1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Gjykata Kushtetuese turke diskuton mbi ndalimin e partisë në pushtet AKP - BE është kundër këtij procesi

Kriza politike që po zgjat prej disa javësh në Turqi ka arritur në një pikë kulmore. Dje gjykata kushtetuese turke pranoi kërkesën për hapjen e një procedure për ndalimin e partisë në pushtet AKP

default

Zevendëkryetari i Gjykatës Kushtetuese të Turqisë, Osman Paksut, pas vendimit për shqyrtimin e ndalimit të partisë AKP

Tensioni ishte i madh pasi megjithëse parashikimet flisnin ndryshe askush nuk donte të besonte se Abdurraman Jalçinkaja do të kishte sukses në kërkesën e tij. Prokurori i Përgjithshëm turk kishte paraqitur pranë gjykatës kushtetuese një kërkesë për ndalimin e partisë konservatore islamike në pushtet, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim, shkurt AKP. Për Jalçinkajan ajo është "qendra e aktiviteteve kundër shtetit laik". Në të njëjtën kohë me kërkesën për ndalimin e AKP-së prokurori i përgjithshëm kërkoi dhe hapjen e një procesi i cili duhet t'u ndalojë në të ardhmen presidentit turk Abdullah Gyl dhe politikanëve të tjerë të kësaj partie aktivitetin politik. Kërkesa e Jalçinkajas u pranua nga Gjykata Kushtetuese. Zëdhënësi i saj u shpreh shkurt dhe qartë:


"Prokuroria e Gjykatës së Apelit ka paraqitur në gjykatën tonë aktpadinë. Kjo aktpadi është pranuar njëzëri me përjashtim të pjesës që ka të bëjë me Abdullah Gylin. Pjesa që ka të bëjë me Abdullah Gylin megjithë katër vota kundër u pranua me shumicë të qartë."


Procedura e hapur në këtë mënyrë kundër partisë turke në pushtet është pika kulmore e një krize politike që zgjat prej javësh. Protagonistët e saj janë elita e vjetër e kemalistëve që mbrojnë me rreptësi karakterin laik të shtetit dhe simpatizantët e AKP-së me orientim fetar. Tani spekulohet se procedura e hapur në Gjykatën Kushtetuese kundër partisë islamiste të kryeministrit Erdoan është pjesë e një fushate hakmarrëse të kemalistëve për heqjen e ndalimit të shamisë së kokës për studentet në muajin shkurt. Nga qarqet e kryeministrit Erdoan shprehet madje dyshimi se padia e ngritur nga Jalçinkaja është madje një kundërpërgjigje ndaj të ashtuquajturit skandali Ergenekon. Që prej janarit kjo aferë ka parë shpërbërjen e një rrjeti ultranacionalist prej më shumë se 40 personash.


Procedurat gjyqësore për ndalimin e partive nuk janë diçka e re në Turqi. Kështu gjatë viteve të shkuara janë ndaluar në mënyrë të përsëritur formacione politike të liderit islamist Nexhmedin Erbakan dhe prej disa javësh është nën hetim edhe partia kurde opozitare DTP. Por me procedurën kundër AKP-së për herë të parë preket një parti në pushtet.


Në fundjavë Bashkimi Europian u shpreh kundër procedurës në fjalë. Komisari për zgjerimin Oli Ren kërkoi një ndryshim në kushtetutë për të ndaluar procedurën për ndalimin e AKP-së. Ky episod, tha Ren shprehimisht, dëshmon për një gabim në sistemin kushtetues turk i cili duhet eliminuar me një ndryshim të kushtetutës."


Pranimi dje i aktpadisë nuk do të thotë megjithatë se AKP tani do të mbyllet. Erdoan dhe shokët e tij në politikë duhet të formulojnë një përgjigje. Pasi kjo të jetë paraqitur dhe ngritësi i padisë Jalçinkaja të konfrontohet me të, mund të merret vendimi. Deri atëherë, kështu spekulohet, mund të kalojë rreth një gjysmë viti në Turqinë e përçarë thellë.

  • Data 01.04.2008
  • Autor Ulrich Pick
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/DYTJ
  • Data 01.04.2008
  • Autor Ulrich Pick
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/DYTJ