1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Goditja e befasishme e Merkelit - një spastrim politik i rrugës

Besimi është një monedhë e shtrenjtë në kohë të vështira. Angela Merkeli e gëzon këtë besim te zgjedhësit. Por një besim kaq të thellë nuk e kish pritur askush. Volker Wagener komenton:

default

Vetëm eksperimente jo. Aq më pak në krizë. Kur kështu mendojnë shumë vetë dhe kur veprojnë në përputhje me këtë në kabinën e votimit, atëherë fitorja kthehet në triumf. Gati tetë përqind rritje për CDU-në dhe Angela Merkelin, FDP-ja si partner koalicioni e copëtuar, E Majta dhe Të Gjelbrit me humbje. Kjo është plaçka politike e Angela Merkelit mbrëmjen e 22 shtatorit. Çfarë aftësish ka ajo, çfarë është në gjendje të bëjë, që nuk e bën dot konkurenca politike?

Deutsche Welle Zentralredaktion Volker Wagener

Volker Wagener

Kur një periudhë në post kthehet në epokë

Shumicë absolute në votime deri tani ka arritur vetëm Konrad Adenaueri (CDU) në vitin 1957. CDU-ja e Merkelit do ta kishte arritur këtë për pak. Por është më mirë për Merkelin që nuk e arriti, sepse një shumicë e vogël do të kishte sjellë pasoja paradoksale. Në radhët e partive unioniste janë të paktën dy kritikë këmbëngulës të europolitikës së Merkelit. Fitoren madhështore ata do ta kishin kthyer në një periudhë katërvjeçare pasigurie. Kështu që tani, me koalicionin me socialdemokratët, Merkeli do të bëjnë të heshtin edhe kundërshtarët e fundit në radhët e saj. Të paktën ky kostelacion mbetet më i mundshmi. Me një shumicë prej dy të tretash në parlament, Merkeli mund të verë shumë gjëra në lëvizje. Kjo është mirë për të zbatuar reformat dhe keq për demokracinë. Sepse opozita në Bundestag reduktohet në dy parti me tetë përqind (E Majta dhe Të Gjelbrit). Periudha në post e Merkelit ka kohë që është kthyer në një epokë.

SPD-ja - adjutante e Merkelit apo opozitë në koalicion?

Çështja që shtrohet është: a do të bëhet SPD-ja pjesë e kësaj epoke dhe nëse po, me ç'rol? Nga periudha në koalicion qeveritar, si partneri më i vogël, në vitet 2005-2009 socialdemokratët nxorrën mësimin se një bashkëpunim i suksesshëm dhe pa fërkime si numri dy nuk ia vlen. Katër vjet dominim i Merkelit në kabinet i solli SPD-së në vitin 2009 rezultatin më të keq zgjedhor në historinë e saj. Dhe në këto zgjedhje, ku rezultati socialdemokrat është vetëm 2,5 përqind më i lartë se ai i vitit 2009, SPD arriti rezultatin e dytë më të keq në histori. Prandaj SPD-ja do të bënte mirë të mos hynte në koalicionin e madh. Por askush më pak se ish-kryetari i SPD-së dhe strategu i fushatës elektorale, Franz Müntefehring, ka paraiqitur kundërargumentin më të fuqishëm për qëndrimin në opozitë. "Ndenjia në opozitë është budallallëk!" ishte kredoja e tij. SPD-ja me sa duket do të vendosë të hyjë në koalicion dhe do të përpiqet ta shesë lëkurën shtrenjtë.