1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Goditje e rëndë prapaktheu - Mbyllet samiti për klimën në Kopenhagë

Pas 12 ditësh negociata konferenca botërore për klimën në Kopenhagë i shpëtoi për pak dështimit. Në luftën kundër ndryshimit të klimës nuk pati përparime.

default

Henrik Böhme, gazetar i DW-së

Mënyra se si u zhvillua konferenca e klimës dy vjet më parë në Bali ishte dramatike. Në fund pati një orar për arritjen e një marrëveshjeje të re për klimën, ajo do të nënshkruhej në dhjetor 2009 në Kopenhagë. Ky ishte plani, por që pak muaj para konferencës në kryeqytetin danez ishte e qartë: Nuk do të kishte një marrëveshje të tillë. Për të shpëtuar diçka, gjithnjë e më shumë kryetarë shtetesh dhe qeverishë nga e gjithë bota vendosen të udhëtonin për në Kopenhagë. Në këtë mënyrë COP 15-a, siç quhet konferenca në zhargonin e OKB-së, u kthye në një samit të botëve, në një konferencë gjigante, e cila përkohësisht rrezikonte të mbytej për arsye të gjendjes së saj kaotike. Matur me produktin përfundimtar duhet thënë: Ky udhëtim nuk kishte pse të zhvillohej.

Kopenhaga ishte një konferencë e çuditshme: Të gjithë, vërtet të gjithë pajtoheshin për atë se duhet bërë diçka kundër ndryshimit të klimës. Vazhdimisht u përmend objektivi i rritjes së temperaturës me dy gradë. Për të qenë ende të kontrollueshme pasojat e ndryshimit të klimës atmosfera nuk duhet të ngrohet më shumë se kaq në dekadat që vijnë. Por në çastin kur gjërat duhet të konkretizoheshin, puna u vështirësua. Kinezët nuk duan të kenë kontrollorë në vend, evropianët nuk duan ta rrisin objektivin e uljes së nivelit të dioksidit të karbonit, amerikanët nuk bëjnë aq shumë përpara. Afrikanët donin shumë më tepër para, por e kanë problem të premtojnë transparencë lidhur me mënyrën se si do të shpenzohen ato. Në fund kërcënon bllokada e plotë. Për të mos u kthyer fare duarbosh në shtëpi u arrit një marrëveshje pa fryte. Por kaq i mjaftoi Obamës për ta quajtur marrëveshjen "të pashembullt". Kjo në një kohë që të tria faqet e saj në mënyrë të pashmbullt lenë mjaft për të dëshiruar. Në to nuk ka asnjë gjurmë rregullash të detyrueshme. Në fund dështimi i plotë i takimit u shmang vetëm me anë të trukimit.

Përfundimi i takimit të Kopenhagës do ta zgjerojë hendekun midis Veriut dhe Jugut. Konferenca si kjo janë një rast unik për vendet në zhvilim që të tërheqin vëmendjen para syve të opinionit botëror tek problemet e tyre. Ato e bënë atë këtë herë me një vetëbesim që të linte përshtypje. Kjo sepse në qendrën "Bella Center" bëhej fjalë më shumë sesa vetëm për klimën. Bëhej fjalë edhe për ndarjen e ardhshme të pushtetit, për siguri dhe qëndreushmëri në botë. Problemet e këtij planeti mund të shiheshin në ato 70.000 metër katrorë të qendrës së takimit si me lupë.

Për presidentin amerikan Barack Obama Kopenhaga është përfundimisht një adresë jo e mirë: Disa javë më parë ai dështoi këtu me kandidimin olimpik të Çikagos. Tani ai erdhi si shpresë e shpëtimtarëve të klimës dhe dështoi sërish. Fjalimi i tij ishte i mirë, por të tjerë si ai i presidentit të Brazilit Lula ishin më të mirë. Angazhimi i Obamës ishte i mirë, por jo aq i mirë sa duhej. Udhëheqje nuk mund të dalloje shumë.

Por si vazhdohet tani me politikën e klimës? Pas Kopenhagës është cënuar rëndë besimi i krijuar me vështirësi midis vendeve të industrializuara dhe atyre në zhvillim. Tani ka vetëm një mundësi të vetme: Vendet e pasura, dhe fundja pjesa dërrmuese e gazrave të efektit serë prodhohen prej tyre, duhet të vihen në ballë të lëvizjes pa u vendosur gjithnjë kushte të tjerëve. Ato nuk mund të flasin gjithmonë për ndarje barre, por duhet edhe ta praktikojnë atë. Në Kopenhagë është humbur një rast i jashtëzakonshëm. Bashkësia ndërkombëtare mund të kishte treguar se është e aftë për veprim. Ai mund të ishte bërë shembull për shumë probleme të tjera, që ende duhet të zgjidhen. Luftimi i varfërisë për shembull.

Politika për klimën ka lëvizur përpara vetëm me milimetra në dy dekadat e kaluara. Kopenhaga e hodhi prapa me metra. Procesi i Kiotos nuk ka vdekur ende, por suksesi i arritur në vitin 1997 në konferencën në qytetin perandorak japonez duket se nuk është më i mundshëm pas përvojës së ditëve të fundit. Kjo shpresë vdiq në Kopenhagë.

Autor i komentit: Henrik Böhme

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora

  • Data 20.12.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/L9LP
  • Data 20.12.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/L9LP