1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Gjykata ndalon demonstratat në Kiev

Një gjykatë në Ukrainë ka ndaluar mitingjet në kryeqytetin Kiev. A do të veprojnë tani edhe më me ashpërsi forcat e sigurisë kundër opozitës?

Ndalimi do të jetë në fuqi fillimisht deri më 8 Mars dhe vlen për demonstratat, në të cilat përdoren skenat, altoparlantët, parullat, apo tendat. Gjykata nuk ka dhënë ndonjë arsyetim për vendimin.

Opozita tani i druhet veprimeve më të ashpra nga ana e forcave të sigurisë kundër protestuesve dhe kritikëve të qeverisë. Me këtë vendim pushteti po përgatitet për "raprezalje kundër aktivistëve paqësorë", sqaroi partia opozitare UDAR e ish-kampionit botëror në boks, Vitali Klitschko.

Në Kiev të dielën kanë demonstruar sërish dhjetëra mijëra kundërshtarë të presidentit Viktor Janukoviç. Me të paktën 50.000 pjesëmarrës në Sheshin e Pavarësisë, ishte tubim i parë i madh në vitin e ri. Në kulmin e valës së protestave para festave të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri në Kiev janë mbledhur deri në 800.000 njerëz.

Pamje nga Sheshi i Pavarësisë në Kiev

Pamje nga Sheshi i Pavarësisë në Kiev

Bashkëpunim me Bashkimin Doganor nën drejtimin e Rusisë

Pavarësisht protestave të vazhdueshme në Ukrainë, qeveria e vendit ndërkohë ka miratuar një program të bashkëpunimit me një Bashkim Doganor të udhëhequr nga Rusia. Por marrëveshja nuk përmban "anëtarësimin e Ukrainës" në organizatën e formuar nga disa shtete postsovjetike, tha kryenegociatori përgjegjës Viktor Suslov pas një takimi të qeverisë në kryeqytetin Kiev. Po ashtu ajo është e kufizuar deri në vitin 2020 .

Kryeministri Mykola Azarov tha gjatë takimit urgjent të kabinetit qeveritar, se qëllimi i programit është "një zhvillim i mëtejshëm i marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare në fushën e industrisë, hapësirës ajrore, ndërtimit të anijeve, bujqësisë dhe turizmit". Ai nuk dha informata të tjera mbi marrëveshjen.

Në nëntor udhëheqja ukrainase nën drejtimin e Viktor Janukoviç, me sa duket pas presionit të Rusisë, papritmas njoftoi se nuk do të nënshkruajë marrëveshjen e Asociimit me Bashkimin Evropian. Që atëherë zhvillohen protesta të opozitës pro-evropiane, e cila bën thirrje për një afrim me BE-në .