1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Gjykim më korrekt në Kosovë se në Bosnjë Hercegovinë?

Sarajeva vlerëson se edhe në mungesë të marrëdhënieve diplomatike me Kosovën nuk duhet të ketë pengesë për dorëzimin e Naser Kelmendit. Azem Vllasi vlerëson se Kelmendit do t’i bëhej një gjykim më korrekt në Kosovë.

Këshilltari i ministrit të Drejtësisë së Kosovës Driton Lajqi thotë për DW se në rastin e Naser Kelmendit, i cili është arrestuar në Kosovë me urdhërarresti ndërkombëtar, ekzistojnë vështirësi për shkak të mungesës së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Prishtinës dhe Sarajevës.

Në foto, Driton Lajqi

Në foto, Driton Lajqi

"Në këtë aspekt ne jemi të hendikepuar dhe kjo do të ndikojë në procedurën dhe marrjen e vendimit. Kjo është një arsye shtesë, pse Bosnja dhe Hercegovina do të duhej të njohë shtetin e Kosovës dhe kjo do të ishte edhe në interesin e qytetarëve, në interesin e mbrojtjes dhe luftës kundër krimit të organizuar", thotë Lajqi.

Institucionet e Kosovës në bashkëpunim me Euleksin do të gjejnë zgjidhjen, e cila do të jetë në përputhje me ligjet kosovare, thekson këshilltari i ministrit të Drejtësisë. Ne jemi duke hetuar metodën më të mirë të mundshme se si të marrim vendimin në favor të sundimit të ligjit", thotë Lajçi. Ai shton se roli i EULEX-it në këtë rast është i rëndësishëm, sepse ky është një mision, që mund të realizojë kontakte edhe me zyrtarët e vendeve, që nuk e kanë njohur Kosovën.

Vllasi: Nuk duhet ekstraduar Kelmendi

Avokati Azem Vllasi deklaron për Deutsche Wellen se kushtetuta e Kosovës nuk lejon që shtetasit e Kosovës të ekstradohen në ndonjë vend tjetër dhe kjo është arsyeja, që Naser Kelmendi nuk do të mund të ekstradohet në Bosnjë Hercegovinë. "Një pengesë tjetër është, se në mes Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës nuk ka marrëveshje dypalëshe për asistencë ligjore dhe bashkëpunim. Në një gjendje të tillë është e mundshme vetëm, që organet gjyqësore dhe hetimore të Bosnjë Hercegovinës materialet hetimore dhe provat për Naser Kelmendin, nëpërmjet EULEKS-it t'ua ofrojnë autoriteteve gjyqësore në Kosovë, të cilat sipas konventave evropiane janë të detyruara ta ndjekin penalisht rastin dhe të organizojnë gjykimin para gjykatave kosovare", thotë Vllasi.

Pamje simbolike

Pamje simbolike

Lidhur me konstatimin se megjithë dispozitat ligjore, që vlejnë në Kosovë, disa persona janë ekstraduar në vende të tjera, Vllasi thotë se forcat ndërkombëtare në Kosovë bëjnë përjashtime të caktuara dhe gjejnë disa mënyra. Ai megjithatë nuk sheh arsye për të ekstraduar Kelmendin: "Nuk e dimë, përse Naser Kelmendi duhet të gjykohet vetëm para autoriteteve boshnjake, në qoftë se ai është një diler i madhe droge, aktiviteti kriminal i të cilit nuk ka qenë i kufizuar vetëm në territorin e Bosnjë dhe Hercegovinës. Gjykatat në Bosnjë Hercegovinë nuk gëzojnë ndonjë emër për korrektësi dhe gjykim objektiv, sidomos kur është fjala për shqiptarët."

Garancia se Kelmendit në Kosovë do t'i organizohet një gjyq më korrekt se në Bosnje dhe Hercegovinë, është prania e misionit të BE në mbështetje të sistemit ligjor të Kosovës, i cili mundet, nëse dëshiron, që ta marrë rastin nga autoritetet e Kosovës. "Misioni i EULEX-i ka një akt të veçantë juridik, me të cilin ata vendosin, se cilat raste të marrin për gjykim. Pra, kjo nuk është një e drejtë ekskluzive për një instancë gjyqësore, që do t'ua caktojë lëndët dhe rastet gjyqtarëve të EULEX-it, por e kundërta, ata kanë të drejtë të kërkojnë një rast të veçantë, të cilin duan ta gjykojnë", thotë Vllasi.

Nuk ka pengesë për ekstradimin

Në pritje të konfirmimit zyrtar të autoriteteve të Kosovës për arrestimin, ministri i Sigurimit i Bosnjë dhe Hercegovinës Fahrudin Radonçiç thotë se Kelmendi duhet të ekstradohet në Bosnje: „Ministria e Punëve të Brendshme bën gjithçka, me qëllim që kushdo, që është i akuzuar, të dalë para drejtësisë. Ligji është shumë i qartë. Kelmendi duhet të dorëzohet në Bosnjë Hercegovinë në bazë të kërkesës të prokurorisë së Bosnjë-Hercegovinës, me qëllim që organet gjyqësore të vendit të bëjnë punën e tyre thotë", Radončić.

Logoja e Eulex-it

Logoja e Eulex-it

Ministri i Drejtësisë së Bosnjë Hercegovinës Barisha Çolak thotë për Deutsche Welle se fakti që Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina nuk kanë marrëdhënie diplomatike „nuk mund të jetë pengesë për ekstradimin e Naser Kelmendit“: „Ne përmes Euleksit bashkëpunojmë me Kosovën, kur është fjala për ndihmën e ndërsjellë ligjore në gjëra, që janë më pak të ndërlikuara", thotë thotë Çolak.

Naser Kelmendi është i lidhur me krimin e organizuar, dhe në këtë kontekst përmendet si një prej financuesve kryesorë të trafikut të drogës, që vjen nga Azia në Ballkan dhe më vonë në Evropën Perëndimore. Në vitin 2012 Kelmendi është vendosur në të ashtuquajturën lista e zezë e Departamentit Amerikan të Shtetit dhe është etiketuar si një nga bosët më të njohur të drogës në Ballkan.

Naser Kelmendi ka ikur nga Sarajeva vitin e kaluar, kur policia në Bosnjë Hercegovinë kreu një nga aksionet më të mëdha në luftën kundër kriminalitetit të organizuar me emrin e koduar „Lutka“. Atëherë u patën arrestuar më shumë se 30 vetë, në mesin e të cilëve edhe ish policë.