1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Goditje tjetër kundër "Agimit të Artë"

Janis Papadimitriou/Lindita Arapi21 Shkurt 2014

Drejtësia greke kërkon heqjen e imunitetit të të gjithë deputetëve të partisë neonaziste "Agimi i Artë", që deri më tani i kishin shpëtuar hetimeve. Ekstremistët ëndërrojnë të hyjnë në Parlamentin Europian.

https://p.dw.com/p/1BDLd
Fotografi: Reuters

Kërkesën përkatëse, e cila ka shumë gjasa të merret parasysh, e kishin drejtuar hetuesit përgjegjës të enjten (20.02) në parlamentin grek. Tanimë në shënjestër të drejtësisë janë vënë edhe nëntë deputetë të tjerë të partisë ekstremiste të djathtë, "Agimi i Artë", e cila përfaqësohet me 18 deputetë në parlamentin e Athinës. Ka disa muaj që kundër pjesës tjetër të deputetëve po zhvillohen hetime. Shkak për aktivizimin e drejtësisë u bë vrasja e një muzikanti dhe aktivisti të majtë në shtator 2013.

Përkrahës të "Agimit të Artë" demonstrojnë në Athinë
Përkrahës të "Agimit të Artë" demonstrojnë në AthinëFotografi: ap

Pasi autori i dyshuar ishte paraqitur si anëtar i "Agimit të Artë", u arrestuan kreu i partisë, Nikos Mihaloliakos, zëdhënësi i partisë, Ilias Kasidiaris, kreu i propagandës Kristos Papas dhe pesë eksponentë të tjerë të neonazistëve grekë. Ata akuzohen për pjesëmarrje në një "organizatë kriminale". Hetimet vazhdojnë me intensitet, por jo pa surpriza: Në tetor u liruan me kusht deri në fillimin e gjyqit Kasidiaris dhe dy kolegë të partisë së tij.

Por tani drejtësia po përgatitet për goditjen e re, mendon reporterja e gjyqit, Ioana Mandrou në televeizionin Skai. "Nëntë deputetë të kësaj partie, të cilët deri më tani nuk ishin prekur, do të përgjigjen po ashtu për pjesëmarrje në një organizatë kriminale. Edhe parlamentarë të tjerë, të cilët janë deri më tani në lirim me kusht do të përballen me akuzat penale. Gati i gjithë grupi parlamentar ndodhet nën akuzë."

Zgjedhjet europiane dhe "Agimi i Artë"

Në zgjedhjet e qershorit 2012 "Agimi i Artë" mori 7% të votave duke u futur në parlamentin grek. Sipas sondazheve kjo parti renditet fuqia e tretë ne vend dhe shpreson që në zgjedhjet për Europën të hyjë në Parlamentin Europian. Nga ana tjetër krerët e kësaj partie përpiqen të fitojnë zgjedhësit për zgjedhjet komunale, që zhvillohen paralelisht me ato europiane. Zëdhënësi i partisë, Kasidiaris, ka bërë të ditur kandidaturën e tij për kreun e bashkisë së Athinës.

Logo e partisë "Agimi i Artë"
Logo e partisë "Agimi i Artë"Fotografi: dpa/Art of Focus

Por për shkak të hetimeve në vijim, kandidatët e kësaj partie mund të përjashtohen nga të gjitha zgjedhjet, beson Ioanna Mandour. Ligji grek nuk parashikon ndalimin e futjes në garën zgjedhore, por Gjykata e Lartë Greke (Areopag) duhet të vendosë në kohën e duhur se kush lejohet të marrë pjesë në zgjedhje e kush jo. Agimi i Artë me hetimet aktuale nuk duket se do të marrë përgjigje pozitive.

Për të marrë pjesë në zgjedhjet europiane, ekstremistët e djathtë kanë krijuar një parti manovër. Në rast të ndalimit të "Agimit të Artë" u krijua grupimi i ri politik "Agimi Kombëtar i Artë" për të marrë pjesë në zgjedhje dhe për t'iu ofrouar "patriotëve" një alternativë politike, deklaroi zëdhënësi Kasidiaris në fund të janarit.

Fantazi pushteti të ekstremistëve të djathtë

Kasidiaris është madje i mendimit se partia e tij ka shanse të mëdha: Shpesh ai i referohet sondazheve sekrete, të cilave iu tremben politikanët e njohur të Athinës dhe që bëjnë të qartë se "Agimi i Artë" është ngjitur tashmë në partinë më të fuqishme greke. Kasidiaris akuzon mediat se duan "të fshehin të vërtetën".

Nikos Mihaloliakos dërgohet në hetuesi
Nikos Mihaloliakos dërgohet në hetuesiFotografi: picture-alliance/AP

Që në fillim të tetorit kryeministri grek, Antonis Samaras, u shpreh optimist për valën e arrestimeve në partinë neonaziste dhe deklaroi gjatë një vizite në SHBA se do "t'i shtypë" ekstremistët e djathtë. Ndërkohë kryeministri konservator po shprehet më i përmbajtur. Analistët mendojnë se pas kësaj fshihet një taktikë. Qeveria nuk do që një çështje juridike të mvishet me petkun e luftës politike, pasi kjo do të shtonte simpatitë për "Agimin e Artë". Edhe pa këtë ata përpiqen ta paraqesin veten si të përndjekur politikisht.