1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Glen Klein - Shpëtimtari në Ground Zero

Ndryshe nga të tjerët, më 11 shtator 2011, polici Glen Klein vrapoi në drejtim të kullave të World Trade Center në Nju Jork. Që atëherë jeta e tij ndryshoi kryekëput.

default

Glen Klein

Është një shtëpi tipike amerikane në një vend tipik amerikan. Bari shndërit nga gjelbërimi, gardhi i bardhë, në ballinë tingëllon një kambanore. Coco, bushtra trevjeçare e llojit labrador, pranon menjëherë t'i ledhatohet qimja. I do njerëzit, thotë pronari i saj, Glen Klein. Polici në pension është i gatshëm të flasë për dhjetë vitet e fundit. Ndërsa e shoqja Carol i refuzon hapur bisedat me gazetarët. «Kur Carol kishte vendosur të dhuronte një veshkë, të gjitha kanalet televizive morën në telefon për të biseduar me të», shpjegon Glen për të shoqen. «Por ajo thoshte: Nuk po e bëj për famë».

Interesimi i gazetarëve ishte i madh, sepse veshka nuk ishte për një të panjohur, thotë ai: «Ishte shoku dhe kolegu im që u sëmur kur punonte në Ground Zero.» Klein dhe kolegu i tij ishin në ESU, një njësi speciale e policisë së Nju Jorkut. Ata arritën në Ground Zero pak para se të rrëzohej kulla e dytë.


Duke thithur pluhur helmues

10 Jahre nach 9/11 – USA - Glen Klein, NYPD Farbe

Nëntë muaj ai ishte pa ndërprerje në punë, që nga dita e parë deri në të fundit, deri sa u mënjanuan të gjitha rrënojat e kontaminuara. 800 orë pune a më shumë, Glen Klein dikur kishte pushuar së numëruari. Meqë ai ishte pjesë e Komandos Speciale, e kishte me vete një maskë gazi edhe më 11 shtator 2001. «Kjo me siguri që më ka shpëtuar nga më e keqja», thotë Glen. Më pas i pajisën me aparatura për mbrojtjen e frymëmarrjes, por filtrat nuk arritën t'i mbronin mushkëritë nga pluhuri helmues.

Glen Klein u sëmur nga stomaku e zorrët dhe ende vuan. «Ne punonim në zona ku thuhejse mund të merrnim frymë pa u rrezikuar, por kjo nuk ishte e vërtetë», thotë Glen sot i bindur. Ai mendon se i ka gënjyer qeveria, «meqë donte ta vinte në punë sërish Ground Zero-n, për shkak të bursës.»

Kërkim i kotë i shokëve

10 Jahre nach 9/11 – USA - Glen Klein, NYPD Farbe

Më 11 shtator Glen Klein nuk ishte në shërbim, por kur dëgjoi për katastrofën menjëherë u paraqit në detyrë. «Unë dëgjova nëpërmjet radiomarrësit se si policët thërrisnin: «U rrini larg ndërtesave, prej andej po bien trupa, njerëzit po hidhen.» Glen Klein arriti në Ground Zero para se të binte kulla e dytë. Aty mësoi se 14 kolegë të tij ndërkohë ishin nën rrënoja. Ai i njihte, kishte punuar shumë vite me ta. Ishin si një familje e madhe.

Si Glen, edhe të humburit ishin të shëndetshëm dhe të stërvitur, të trajnuar enkas për aksione shpëtimi, ata ishin të ushtruar se si të shpëtonin njerëzit nga gjendjet e vështira. Glen ende shpresonte: «Nëse do të ketë dikë që do të mbijetojë, atëherë do të jenë me siguri djemtë tanë.» Glen dhe kolegët e tij filluan kërkimin. Por veç dy policëve ata nuk mundën të gjenin asnjë të mbijetuar tjetër. Glen gjeti dikur një çizme, ku ishte futur një këmbë e veshur me pantallona, në xhepat e së cilës ai do të kërkonte dokumente. «Vetëm tetë ose dhjetë ditë më vonë m'u bë e qartë se ky nuk ishte më aksion shpëtimi.»

Me fuqi të sosura

10 Jahre nach 9/11 – USA - Glen Klein, NYPD

Në 2003-in, pas 20 vjet shërbimi në polici, Glen Klein del në pension. Karateisti dhe vrapuesi i distancave të gjata kishte mbërritur në fund të forcës së tij fizike dhe psiqike. Ai vuante nga depresionet dhe astma, grindej me të shoqen, ishte bërë agresiv dhe kishte probleme me alkoolin. Në vitin 2004 shkon të kërkojë ndihmë tek psikologu. Diagnoza: PTSD. Glen Klein nuk ishte në gjendje ta shpjegonte: «E pyeta psikologun se përse kam stres post-traumatik, kur e gjithë jeta ime ka pasur të bëjë me vdekje e shkatërrim.» Këtë radhë ishte personale, tha ai dhe Glen e kuptoi: «14 shokë të mi u vranë, kjo është si të të hyjë në shtëpi e të të vrasin gjithë familjen.»

Ndërkohë Glen Klein është më mirë. Ai vazhdon ende të jetë me depresione dhe nuk është më aq në formë si më parë, por vrapon sërish e bën karate. Angazhimi në organizatën "FealGood"e ka ndihmuar. Organizata bamirëse merret me njerëzit që e kanë gjendjen edhe më të keqe se Glen. Për shembull ka nga ata që nuk kanë para për t'u kuruar, sepse sigurimi refuzon t'ua heqë shpenzimet.

Kujtimi është i pranishëm

10 Jahre nach 9/11 – USA - Glen Klein, NYPD

Shumë nga ata që dhanë ndihmën e parë më 11 shtator 2001 kanë sot probleme shëndetësore, shpjegon Glen. «1010 syresh tashmë kanë vdekur, por me siguri janë edhe qindra të tjerë nga gjithë vendi që kishin ardhur të na ndihmonin.» Edhe shumë ndihmës të tjerë ndoshta nuk dinë se përse janë sëmurë. Për këtë nuk ka të dhëna të sakta.

Por Glen Klein nuk mund ta harrojë dot 11 shtatorin. Frika e sëmundjes nga kanceri është vazhdimisht e pranishme. Tani, me rastin e dhjetëvjetorit, kujtimet ringjallen. «Do të ishte mirë të jetoja në një ishull, të mos shihja televizion e të mos lexoja gazeta, atëherë ndoshta po», ai mendohet, pastaj plotëson «por edhe atëherë, 11 shtatori nuk do të shkulej nga koka». Një lajm i mirë të paktën: Shoku dhe kolegu i tij, të cilit e shoqja Carol i dhuroi një veshkë, është shëndoshë e mirë. «Joe tani mund të bëjë një jetë normale, të shkojë me fëmijët në Disney, të shkojë me pushime e jo çdo ditë në dializë». Ai tani është shkëlqyer, thotë Glen Klein, dhe bën diçka që zakonisht nuk e bën, kur flet për Ground Zero. Buzëqesh.

Autor: Christina Bergmann / Anila Shuka

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora

WWW Linke