1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Global Media Forum për klimën: Të gjithë duhet të mësojmë të jetojmë me më pak!

Si duhet dhe si mund ta trajtojnë mediet temën e së ardhmes ndryshim i klimës? 1500 pjesëmarrës diskutuan për tri ditë në Global Media Forum të Deutsche Welles. Të mërkurën (23.6) aktiviteti mori fund.

default

Global Media Forum: Ekspozitë fëmijësh, përfytyrime mbi klimën

Pas tri ditësh dhe 54 aktivitetesh atmosfera në mbyllje të Deutsche Welle Global Media Forum në Bonn u bë shumë personale. Sekretari i shtetit në Ministrinë Federale për Arsimin dhe Kërkimet, Georg Schütte citoi të bijën:

"Nganjëherë ke nevojë për fjalët e një fëmije, për të qartësuar çështje komplekse me koncepte të thjeshta. Më lejoni të citoj time bijë. Para pak ditësh ajo më tha: "Babi, shuaje dritën, ndryshe do t'i vrasësh arinjtë e akullit."

Drejtori i televizionit të DW, Christoph Lanz e shfrytëzoi në fjalën e tij përmbyllëse këtë dhe citoi gjithashtu fëmijën e tij: "Çdo mëngjes im bir më thotë në banjo: "babi, mbylle rubinetin, uji na duhet më vonë."

GMF Global Media Forum 2010 Plakat Eingang Flash-Galerie

GMF 2010, pamje nga salla plenare ku u zhvilluan punimet

Cilësi gazetareske për temën komplekse të ndryshimit të klimës

Shqetësimi për të ardhmen ishte temë e Deutsche Global Media Forums, sepse bëhej fjalë për ndryshimin e klimës dhe trajtimin e saj në medie. Për tri ditë shkëmbyen mendime rreth 1500 pjesëmarrësit nga 95 vende, diskutuan me njëri-tjetrin. Si fill i kuq kaloi edhe në tri ditët e Deutsche Welle Global Media Forum edhe kërkesa për një profesionalizim të mëtejshëm të gazetarëve. Christoph Lanz theksoi se gazetarët duhet të raportojnë me cilësi të lartë profesionale për temën komplekse të ndryshimit të klimës:

"Fokusi ynë ishte qartësisht në përmirësimin e raportimit, të cilësisë gazetareske. Tema e ndryshimit të klimës është kaq komplekse, sa ne si gazetarë duhet të vendosim standarde të larta. Ne duhet të jemi të sigurtë dhe të besueshëm. Këtu nuk bëhet fjalë që vetëm të transportojmë zërat dhe mendimet e njerëzve të tjerë. Këtu bëhet fjalë që të investigojmë probleme, të kërkojmë zgjidhje dhe t'i përcjellim rezultatet te përdoruesit tanë, të dëgjuesit dhe spektatorët."

Njerëzit të gatshëm të ndryshojnë sjelljen për të shpëtuar klimën

Një apel, i cili gjeti mbështetje. Që të martën shkencëtarja amerikane Noami Oreskes tërhoqi vëmendjen në Bonn për hendekun midis pohimeve të shkencëtarëve dhe paraqitjes në medie. Një pasojë e mungesës së dijeve nga ana e gazetarëve, tha Oreskes. Prandaj kanë ndikim kaq të madh skeptikët e klimës. Por ndryshimi i klimës, sipas saj është një fakt i dëshmuar shkencërisht.

Gjithsesi, është një pjesë e madhe e njerëzve që tregohet e preokupuar për ndryshimin e klimës. Këtë e nxori në pah një anketim i kryer para konferencës me 13 mijë vetë në 18 vende të të gjitha kontinenteve. Një rezultat tjetër: njerëzit janë të gatshëm, që ta ndryshojnë sjelljen e tyre; shumë prej tyre janë të gatshëm të paguajnë edhe çmime më të larta për produkte që e ruajnë ambientin.

Deutsche Welle Global Media Forum i ardhshëm është në maj 2011. Tema mbizotëruese do të jetë: "Të drejtat e njeriut në një botë të globalizuar - sfida për mediet."

Autor: Mathias von Heinen/Auron Dodi

Redaktoi: Lindita Arapi

  • Data 24.06.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/O1Qh
  • Data 24.06.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/O1Qh