kosovën Goran Bogdanoviq

default

Ndërtesa e qeverisë serbe në Beograd

DW: Çfarë prisni nga zgjedhjet parlamentare në Kosovë?

Bogdanoviq: Nuk pres asgjë të rëndësishme nga këto zgjedhje, në veçanti kur dihet se në skenën politike kanë mbetur edhe më tej subjektet e njëjta politike. Në Kosovë nuk është përmirësuar asgjë që nga të drejtat e njeriut e deri tek gjendja ekonomike, e cila është përkeqësuar. Prandaj është iluzion që të pritet diçka nga kjo elitë politike në Kosovë, nga njerëzit të cilët në retorikën e tyre ende kanë fjalët e viteve 90-të dhe më pas.

DW: Serbia ka kërkuar prej serbëve që të bojktojnë edhe këto zgjedhje. Por ju edhe vetë e keni thënë se pritet një pjesëmarrje më e madhe e tyre në zgjedhje. Cili do të jetë qëndrimi juaj ndaj atyre që marrin pjesë në votime?

Ata që janë në institucionet e Kosovës, nuk bëjnë asgjë për bashkësinë serbe

Bogdanoviq: Sa i përket serbëve të Kosovës ne kemi bërë një analizë serioze për pasojat e mundshme, para konstatimit se në prag të fillimit të dialogut, ende nuk janë pjekur kushtet për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje. Por gjatë bisedimeve me serbët e atjeshëm kam konstatuar se një pjesë e tyre do të dalë në zgjedhje, jo për të forcuar institucionet e Kosovës por për të zvogluar shanset e futjes në parlament të atyre që tani i prezantojnë serbët. Ata që janë tani në institucione kujdesen vetëm për interesat e tyre dhe familjet e veta dhe për asgjë tjetër, që paraqet disfatë të madhe për bashkësinë etnike serbe. Kjo mund të shihet edhe nga simptatitë e zotit Thaçi ndaj një opcioni politik, për të cilin zgjedhësit serbë, për fat të keq, nuk kanë ndonjë mendim të mirë. Kjo është dëshmuar gjatë katër viteve të fundit. Ata kanë bërë shumë pak vetëm në rrethinën e Graçanicës dhe asgjë tjetër.

DW: Por cili është motivi i atyre që tani duan të marrin pjesë në zgjedhje?

Bogdanoviq: Ata që tani duan të marrin pjesë në zgjedhje duan të jenë një forcë e re, e shëndoshë e cila do të përfaqsojë serbët, interesat e tyre dhe të Serbisë, nuk duam të lejojnë futjen në përdorim të tabelave kosovare dhe t'i detyrojnë serbët që t'i pranojnë ato, nuk do të lejojnë heqjen e rrjetit të telefonisë mobile. Të gjitha këto janë shkelje të të drejtave elementare të njeriut, bëhen në kundërshtim me vullnetin e shumicës serbe dhe në kundërshtim me vullnetin e Beogradit. Këto po bëhen në prag të fillimit të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. Qëllimi është ndoshta provokimi i Beogradit, por kjo nuk do të ketë sukses.

DW: Ju thatë se Beogradi ka bërë një analizë serioze dhe ka konstatuar se nuk janë pjekur kushtet për pjesëmarrje në zgjedhje. Për cilat kushte e keni fjalën?

Serbia nuk i bën thirrje serbëve të marrin pjesë në zgjedhje

Bogdanoviq: Serbia nuk e pranon këtë entitet të vetëshpallur, i cili ka shpallur pavarësinë. Bashkësia ndërkombëtare nuk ka bërë asgjë për krijimin e ambientit për mbajtjen e zgjedhjeve. Zgjedhjet nuk i ka shpallur OSBE-ja, UNMIK-u apo EULEX-i, por i ashtuquajturi Kuvendi i Kosovës, të cilin Republika e Serbisë dhe një numër i madh i serbëve nuk e njeh. Prandaj Beogradi nuk mund t'u bëjë thirrje serbëve për pjesëmarrje në zgjedhje për institucionet të cilat nuk i njeh.

DW: A është me rëndësi për Beogradin se kush do të fitojë në këto zgjedhje?

Bogdanoviq: Natyrisht që është më rëndësi. Ne me vëmendje e përcjellim skenën politike në Kosovë, në veçanti unë që jetoj atje. Në pushtet duhet të vijë një fuqi e re politike, sepse opcionet e deritanishme nuk kanë bërë asgjë për pajtimin dhe për realizimin e interesave të bashkësisë etnike serbe. Në pushtet duhet të vijë një forcë demokratike dhe pro evropiane, por jo pro evropiane me dhunë, që i bën gjërat vetëm kur detyrohet prej bashkësisë ndërkombëtare. Ne dëshirojmë që në pushtet të vijnë forca të reja, njerëz të rinj të cilët nuk janë të ngakuar me të kaluarën, që nuk kanë marrë pjesë në luftë, që nuk kanë ardhur prej shtabeve të ndryshme, por janë të gatshëm për bashkëjetesë dhe tolerancë. Shpresë ka, sepse në Kosovë po shihen shenjat e para të disa forcave me të cilët serbët me dëshirë do të bashkëpunonin dhe do të merrnin pjesë në disa procese.

DW: Cilat janë këto forca?

Bogdanoviq: Duke ditur se si është situata politike, në këtë moment nuk dua të flas mirë për askend. Sepse edhe tek ne në Serbi kemi një situatë, që kur dikush flet mirë për ndonjë subjekt apo lider politik shqiptar, menjëherë kjo bëhet kontraproduktive. Në veçanti tani kur kemi të bëjmë me fushatën elektorale, nuk dua të emërojë këta liderë politkë.

Dialogu Beograd-Prishtinë menjëherë pas zgjedhjeve

DW: Kur pritet fillimi i dialogut me Prishtinën?

Bogdanoviq: Sa i përket Beogradit ne jemi të gatshëm që dialogu të fillojë nesër. Mendoj se procesi nuk është dashur të zvarritet kaq shumë pas rezolutës së OKB-së. Duhet të ulemi sa më parë pranë tavolinës dhe të fillojmë me zgjidhjen e problemeve të përditshme të cilat ngarkojnë të dy palët - serbët dhe shqiptarët. Ne jemi të gatshëm, e kemi caktuar delegacionin për negociata dhe po presim thirrjen nga Brukseli që të ulemi dhe të bisedojmë. Për fat të keq pala shqiptare ende nuk ka bërë asgjë për tu futur në këtë proces. Pres që shumë shpejt pas zgjedhjeve të mbahet takimi i parë ku të vendoset për temat që duhet të bisedojmë. Mirëpo ne mund të presim edhe krijimin e qeverisë dhe të fillojmë një dialog serioz.

DW: Për cilat çështje do të bisedohet dhe a do të hapet edhe çështja e statusit të Kosovës?

Bogdanoviq: Do të bisedohet patjetër për të gjitha problemet që ekzistojnë në Kosovë, duke u nisur nga personat e rrëmbyer dhe të pagjetur, telekomunikimi, transporti, energjia elektrike... por të gjitha këto tema do të ngarkohen edhe me çështjen e statusit. Prandaj nuk mund të evitohen negociatat për statusin, sepse statusi i Kosovës për Serbinë nuk është një çështje e mbyllur. Ne me siguri që do të insistojmë të bisedohet edhe për statusin.

Statusi i Kosovës për Beogradin ende i pazgjidhur

DW: Pala shqiptare dhe shumë faktorë ndërkombëtarë pohojnë se çështja e statusit është e mbyllur, ndërsa ju kërkoni hapjen e kësaj çështjeje. Me këto pozicione kompromisi duket e pamundur?

Bogdanoviq: Nuk janë këto pozicionet e palëve, sepse ne jemi fleksibël dhe pragmatik. Ne kemi pranuar të bisedojmë për të gjitha çështjet dhe nuk kemi thënë që duhet të bisedohet për statusin dhe asgjë tjetër. E dyta, mendoj se gjithnjë e më shumë intelektualë dhe liderë shqiptarë po e kuptojmë se pa pëlqimin dhe pa njohjen prej Serbisë, statusi i Kosovës nuk është i zgjidhur, se do të ketë tensione dhe nuk do të ketë pajtim. Ky është një rast i mirë që një herë e përgjithmonë t'i zgjidhim kontliktet që ekzistojnë me shekuj të tërë. Ne jemi të gatshëm për kompromis, por jo në dëm të popullit dhe shtetit serb.

DW: Pasi që Serbia nuk do ta njoh kurrë pavarësinë e Kosovës, siç thoni Ju, a mendoni ndoshta që shqiptarët do të pranojnë të rikthehen nën pushtetin e Serbisë?

Bogdanoviq: Jo, jo, jo... nuk do të thotë që nëse Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, shqiptarët duhet të jenë nën pushtetin e Serbisë. Ka modalitete të tjera të shumta se si mund të arrihet ndonjë kompromis i pranueshëm për të dy palët. Nuk duhet të jetojmë në iluzione se shqiptarët do të kthehen nën pushtetin e Serbisë, por edhe Prishtina duhet ta ketë të qartë se pa marrë parasysh nivelin e presioneve, serbët nuk do të intergrohen në shoqërinë kosovare. Në veçanti veriu i Kosovës ku institucionet e Kosovës kurrë nuk kanë mundur të funksionojnë. Kjo mund të bëhet me dhunë si dikur, por kjo do të kthehej si bumerang. Kujtoni vetëm kohën e Millosheviqit, i cili ka bërë çka ka bërë dhe ka ndodhur siç ka ndodhur. Prandaj duhet gjetur një zgjidhje e pranueshme për të dyja palët.

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi

  • Data 08.12.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/QTa6
  • Data 08.12.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/QTa6