1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë i përgjigjet nesër pyetjes nëse pavarësia e Kosovës përputhet me të drejtën ndërkombëtare

Vuk Drashkoviq: Njeriu nuk mund t'i detyrojë më shumë se 1,5 milionë njerëz, që të përqafojnë diçka që nuk duan

default

Serbia dhe Kosova duhet të ndërtojnë raporte të mira mes vete, deklaroi ish-minisitri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Drashkoviq në një intervistë për gazetën austriake "Die Presse". Drashkoviq pohon se raporte të mira mes këtyre dy vendeve mund të ketë edhe pa njohjen e Kosovës prej Serbisë.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë do t'i përgjigjet nesër pyetjes se a ishte pavarësia e Kosovës në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Mendimi këshilldhënës i institucionit më të lartë juridik të OKB-së, nuk është i obligueshëm. Por ka një peshë të veçantë për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, njohjet e reja të Kosovës dhe procesin e integrimeve të këtyre vendeve në NATO dhe BE.

Në pyetjen e gazetarit të gazetës "Die Presse" se si mund të gjendet rrugëdalja nga situata e tanishme, ish-ministri i Jashtëm i Serbisë Vuk Drashkoviq përgjigjet:

Vuk Draskovic

Vuk Draskoviq

"Kosova e ka shpallur pavarësinë, ndërsa Serbia nuk e njeh atë. Në Kosovë më nuk ka sovranitet të Serbisë, nuk ka institucione apo simbole të Serbisë atje. Ndërkohë që sipas Rezolutës 1244, Kosova është pjesë e Serbisë. Kur ne në Serbi themi se duam të ruajmë sovranitetin mbi Kosovën, atëherë themi se duam të ruajmë diçka që nuk kemi fare. Shqiptarët e Kosovës më nuk e pranojnë Serbinë si shtet të tyre, ndërkohë që Serbia nuk i njeh shqiptarët si shtetas të vet. Njeriu nuk mund t'i detyrojë më shumë se 1,5 milionë njerëz, që të përqafojnë diçka që nuk duan."

Shkrimtari i njohur serb paraqet edhe formulën e tij për rrugëdalje nga kjo situatë: "Në kohën kur kam qenë ministër i Jashtëm kam propozuar formulën: një Serbi me dy sisteme, si Kina dhe Tajvani. Shumica shqiptare duhet të ketë mundësinë e qeverisjes me Kosovën, pavarësisht prej Beogradit, por me kusht që të respektojë të drejtat e serbëve dhe vlerat e tyre fetare e kulturore. Kjo është refuzuar, ndërsa tani Prishtina dhe Beogradi nuk janë askund."

Ndërsa në pyetjen nëse Beogradi duhet t'i japë fund bllokimit të Kosovës, ish-ministri i Jashtëm serb përgjigjet me disa pyetje: Çfarë është sot patriotizmi nacional serb? Injorimi apo respektimi i realitetit? A duhet të jetë katastrofa e Kosovës bazë për një katastrofë për mbarë Serbinë? Apo duhet ndërtuar një Serbi moderne evropiane, e cila nën ombrellën e Bashkimin Evropian, do të kthehet në Kosovë? Këtu mendoj jo në kthimin me dhunë e polici, por me kulturë, demokraci, tregti, investime dhe pajtim mes popujve. Unë jam për këtë rrugë, përfundon Drashkoviq.

Autor: Die Presse/Bahri Cani
Redaktor: Pandeli Pani

  • Data 21.07.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/OQhl
  • Data 21.07.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/OQhl