1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Gjykata Supreme konfirmon reformën në shëndetësi të Obamës

Gjykata Supreme në SHBA shpalli në përputhje me kushtetutën klauzolën kryesore të reformës shëndetësore të presidentit Obama. Një lajm i mirë për presidentin dhe qytetarët e SHBA-së.

default

Vendimi i Gjykatës Supreme nuk është vetëm një fitore për presidentin Obama por edhe për të gjithë amerikanët. Shpallja në përputhje me kushtetutën e klauzolës më të rëndësishme të reformës në shëndetësi, detyrimi për t'u siguruar, bën që të jetë edhe më tej e ligjshme e gjithë paketa ligjore, me një përjashtim të vetëm, të cilin gjykata e trajtoi veçmas.

Kështu sigurimet nuk kanë të drejtë të refuzojnë kërkesën për sigurim të asnjë personi që ka pasur një histori sëmundjeje dhe nuk kanë të drejtë as t'i hedhin jashtë të siguruarit që sëmuren. Të rinjtë deri në moshën 26-vjeçare mbeten të siguruar përmes prindërve. Masat parandaluese merren përsipër nga arka e sigurimit dhe ato nuk kanë të drejtë të përcaktojnë një kufi të sipërm financiar, në bazë viti apo moshe, për ilaçet dhe trajtimet mjekësore. Ky është një lajm i mirë në radhë të parë për të sëmurët kronikë. Askush nuk duhet të rrënohet financiarisht vetëm sepse është i sëmurë dhe nuk është në gjendje të paguajë faturat.

SHBA, ku aktualisht rreth 50 milionë vetë nuk kanë sigurim shëndetësor, hyjnë kështu në rrethin e popujve të civilizuar. Gjykata Supreme dëshmoi edhe njëherë se nuk bëhet pengesë për përparimin. Arsyeja triumfoi mbi retorikën politike. Sepse fakti që 26 shtete federale kishin ngritur padi kundër reformës në shëndetësi, ka para së gjithash arsye politike. Fillimisht detyrimi për t'u siguruar ishte një ide e një think tank-u konservator. Kandidati aktual për president i republikanëve Mitt Romney e pati vendosur atë kur ishte guvernator i shtetit federal Masaçuset. Vetëm pasi presidenti Obama e ktheu detyrimin për t'u siguruar në një ligj mbarëkombëtar, republikanët u hodhën në opozitë.

Kush nuk sigurohet paguan më shumë taksa

Vendimi i Gjykatës Supreme u mor me 5 vota pro dhe 4 kundër. Me katër votat "liberale" të gjykatësve pro reformës u bashkua edhe kryegjyqtari John Roberts, i cili deri sot nuk është dalluar për pikëpamje progresive. Por vota e tij kishte edhe një çmim. Argumentimi për kushtetueshmërinë e detyrimit për t'u siguruar tani është: kush nuk lidh sigurim për shëndetin nuk paguan gjobë por një taksë. Është e pakontestueshme se Kongresi ka të drejtën të vendosë taksa, për shembull për blerjen e benzinës apo të pronave. Problemi për demokratët: reforma në shëndetësi është tani zyrtarisht një rritje e tatimeve, një përkufizim të cilin deri tani ata janë përpjekur ta shmangin me shumë kujdes - dhe një ftesë për luftë, të cilën republikanët e pranuan menjëherë.

Christina Bergmann, DW Washington .

Christina Bergmann, DW Washington

Në reagimin e tij ndaj vendimit presidenti Obama u shpreh i kënaqur dhe bëri thirrje të shihet përpara për të mos përsëritur betejat e dy vjetëve më parë. Atëherë u shkaktua shumë zhurmë, lëvizja "Tea Party" fitoi një pjesë të madhe të popullaritetit nga kundërshtimi për reformën në shëndetësi. Vështirë të besosh se Obama pret që tani konservatorët të dorëzohen. Të enjten (28.6.) në mbrëmje kryetari i shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell deklaroi se vendimi i gjykatës nuk do të thotë fund i debatit, por "fillimi i një rruge për ta kthyer mbrapsht ligjin". Dhe kandidati republikan Mitt Romney tha se nëse do të zgjidhet president do ta bëjë këtë në ditën e parë të mandatit të tij.

Beteja politike pra do të vazhdojë. Vendimi do të motivojë në luftën e tyre politike si republikanët ashtu edhe demokratët. Por vendimi i Gjykatës Supreme garanton që miliona amerikanë të mos vuajnë nën betejën politike.