1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Gjykata turke vendos për zhbllokimin e Twitter

Përdoruesit e Twitter kanë filluar të tallen me qeverinë. Juristët janë të habitur me guximin e gjyqtarëve. Ata gjithashtu shprehin shqetësimet e tyre për efektivitetin afatgjatë të urdhrit të gjykatës.

Një gjykatë administrative në Ankara urdhëroi zhbllokimin e shërbimit të mesazheve Twitter. Vendimi i gjykatës erdhi pas paraqitjes së disa ankesave me të cilat kërkohej shfuqizimi i vendimit të qeverisë së kryeministrit Erdogan. Në mesin e ankuesve ishte ndër të tjera edhe Unioni i Shoqatave të Avokatëve turq (TBB), Oda e Avokatëve në Ankara si dhe Oktaj Vural, nënkryetari i Partisë Lëvizja Nacionaliste (MHP), raporton gazeta turke Hurriyet.

“Ne do të zbatojmë urdhërin e gjykatës. Ne nuk na pëlqen ky vendim i gjykatës, por ne do ta zbatojmë atë", u shpreh zëvendëskryeministri Bulent Arinç lidhur me vendimin e gjykatës.

"Mendimi politik është më me rëndësi"

Që prej 17 dhjetorit qeveria turke është përfshirë në një skandal të rëndë korrupsioni. Në internet vazhdimisht ende publikohen pjesë të bisedave telefonike, të cilat e zbulojnë në publik Erdoganin dhe partinë e tij konservatore islamike AKP. Erdogan ndërkohë përmes ligjeve të ndryshme ka kufizuar lirinë e përdorimit të internetit dhe bllokoi më 21 mars shërbimin e mesazheve Twitter. Sipas mediave turke u bllokuan edhe qasjet alternative. Kritikët e vlerësuan veprimin si një përpjekje të qeverisë për t'i mbyllur gojën opozitës në prag të zgjedhjeve komunale që në Turqi zhvillohen me 30 mars.

Ndërkaq qeveria turke akuzoi Twitter-in për "indiferencë " ndaj vendimeve të gjykatës turke për të larguar përmbajtjet që shkelin të drejtën e privatësisë . "Twitter kishte rënë dakord për të hequr një ose dy përmbajtje nga platforma, por kjo nuk ishte e mjaftueshme. Janë rreth 700 përmbajtje të cilat duhet të hiqen nga kjo faqe ", citohet të ketë thënë kryeministri turk për gazetën Hurriyet.

Ka pasur përpjekje për të zgjidhur problemin së bashku me qeverinë turke, thuhet nga ana e Twitter. "Kanë kaluar gjashtë ditë që kur qeveria turke ka bllokuar qasjen në Twitter. Gjatë kësaj kohe jemi përpjekur për t'iu përgjigjur shqetësimeve të autoriteteve turke për të informuar atë për platformën tonë dhe ne po punojmë për të zgjidhur këtë situatë", shkruante avokatja e angazhuar nga Twitter Vijade Gadde në blogun zyrtar të Twitter.

Dy nga tre vendimet gjyqësore kanë të bëjnë me përmbajtjen që cënojnë rregullat e Twitter dhe tashmë janë hequr, sqaron Gadde. "Kërkesa e fundit kishte të bënte me largimin e një llogarie në të cilën një ish ministër akuzohet për korrupsion. Për ne kjo kërkesë është shqetësuese. Shprehja e mendimit politik është shumë e rëndësishme sidomos kur bëhet fjalë për dyshimet për korrupsion kundër qeverisë. Prandaj ne në emër të përdoruesve të shërbimit tonë kemi kërkuar nga gjykata tërheqjen e këtij urdhëri”, tha Gadde. Gjithashtu nëpër gjykata të ndryshme turke janë deponuar ankesa të tjera të cilat janë përpiluar së bashku me një avokat të pavarur turk. “Në këtë mënyrë ne i jemi bashkangjitur gazetarëve turq, ekspertëve ligjorë, qytetarëve turq dhe komunitetit ndërkombëtar në thirrjen për shfuqizimin e ndalimit të shërbimit të mesazheve Twiter”, shkruan Gadde.

Shqetësimet ligjore

Menjëherë pas vendimit të gjykatës në Twitter u paraqiten talljet e para kundër qeverisë turke. "Kush mbyll masmediat, ka humbur" - "Ishte koha që të ndalohej çmenduria" ose "Shuplakë për Erdoganin", shkruajnë përdoruesit në Twitter, të cilët kishin arritur të anashkalonin bllokimin ekzistues në Twitter. "Se mos Erdoganit i intereson kjo?" pyeti një tjetër përdorues i Twitter.

Kryeministri turk Erdogan

Shuplakë për Erdogan vlerësojnë vendimit e gjykatës përdoruesit e Twitter

Kjo pyetje u shtrua edhe nga juristi Lami Bertan Tokuzlu. "Ne juristët nuk e kemi pritur një urdhër të tillë të gjykatës, pasi që qeveria kohët e fundit ka fituar përmes një ligji të ri kontroll më të madh mbi gjyqësorin. Unë nuk mendoj se gjyqtarët në këtë moment janë të imunizuar nga çdo ndërhyrje e qeverisë. Por ka edhe disa gjyqtar të guximshëm. Ata kanë marrë rastin në dorë duke e trajtuar atë si rast urgjent dhe vendosën për pezullimin e ndalimit të shërbimit Twitter", tha Tokuzlu në bisedë me DW-në. Disa gjyqtarë kanë marrë përsipër rrezikun pasi që ata nuk mund të pushohen krejtësisht nga puna, sqaron, Tokuzlu. "Gjëja më e keqe që mund të ndodhë me ta është ndërrimi i vendit të punës”, shpjegon ai.

Njohësi i ligjeve turke ka edhe shqetësimet e tij në lidhje me zhbllokimin e shërbimit të mesazheve Twitter. Tokuzlu i referohet një ligji të miratuar kohëve të fundit që ka të bëjë me internetin. Sipas tij qeveria mund të bllokojë faqet e internetit pa një vendim paraprak të gjykatës. "Kryetari i Autoritetit të Telekomunikacionit mund të vendosë vetë se cilën faqe do të bllokojë. Edhe pse gjykata ka urdhëruar anulimin e bllokimit të Twitter prapëseprapë Autoriteti Telekomunikacionit mund të gjejë pastaj arsye të tjera për ta bllokuar atë. Prandaj tani mund të kemi vendime të tjera të kryetarit të Autoritetit të Telekomunikacionit. Kjo është shumë problematike", tha Tokuzlu. Megjithatë, vendimi i tanishëm i gjykatës duhet të zbatohet së pari pa asnjë ndërhyrje nga qeveria.