1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Goditje e rëndë për Obamën - fitore e madhe për republikanët

Me zgjedhjet në Masaçusets demokratët humbën shumicën në senat. Goditje kjo e rëndë për Obamën, sepse reforma në shëndetësi është tani në rrezik të dështojë.

Senatori Scott Brown fitoi zgjedhjet në Masaçusets.

Senatori Scott Brown fitoi zgjedhjet në Masaçusets.

Në përvjetorin e parë pas dhënies së betimit si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama pësoi një disfatë të rëndë: demokratët humbën të martën (19.01.) zgjedhjet për postin e senatorit në shtetin federal Masaçusets. Në këtë mënyrë demokratët humbën shumicën në senat. Obama është "i befasuar dhe i frustruar" nga rezultati, sqaroi Shtëpia e Bardhë. Republikanët kanë tani një epërsi minimale në senat me të cilën mund të bllokojnë çdo inisiativë ligjore të Obamës - si për shembull reformat në shëndetësi.

Ithtarët e fituesit republikan Scott Brown gati sa nuk fluturonin prej gëzimit: kandidati i tyre ia doli mbanë! Scott Brown fitoi vendin në senat të senatorit demokrat që ndërroi jetw gjatë verës, ikonës së madhe të demokratëve, Ted Kennedy-t. Dhe fitorja arrihet pikërisht në Masaçusetsin liberal. Ka më shumë se 30 vjet që në senatin amerikan nga ky shtet federal nuk kishte asnjë republikan.

Obama është i befasuar dhe i frustruar nga rezultati në Masaçusets.

Obama është "i befasuar dhe i frustruar" nga rezultati në Masaçusets.

Por përkushtimi i palodhur i solli fitoren kandidatit republikan Brown: "Kur kam filluar jam lutur shumë për ndihmë. Kjo për shkak se unë e dija që është një luftë, unë kundër makinerisë. Por e kisha gabim, ishim ne të gjithë kundër makinerisë".

Kur përmend makinerinë, Brown e ka fjalën për politikanët në Uashington, për demokratët dhe Presdientin Obama dhe para së gjithash për reformën e sistemit shëndetësor të Obamës. Një çështje, të cilën e kishte shumë për zemër paraardhësi i Brown-it në senat, i ndjeri Ted Kennedy. Republikani Brown e ktheu zgjedhjen e tij në një referendum popullor për këtë reformë. "Unë jam i gatshëm, pa vonuar që të shkoj në Uashington".

Fitorja e republikanit Brown është disfata më e rëndë e Presidentit Obama që prej ardhjes së tij në pushtet, para një viti. Kjo për faktin se nga mbrëmja e djeshme demokratët kanë humbur shumicën superiore në senatin amerikan. Me Scoot Brown-in nga Masaçusetsi republikanët arritën të sigurojnë një pakicë bllokuese me të cilën mund të vonojnë apo ta bllokojnë reformën në shëndetësi të Presidentit Obama. Tani mbetet çështje e hapur se si do të vazhdohet me këtë reformë.

Senati amerikan

Demokratët humbën shumicën në senat.

Fitorja e republikanëve në Masaçusets ka të bëj ndoshta edhe me faktin që demokratët kishin një kandidate të dobët, prokuroren e përgjithshme të atij shteti, Martha Coakley: "Unë do të vlerësoj me sinqeritetin më të madh rezultatin tim. Ne do të jemi shumë të sinqertë me vlerësimin e kësaj fushate elektorale".

Vetëm para disa javësh anketat e ndryshme e nxirrnin Coakleyn me 30 pikë para republikanit Scott Brown. Në fundjavë Obama u përfshi edhe njëherë personalisht në fushatën elektorale dhe udhëtoi për në Masaçusets për të mbështetur kandidaten demokrate. Obama e e ka thirrur atë ndërkohë, sqaroi Coakley para mbështetsve të saj të dëshpruar. "Ai më tha, ti nuk mund të fitosh gjithnjë dhe askush nuk e di më mirë këtë se ai".

David Gurgan, një këshilltar i presidentëve Richard Nixon, Ronald Reagan dhe Bill Clinton u tërhoqi vërejtjen demokratëve që mos ta hedhin fajin e humbjes vetëm tek kandidatja e dobët. Për kanalin televiziv CNN ai tha se: "Ky interpretim do të shkatërronte demokratët. Ky është edhe një mesazh për Uashingtonin. Njerëzit në Masaçusets, në një prej shteteve më demokratike nuk e duan drejtimin e Uashingtonit".

Autor : Anna Engelke / Esat Ahmeti

Redaktoi : Aida Cama

  • Data 20.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LbYH
  • Data 20.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LbYH