1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Gjysmëfinalja e Botërorit: Brazilit tani i lejohet të humbasë

Brazili ka fituar që tani, megjithëse Seleção është pa yllin e saj Neymar. Një goditje kjo për tifozët e kombëtares braziliane. Por dëmtimi i Neymar mund të shihet në fund si fat në fatkeqësi.

Presidentja e Brazilit, Dilma Rousseff, ishte e para, që i dha nota politike "faktorit Neymar", pas dëmtimit të tij. "I gjithë Brazili ndjehet fitues", shkroi ajo në një letër drejtuar kombëtares së vendit. "Ne jemi mikpritësit e Botërorit dhe kemi skuadrën më të guximshme dhe më të mirën." Në fjalinë tjetër ajo përmend atë, që shumë brazilianë e mendojnë, por nuk e thonë me zë të lartë: "Sfidën më të madhe e kemi lënë pas."

Deklarata e Dilma Rousseff mund të interpretohet më shumë si ngushëllim dhe jo si nxitje e kurajos. Pasi pjesa më e vështirë e kampionatit ka kaluar, kështu që një largim nga Botërori në gjysmëfinale nuk është më turp. E pikërisht dëmtimi i yllit Neymar padashur mund të kontribuojë në çlirimin e skuadrës nga presioni i fitores. Ajo, që nuk mendohej, u bë e mundur: Brazilit tani i lejohet edhe të humbasë.

Një justifikim i mirë

"Është shumë e trishtueshme në këtë moment vendimtar të luajmë pa Neymar dhe pa Thiago Silvan", shkruan lojtari i kombëtares, Eduardo Gonçalves de Andrade, i quajtur "Tostão", në një artikull për të përditshmen "Folha de Sao Paulo". "Po qe se Seleção e fiton Botërorin, atëherë ajo është më heroike, po qe se e humbet e ka një justifikim shumë të mirë."

Edhe tifozja Berenica Barrocha pas lajmit të kombshëm për brazilianët, për dëmtimin e Neymar shprehet e qetë: "Sigurisht që ne si brazilianë presim që kombëtarja jonë të fitojë. Por edhe po qe se ajo nuk fiton, është OK. Po qe se Gjermania fiton, atëherë në finale unë do të jem për Gjermaninë."

Kjo qetësi bie ndesh me entuziazmin për futbollin, që ekziston në vend. Brazilianët jo vetëm që zotërojnë artin e triblimit, por edhe atë të diskursit. Futbolli në Brazil është simbol i të papriturave dhe rreziqeve të ekzistencës njerëzore. Debatet e panumërta për gabimet e gjyqtarëve, 11-metërshat e humbur, autogolat dhe fatin janë gjithmonë të mbuluara nga një tis filozofik dhe fetar.

Botërori sjell atmosferë pozitive në Brazil

Për presidenten e Brazilit, Dilma Rousseff, Kampionati Botëror i Futbollit duket se ka sjellë kapital politik. Sipas një sondazhi të institutit "Datafolha" ajo ka shtuar pikët në elektorat nga 34% në 38%. Edhe rivalët e saj në zgjedhjet e ardshme parlamentare më 5 Tetor, Aecio Neves dhe Eduardo Campos po përfitojnë nga zhvillimi pozitiv i kampionatit. Por rritja e pikëve të tyre në elektorat, maksimalisht kap 2%.

Kështu në fund dëmtimi i Neymar mund të shihet si fat në fatkeqësi. Psikologu Leopold Nosek nga Universiteti i Sao Paulos kujton se pushteti i përditshmërisë i tregon kufijtë edhe pushtetit të futbollit. "Po qe se Brazili humb në gjysmëfinale sigurisht do të ketë trishtim të madh, por pas disa javësh askush nuk ka për t'i kujtuar për këtë", parashikon psikologu.

Megjithatë sido që të përfundojë finalja e Botërorit më 13 Korrik, Brazili nuk ka shumë kohë për t'u marrë me të. Një ditë më vonë në qytetin Fortaleza fillon samiti i shteteve të BRICS, shteteve me ekonomi në ekspansion, (shkurtesa përmbledh gërmat e para të vendeve si Brazili, Rusia, India, Kina, dhe Afrika Jugore). Për Dilma Rousseff ky samit është shumë i rëndësishëm. Ndërsa për Brazilin merr fund një kohë festimesh pa fund. Nëpër ekrane nuk do të shihen më yjet e futbollit, po politikanët, që do të përgatiten për zgjedhjet presidenciale. Gara vazhdon, këtë herë në fushën politike.