1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Gjykata Speciale: Pika kyçe mbrojtja e dëshmitarëve

Parlamenti kosovar hapi rrugën për krijimin e Gjykatës Speciale që do të hetojë akuzat e ngritura mbi disa pjesëtarë të UÇK-së. Profesori i Universitetit të Grazit, Joseph Marko mbi shanset e vështirësitë e gjykatës.

Deutsche Welle: Prof. Marko "Po" ja e parlamentit të Kosovës ditën e hënë (03.08) për krijimin e Gjykatës Speciale mund të quhet një lindje e vështirë. Por a mund të thuhet tani se janë hequr të gjitha pengesat që çojnë në ngritjen e funksionimin e Gjykatës Speciale?

Prof. Joseph Marko: Mendoj se po, sepse tani e kemi miratimin e qeverisë dhe me këtë edhe ujdinë përkatëse të OKB-së dhe shtetit të Kosovës me qëllim të mundësohet ngritja e kësaj Gjykate Speciale.

Një gjykatë e tillë do të ketë bazën në Kosovë thuhet, si atë ligjore por edhe e stacionuar, megjithëse shumica e gjykatësve do të jenë të huaj. Si do të funksionojë kjo gjykatë konkretisht?

Një gjykatë e tillë do duhet të funksionojë sipas modelit të Tribunalit Ndërkombëtar për Krimet në ish-Jugosllavi, mendoj me shumë gjasa që ajo do të jetë e organizuar në strukturë si Tribunali i ish-Jugosllavisë, i pajisur me një prokuror dhe me disa gjykatës, kjo me qëllim që të krijohet kuadri ligjor penal për funksionimin e saj. Sigurisht kjo gjykatë mund të procedojë vetëm raste të veçanta, që do të thotë që duhet të ekzistojnë dyshime të caktuara për persona konkretë, e duhet provuar nëse për këta persona provat dyshuese janë aq të mjaftueshme sa mund të ngrihet një aktakuzë e më vonë mbi bazën e këtyre provave të mundësohet edhe nxjerrja para gjyqit, ashtu si u veprua në Tribunalin e ish-Jugosllavisë.

A mendoni se mund të ketë sukses një gjykatë e tillë me mbledhjen e provave dhe nxjerrjen e personave përgjegjës para drejtësisë?

Nga kjo varet nëse persona të tillë do të mund të arrestohen e të kalojnë në paraburgim pra që të hapet një proces kundër tyre. Po pikërisht kjo është vendimtare për suksesin e një gjykate të mundesh të mbledhësh provat.

Vendimi për krijimin e Gjykatës Speciale nuk ishte i lehtë në Kosovë, ndërkohë ka kaluar shumë kohë, a nuk ka punuar koha për autorët e krimeve?

Sigurisht koha ka punuar për autorët e krimeve, sepse është shumë e vështirë pas një kohe kaq të gjatë është shumë e vështirë të mblidhen provat e duhura, kanë kaluar më shumë se dhjetë vjet, e për vepra të tjera akoma më shumë kohë. E sidomos këtu bëhet fjalë për provat që do të sillnin dëshmitarët, por e kemi parë qartësisht në të shkuarën në Kosovë se këtu do të jetë shumë e vështirë mbledhja e provave të vlefshme për gjyqin mbi bazën e dëshmitarëve. Në të shkuarën kemi pasur probleme me mbrojtjen e dëshimtarëve, me një mbrojtje efektive të dëshmitarëve.

Edhe më parë mbrojtja e dobët e dëshmitarëve ka qenë pikë delikate, për këtë është kritikuar edhe EULEX-i, por a ka gjasa që gjykata e re të mund të ndryshojë diçka këtu?

Vështirë të thuhet. Kosova është kaq e vogël si nga sipërfaqja ashtu edhe nga numri i banorëve saqë do të jetë shumë e vështirë të ngresh një program të vërtetë të mbrojtjes së dëshmitarëve, një program efektiv pra. Personalisht dyshoj shumë nëse Gjykata Speciale do të mund të bëjë diçka më mirë se EULEX-i.

Nuk besoj se për Gjykatën Speciale do të jetë e lehtë të ndjekë penalisht persona të caktuar, sepse sa më i njohur të jetë një person, aq më e vështirë do të jetë të gjesh dëshmitarë apo prova të caktuara.

Opozita e quan Gjykatën Speciale cënim të sistemit të drejtësisë në Kosovë. Si mendoni ju ka bazë ligjore për një pretendim të tillë të opozitës?

Jo, ajo nuk është shkelje e sistemit të drejtësisë në Kosovë, por një shtojcë e sistemit të drejtësisë aty. Këtu kemi rregullore shumë të qarta të së drejtës ndërkombëtare të përcaktuara në ligjin e së drejtës ndërkombëtare, me qëllim që të mund të ngrihet një gjykatë e tillë, e sidomos tani kur parlamenti e ka hapur rrugën për një institucion të tillë.

UÇK-ja shihet si çlirimtare dhe ushtarët e saj gëzojnë statusin e heroit në Kosovë. Sa mund të ndikojnë procese të tilla gjyqësore që shoqëria të diferencojë, kush është heroi e kush jo, apo proceset do të ndjehen më shumë si shërbim që jemi të detyruar t'ia bëjmë botës jashtë?

Unë mendoj se Gjykata Speciale do të qëndrojë para të njëjtit problem si ish-Tribunali i Jugosllavisë. Nga njëra anë duhet thekuar se penalisht mund të përndiqen vetëm individët e veçantë, e jo UÇK-ja si një organizatë, këtu duhet ndarë pra faji individual nga ai kolektiv, dhe se nuk ka asnjë mundësi që të trajtosh çështjen e fajit kolektiv në ndonjë formë, edhe pse e ke një Gjykatë Speciale. Këtë përvojë e kemi nga Tribunali i ish-Jugosllavisë, tribunali për Bosnjën, për Serbinë ka dështuar plotësisht në trajtimin e kësaj çështjeje, e madje të akuzuarit në Hagë e ngritën të gjithë strategjinë e tyre të mbrojtjes mbi paraqitjen si heronj apo mbrojtës të kolektivit, etnisë apo kombit. Kështu që çështja e fajit kolektiv ka pasur efektin e kundërt.

e megjithatë përballja me drejtësinë e disa pjesëtarëve të UÇK-së do të ndihmojë në zbardhjen e një kapitulli që ka hedhur jo pak hije mbi imazhin e Kosovës...

Sigurisht mbetet të shpresohet që me zbardhjen e rasteve të veçanta të arrihet të mblidhen fakte e njohuri mbi veprime të caktuara, por se si do të interpretohet kjo, sidomos nga mediat në Kosovë apo jashtë, shikojmë që këtu kemi dallime shumë të mëdha.

Prof. Dr. Joseph Marko është dekan i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Grazit në Austri, Institutin e së Drejtës Publike dhe Shkencave Politike.

DW.COM