1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Goditje për dinjitetin grek?

Aktivizimi i mekanizmit të ndihmës financiare për Greqinë, u prit në Athinë me reagime të ndryshme politike. Edhe me një ndjenjë dëshpërimi, sepse opinion e përjetoi këtë si një “dështim kombëtar”.

Kryeministri grek Papandreou

Kryeministri grek Papandreou

Me aktivizimin e mekanizmit të ndihmës financiare pas deklaratës dramatike të së premtes të vetë kryeministrit grek Papandreu, për Greqinë u hodhën zaret e përballjes me një realitet të ri dhe tejet të vështirë ekonomik. Që sot dhe për 4 ndoshta dhe 5 vjet, siç i kërkohet, Greqia do të jetë nën mbikqyrjen e ngushtë ose më saktë tutelën e eurozonës, por edhe të FMN-së për zbatimin e një programi masash të rrepta finaciare, por edhe reformash të thella që do të kushtëzojnë edhe disbursimin e fondeve të ndihmës, që vetëm për sivjet përllogariten në 30 miliardë euro.

“Të gjithë, qeveria aktuale dhe populli grek, trashëguam një anije gati për t'u fundosur, një vend pa autoritet dhe kredibilitet, që kishte humbur besimin e miqve dhe të partnerëve të tij” deklaroi Papandreu, i cili gjatë vizitës së tij fundjavën në ishullin Rodos nuk nguroi të flasë për fazën e “sovranitetit të kufizuar”, në të cilin hyn vendi.

Asnjë nuk dyshon më për këtë gjë, sigurisht edhe opozita, që dështimin ndërkohë ia faturon në radhë të parë qeverisë. Jo vetëm kreu i opozitës së djathtë Samaras, që duhet ta reformojë dhe ta mbajë të bashkuar partinë dhe deklaroi se “kriza e kreditimit është arritje personale e PASOK-ut”. “Kryeministri pohoi disfatën e Greqisë dhe disfatën e tij në luftën kundër krizës ekonomike” deklaroi edhe kreu nacionalist Karaxhaferis, që flet “për gjendje lufte” dhe kërkon sakrifica nga të gjithë, me qëllim që të shpëtohet vendi nga falimentimi. Sa për të majtën, në qoftë se Partia Komuniste e cilëson “akt kriminal” aktivizimin e mekanizmit dhe bën apel për rezistencë popullore, ajo e majtë Sinaspismos kërkon plebishit. “Mbajtja e një plebishiti për dalje të menjëhershme nga mekanizmi i FMN-së është rrugëdalja e vetme demokratike për vendin”, deklaroi kreu i partisë së majtë SIRIZA Aleksis Cipras, që kërkon njëkohësisht të pezullohen pagesat ndaj kreditorëve dhe të negociohet sërish borxhi.

Me një ndjenjë pezmatimi të thellë, por edhe pasigurie për të ardhmen u prit vendimi nga ana e njerëzve të mundit dhe të djersës, të cilët do të vuajnë edhe pasojat më të mëdha të “modelit të zhvillimit” të FMN-së. “Shembje e vendit. Të gjithë qytetarët po zhgënjehen, po shkojmë nga një e keqe në një të keqe tjetër më të madhe”, thotë një qytetar. “Lirimet nga puna janë fakt tashmë. Sot gruaja ime ka ditën e saj të fundit të punës. Unë jam ndërtues dhe kam dy vjet pa punë,” thotë një tjetër duke mbajtur fort prej dore fëmijën e tij të vogël, si për ta mbrojtur nga pasiguria e së nesërmes. Më kot kreu i FMN-së, Dominik Stros Kan mundohet të qetësojë grekët se roli i organizmit të tij është “konsulent” dhe “s'kanë pse të kenë frikë”.

“Është një goditje për ekonominë dhe dinjitetin politik të vendit” thotë edhe presidenti i Konfederatës Kombëtare të Tregtisë Greke, Vasilis Kroqidis, që bën apel ndërkohë gjithçka të shihet “si një pikënisje e re nga stanjacioni në një realitet të ri që nuk e njohim”. Shkurtim pagash dhe pensionesh, lirime pa kufizim nga puna dhe më shumë vite për pension, që të gjithë druhen se do të përfshijnë dhe sektorin privat, është imazhi që kanë njerëzit për “paketën e ndihmës”. Ekspertët e “trojkës”, që do të jenë dhe për gjithë këtë javë në Athinë, e dëshmojnë më së miri me propozimet e tyre për paketën e masave që do të aprovohet.

Por si i bëhet që një mekanizëm që shpëton vendin, qoftë edhe përkohësisht, nga laku i borxheve, përjetohet si një “disfatë kombëtare”? “ Kjo ndodh se FMN-ja është demonizuar në jetën politike të vendit” thotë për DW-në analisti grek, Tasos Papas. “Jo pa të drejtë”, shton, “pasi kudo ku ka shkuar ka krijuar shumë probleme të cilat qytetari grek ka frikë se do të vijnë edhe këtu”. Sistemi politik, sipas tij, dështoi të kultivojë bindjen se duhen vetëm “2-3 vjet sakrifica” dhe ekspertë të ndryshëm përllogarisin një 10-vjeçar për dalje nga kriza.

Ndryshimi që sjell kriza është kapital dhe njëkohësisht i thjeshtë siç e shpjegon me mënyrën e vet nënkryetari i qeverisë Pangallos: “Duhet të mësojmë dhe të jetojmë ndryshe, tani sigurojmë më parë paratë dhe më pas shohim se çmund të bëjmë”. Pra, aq sa mban xhepi.

Autor: Niko Anagnosti/Athinë

Redaktoi: Auron Dodi

DW.COM

  • Data 26.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/N6kT
  • Data 26.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/N6kT