1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Glozer: Gjermania në konferencën e donatorëve në Bruksel me kontribut të rëndësishëm për Kosovën

Ministri gjerman i shtetit në ministrinë e jashtme, Gynter Glozer pas vizitës në Kosovë flet eksluzivisht për Deutsche Welle-n.

default

Gynter Glozer, (Günther Gloser) ministër shteti për çeshtjet evropiane në ministrinë e jashtme gjermane

DW: Cilat janë përshtypjet tuaja nga Kosova?

Glozer: Së pari, që qeveria kosovare po punon për të siguruar stabilitetin politik të vendit, por edhe për të përballuar sfidat e mëdha, siç është ajo e zhvillimit ekonomik. Përshtypja ime e dytë, që kishte të bënte me përfaqësitë e organizatave ndërkombëtare, është se do të jetë e rëndësishme që gjatë javëve të ardhshme të organizohet kalimi nga UNMIK-u tek Eulex-i.

DW: Kur më parë shkonit në Kosovë ju takonit vetëm një përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare. Tani keni tre dhe përveç kësaj edhe përfaqësuesit e një qeverie kosovare, që kërkon ta ndërtojë vetë shtetin. Patët përshtypje se këto instanca mund të komunikonin mirë me njëra tjetrën?

Glozer: Kjo sigurisht që është një pikë shumë e rëndësishme dhe në bisedime u bë shumë e qartë se kërkohet një koordinim i përsosur i këtyre aktorëve, si për kalimin e misionit nga UNMIK-u tek Eulex-i, por edhe për ndërtimin e një raporti mirëbesimi ndërmjet qeverisë kosovare dhe institucioneve ndërkombëtare.

DW: Të premten zhvillohet konferenca e donatorëve në Bruksel. Qeveria kosovare kërkon afro 1,4 miliardë euro. Sa do të vërë në dispozicion Gjermania?

Glozer: Unë tani nuk mund t'u japë shifra të sakta, por mendoj se Gjermania do të japë një shenjë të dukshme dhe të qartë edhe në këtë konferencë donatorësh. Por dua t'ju kujtoj se që nga viti 1999 e këtej Gjermania ka vënë në dispozicion të Kosovës mbi 240 milionë euro. E rëndësishme tani do të jetë që nga kjo shumë të mund të financohen projektet më të rëndësishme dhe besoj se Gjermania këtu do të luajë një rol shumë të rëndësishëm.

DW: Në cilat fusha do të angazhohet Gjermania më së shumti?

Glozer: Ka një fushë që ka të bëjë me kanalizimet, të tjerat me furnizimin me ujë të pijshëm, me atë të infrastrukturës së shkollave dhe të arsimit. Këto janë projekte shumë të rëndësishme, pasi ato ndihmojnë njëra tjetrën, që do të thotë, si mund të gjejë një kualifikim të mirë që do t'u japë këtyre njerëzve punë nëpër ndërmarrje.

DW: Tregu i punës në Kosovë ka një hendek të madh në mes ofertës dhe kërkesës. A ekziston mundësia që fuqia punëtore nga Kosova të vijnë në Gjermani për punë sezonale, për ta lehtësuar tregun e punës?

Glozer: Ka fusha të ndryshme, por fillimisht është e rëndësishme që të ketë punë dhe vende pune në Kosovë, sepse nuk ka kuptim të organizohet sërish një transferim. E rëndësishme është që ne të përmirësojmë infrastrukturën, që njerëzit të shohin se kanë perspektivë edhe në vendin e tyre. Për gjëra të tjera mund të flitet më vonë.

DW: Në Gjermani ka gjithashtu një grup të madh kosovarësh, të cilëve ende nuk u është rregulluar statusi. Shumë organizata joqeveritare janë ankuar për kthimin e pakicave sidomos romëve dhe ashkalinjve. A mendoni ju se ata kanë mundësi të bëjnë një jetë normale në Kosovë?

Glozer: Besoj se jemi të vetëdijshëm, që ka një sërë kosovarësh që jetojnë në Gjermani, por që duhet të kthehen. Gjendja e romëve në këtë pikë është pak më ndryshe. Por unë nuk mund të dalloj që ekzistuaka dikush që thotë se do t'ua pengojë atyre kushtet e jetesës. Përkundrazi, qeveria kosovare po e bën të qartë se do t'i ndryshojë vetë rrethanat e jetesës në Kosovë. Ne nuk mund ta pranojmë që ka një papunësi prej afro 40 për qind. Dhe kjo është e rëndësishme që në Kosovë të krijohen vende të reja pune dhe kualifikimi.

DW: Problem në Kosovë mbetet veriu, ku para disa ditësh u krijua një parlament serb. Mendoni se veriu i Kosovës ka një shans për t'u integruar në këtë shtet të ri kosovar?

Glozer: Natyrisht që ka një shans. Ju e dini, se ne nuk mund ta pranojmë ngritjen e parlamentit serb. I thashë edhe qeverisë kosovare se jam shumë i kënaqur me mënyrën e kthjellët të reagimit të qeverisë kosovare ndaj tij. Por kjo temë mbetet edhe më vonë shumë e rëndësishme për aktorë të ndryshëm, si brenda në Kosovë, ashtu edhe duke u nisur nga qeveria e re e Beogradit është e rëndësishme që këtu të vendoset një shenjë, që të ketë një ndikim pozitiv. Por për statusin e Kosovës nuk mund të negociohet sërish.

DW: Çfarë prisni ju konkretisht prej qeverisë së re?

Glozer: Prej qeverisë së re në Beograd pres që të krijojë marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me Kosovën. Kur Beogradi thotë, se synimi i tij është BE-ja, atëherë kjo ka si parakusht që të bëjë gjithçka që të mos krijohen situata kritike në veri të Kosovës.

DW: Statusi i Kosovës nuk po njihet nga vendet fqinje, me përjashtim të Shqipërisë. Çfarë efekti ka kjo për zhvillimin e mëtejshëm të vendit?

Glozer: Për fat të keq nuk janë vetëm vendet fqinje, por edhe një sërë vendesh të tjera që nuk e kanë njohur Kosovën. Por në përgjithësi, unë mendoj, se është e rëndësishme, që Bashkimi Evropian të vazhdojë të qendrojë mbas perspektivës së anëtarësimit në BE. E rëndësishme është gjithashtu për të realizuar këtë perspektivë, që të ketë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe bashkëpunime përkatëse si për shembull Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, që është pasardhës i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore, është e rëndësishme që këtu të gjithë aktorët të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin. Por ky është një proces. Në fillim të vitit nuk besoi askush se do të zhvillohej një perspektivë e tillë për qeverinë serbe, kështu që unë jam optimist se do të ketë edhe ndonjë shenjë të rëndësishme nga ana e Beogradit në këtë drejtim.

DW: Sot po festohet në Bruksel anëtarësimi i Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, ndërkohë që Maqedonia nuk u pranua, për shkak të vetos së Greqisë. A prisni një lëvizje nga qeveria e re maqedonase?

Glozer: Për çështjen e emrit, Maqedonia duhet të gjejë një zgjidhje me Greqinë nën ombrellën e Bashkësisë Ndërkombëtare. Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian vazhdon ta mbështesë perspektivën e Maqedonisë që ajo edhe në të ardhmen të jetë një kandidat për anëtarësim, por ka edhe një numër të madh temash që duhen trajtuar. Kjo sigurisht që është shtyrë për shkak të zgjedhjeve që porsa u zhvilluan në Maqedoni. Por në se Maqedonia do ta realizojë edhe këtë fushë edhe sipas BE-së, unë mendoj se duhet të japim një shenjë të përshtatshme, meqënëse jemi të interesuar në zhvillimin pozitiv të këtij vendi dhe unë e them me vetëdije të plotë: të gjithë vendet e BE-së.

DW: Cila do të ishte kjo shenjë?

Glozer: Me shenjë nënkuptohet, që në se arrihet që të luftohen fushat e ndryshme, si sektori i brendshëm, i drejtësisë, luftimi i korrupsionit, që krahas statusit të një kandidati për anëtarësim të fillojnë edhe negociata.

DW: Por, çfarë do të thotë Greqia në një rast të tillë, në lidhje me anëtarësimin e Maqedonisë në Nato ajo vuri veton.

Glozer: Unë mendoj se këto sektorë duhet të ndahen nga njëri tjetri. Unë mendoj, se ne në BE kemi vendosur të gjithë së bashku që Maqedonia të marrë statusin e kandidatit, por që negociatat nuk do të fillojnë përderisa kohë që nuk janë plotësuar disa kushte. Në se kushtet që kemi formuluar ne janë plotësuar, atëherë unë mendoj se kjo është një shenjë e mirë që Bashkimi Evropian, të fillojë negociata me Maqedoninë. Dhe këtë e dinë edhe miqtë tanë grekë. Ne e njohim problemin e tyre në lidhje me grindjen, por edhe Greqia duhet të ketë interes në Ballkanin Perëndimor, prandaj unë shpresoj që dy vendet të arrijnë një kompromis për çështjen e emrit.

  • Data 09.07.2008
  • Autor Anila Shuka
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/EZHl
  • Data 09.07.2008
  • Autor Anila Shuka
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/EZHl