1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Gjykimi i Albin Kurtit është shtyrë për 13 prill, në mungësë të gatishmërisë së avokatëve, për ta mbrojtur atë.

Zyrtarë të EULEX-it shprehen të mllefosur, përse asnjë avokat kosovar nuk pranon të mbrojë Albin Kurtin. Ata paralajmërojnë masa ndaj tyre. Ai akuzohet për thirrje për rezistencë në protestat e 10 shkurtit të vitit 2007

default

Lideri i "Vetëvendosjes" në një protestë, 28 nëntor 2006

Albin Kurti, lider i lëvizjes “Vetëvendosja”, akuzohet për pjesëmarrje në një turmë, që ka kryer vepra penale, pjesëmarrje në një grup, që ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e punëve zyrtare dhe për thirrje për rezistencë në lidhje me ngjarjet e shkurtit të 2007-ës, në të cilat u vranë dy protestues. Procesi gjyqësor ndaj tij, është shtyrë dy herë për faktin,që Albin Kurti nuk paraqitet në gjykatë, sepse ai nuk e njeh misionin EULEX-, sikundër nuk e njihte misionin e UNMIK-ut, i cili ngriti akuzë kundër tij.

Kurti nuk pranon avokat, as shumica e avokatëve nuk pranojnë ta mbrojnë atë pa dëshirën e tij

Megjithëse gjykatësit e misionit EULEX caktojnë avokatë për të mbrojtur Kurtin. Ramiz Krasniqi, ishte avokati i fundit i cili refuzoi ta mbrojë Albin Kurtin.

“Këmbëngulja e gjykatës, që ta mbrojë Albin Kurtin nuk qëndron. Gjykata dëshiron që ta mbrojë aktakuzën dhe jo Albin Kurtin”, thotë avokati Ramiz Krasniqi. Zyrtarë të misionit EULEX shprehen të mllefosur, se pse avokati Krasniqi nuk pranon të mbrojë Albin Kurtin. Sipas këtij misioni kjo tregon dobësinë e vazhdueshme, e cila duhet të adresohet brenda institucioneve për sundimin e ligjit, nëse Kosova dëshiron t'i arrijë standardet evropiane. Zëdhënësja e misionit EULEX, Kristina Herodes, i tha DW-së se lenda e Albin Kurtit është trashëguar nga UNMIK-u dhe është një lëndë normale gjyqësore, e cila duhet të shqyrtohet.

Herodes: Kjo lëndë nuk mund të injorohet nga gjyqësori.

“Sundimi i ligjit në çdo shoqëri bashkëkohore dhe demokratike bazohet në një parim thelbësor: që secili është i barabartë para ligjit. Askush nuk është sipër ligjit dhe çdo person i akuzuar për ndonjë krim e ka të drejtën e qartë dhe themelore për ta mbrojtur veten në gjykatë”, thotë Kristina Herodes.

Misioni EULEX pas refuzimit të avokatit Krasniqi caktoi një avokat tjetër më detyrë “ex-oficcio”, që ta mbrojë Albin Kurtin në Gjykatë, Musa Dragushën, kryetar i odës së avokatëve të Kosovës. Edhe ky i fundit i tha DW-së nuk është i disponueshëm ta mbrojë Albin Kurtin dhe për shumë misioni EULEX, sipas tij nuk ka të drejtë, që ta caktojë atë për detyra ex-officio.

“Përderisa jam në funksionin e kryetarit të odës së avokatëve të Kosovës unë nuk jam i rregullt në këtë funksion dhe për këtë arsye unë nuk jam i disponueshëm për të qenë i caktuar ex-oficcio në asnjë një rast, e as në rastin Albin Kurti”, thotë Dragusha.

Zoti Dragusha thotë se caktimi i tij në detyra ex-officio është një gabim i radhës i misionit EULEX. Ai thotë se sistemi i drejtësisë në Kosovë ka mangësi të mëdha. Sipas tij ai duhet reformuar dhe konform rrethanave të reja në Kosovë edhe të funksionojë.

“Sistemi aktual i gjyqësisë në Kosovë është sistemi, që Kosovës i ka shërbyer në mënyrë të kufizuar deri në vitin 1989. Ky sistem nuk mund të manovrojë me situatën e ndryshuar në vitin 2010. Në Kosovë sistemi i drejtësisë është vazhdimisht jofunksional, ai përbëhet nga një kornizë ligjore e pakordinueshme, ende mbizotërohet me proceduara arkaike gjyqësore, përbëhet nga një mosorganizim i hapur i institucioneve juridike, është një sistem jo transparent, i tejkaluar dhe i ndikuar”, thotë Dragusha. Qeveria e Kosovës, tashmë ka proceduar në parlament ligjin për funksionimin e gjykatave, mirëpo ky ligj akoma nuk është miratuar.

Sidoqoftë gjykimi i Albin Kurtit është shtyrë për datën 13 prill. E gjithë kjo në mungësë të gatishmërisë së avokatëve, që do ta mbronin Albin Kurtin. Vetë Albin Kurti është shprehur se procesi gjyqësor ndaj tij është një proces gjyqësor politik. Misioni EULEX thotë se nuk është një proces gjyqësor politik, ndërsa është shprehur se do të ndërmarrë masa ndaj avokatëve, të cilët caktohen nga gjykata dhe nuk pranojnë të mbrojnë Albin Kurtin.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Angjelina Verbica

  • Data 05.03.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MKnX
  • Data 05.03.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MKnX