1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Gjykatat në veri të Kosovës duhet të funksionojnë sërish

Shefi i misionit EULEX, Yves de Kermabon qëndron nesër në Beograd për të diskutuar me autoritet serbe çështjen e funksionalizimit të gjykatave që gjenden në veri të Mitrovicës.

Shefi i misionit EULEX në Kosovë, Yves de Kermabon, ka vetëm një çështje për të diskutuar kësaj radhe me autoritetet e Beogradit, çështjen e gjykatave në veri të Mitrovicës. Ai do të kërkojë nga autoritetet e Beogradit që ta mbështesin misionin EULEX, në synimin që të funksionalizojë gjykatat në veri dhe kthimin në punë të gjykatësve shqiptarë dhe serbë. Aktualisht në Gjykatën e Qarkut në veri të Mitrovicës janë angazhuar katër gjykatës, dy prokurorë, dy këshilltarë ligjorë të gjykatave dhe dy këshilltarë ligjorë prokurorialë, që të gjithë të mandatuar nga misioni EULEX.

Gjykatësit duhet të kthehen në punë

Zëdhënësja e misionit EULEX, Kristina Herodes, thotë se ky mision e sheh nevojën e kthimit të gjykatësve dhe prokurorëve lokalë në gjykata, sepse shumë lëndë sipas saj kërkojnë zgjidhje. "Për misionin EULEX, është shumë e rëndësishme që në këto institucione të kthehen gjykatësit dhe prokurorët shqiptarë e serbë nëpër vendet e tyre të punës. Kjo është një çështje urgjente për drejtësinë. Por, nuk është fjala vetëm te drejtësia, por është një çështje më e gjerë, sepse njerëzit që janë të përfshirë në raste gjyqësore duan ta jetojnë jetën e tyre. Ata duan t’i zgjedhin problemet që kanë dhe nuk bëhet fjalë vetëm për raste kriminale, por edhe për raste civile. Janë diku 55 raste në pritje dhe poashtu ka akoma të dyshuar që janë në paraburgim pa u gjykuar", thotë Kristina Herodes.

Misioni panevojshëm

Kryetari i gjykatës së qarkut në Mitrovicë, Kaplan Baruti i cili jeton në Zvecan në veri të Kosovës, ka dy vjet që së bashku me kolegët e tij shqiptar nuk mund të shkojë në vendin e tij të punës. Ai thotë për DW, se nuk është shumë optimist se gjykatat në veri do të funksionalizohen me një marrëveshje ndërmjet EULEX-it dhe Beogradit. Në këtë linjë edhe vizitën ne Beograd të shefit të misionit EULEX, Yves de Kermabon, ai e sheh të penevojshme. "Unë konsideroj se autoritetet e Kosovës si ato vendore dhe ndërkombëtare duhet të jenë të vendosura në zgjidhjen e këtij problemi, e jo të kërkohet pëlqimi i një shteti fqinjë të Kosovës, në këtë rast i Serbisë apo i banorëve serbë të veriut," thotë Kaplan Baruti.

Personeli mungon

Kaplan Baruti, kryetar i gjykatës së qarkut në Mitrovicë, i cili që nga 20 shkurti i vitit 2008 nuk është në zyrën e tij, thotë se kjo gjykatë edhe nëse funksionalizohet do të përballet për probleme të mungesës së personelit. "Me emërimet në gjykatën supreme të Kosovës, katër gjyqtarë nga gjykata e qarkut në Mitrovicë tashmë kanë kaluar në gjykatën supreme. Kështu që do të kemi probleme edhe nga aspekti funksional dhe ai kualitativ. Ne tash për tash nuk kemi mundësi që ta formojmë as një kolegj prej tre gjyqtarëve, mirëpo do të na duhet prej rastit në rast të marrim gjyqtarë nga gjykata komunale nga rajoni i Gjykatës së qarkut në Mitrovicë," thotë Kaplan Baruti.

Sidoqoftë, edhe zyrtarë të misionit EULEX dhe kryetari i gjykatës së qarkut në Mitrovicë, Kaplan Baruti, pranojnë se çështja e mosfunksionimit të gjykatave në veri të Mitrovicës është një problem politik. Kaplan Baruti, thotë se ai nuk e ka problem të punojë me kolegët e tij serbë, mirëpo refuzojnë të punojë me ata punonjës serbë të gjykatave të cilët në shkurt të vitit 2008, okupuan me dhunë objektet e gjykatave ku për pasojë pati edhe përleshje me policinë ndërkombëtare.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 02.03.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MHT5
  • Data 02.03.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MHT5