1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Gjykata Kushtetuese pranon kërkesën e PDK-së lidhur me zgjedhjen e kryetarit të kuvendit

Gjykata Kushtetuese: Pranohet kërkesa e paraqitur më 18 korrik 2014 nga Xhavit Haliti dhe 29 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Seanca konstituuese e 17 korrikut e parealizuar.

Kosovo, Parlamentsgebäude in Prishtina

Një ditë pas seancës dëgjimore në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, ku PDK dhe blloku i partive në koalicion LDK, AAK dhe Nisma, paraqitën argumentet dhe kundër-argumentet e tyre mbi zgjedhjen e kryetarit të kuvendit, gjyqtarët e kushtetueses u konsultuan mbi çështjen duke publikuar në faqen e saj zyrtare se pranohet kërkesa e paraqitur më 18 korrik 2014 nga Xhavit Haliti dhe 29 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Gjithashtu në faqen e saj zyrtare njoftohet, se me shumicë votash konstatohet, që mbledhja dhe procedura e ndjekur pas pezullimit të seancës konstituuese më 17 korrik 2014, nga kryesuesja, për shkak të mungesës së kuorumit përbën shkelje të nenit 67 (2) lidhur me nenin 64 (1) të Kushtetutës në kreun e III të rregullores së punës që zbaton këto nene. Si rrjedhojë Kushtetuesja nuk e konsideron të realizuar plotësisht dhe nuk e njeh seancën dhe zgjedhjen e kryetarit të kuvendit. Teksti i plotë i aktgjykimit do t'u dorëzohet palëve dhe do të botohet në faqen onlinen dhe në gazetën zyrtare të Gjykatës Kushtetuese në kohën e duhur.

Seanca dëgjimore u thirr të enjten (21.08) pasi PDK-ja zgjedhjen e Isa Mustafës kryetar të parlamentit më 17 qershor në seancën konstituuse e konsideron antikushtetuese. Pasi rasti i zgjedhjes së kryetarit të kuvendit u adresua për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, kjo e fundit e pezulloi postin e kryetarit të kuvendit deri në një vendim përfundimtar.

Në prezantimin e argumenteve të PDK-së gjatë seancës dëgjimore, deputeti e kësaj partie Arsim Bajrami, tha se me zgjedhjen e Isa Mustafës në postin e kryetarit të Kuvendit në seancën konstituuese, nuk janë respektuar procedurat kushtetuese dhe në këtë linjë ai kërkoi që Gjykata ta shpallë si antikushtetues vendimin e zgjedhjes se kryetarit të kuvendit të Kosovës. "Ne kërkojmë që Gjykata Kushtetuese ta shpallë jo kushtetues vendimin për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, si për sa i përket procedurave të ndjekura ashtu edhe për nga përmbajtja, për faktin se ky vendim është nxjerrë në bazë të interpetimit të gabuar kushtetues për grupin më të madh parlamentar. Kërkesa jonë e dytë është që Gjykata Kushtetuese të konstatojë që grupi më i madh parlamentar në mbledhjen konstituuse është ai i PDK-së me 37 deputetë", kërkoi deputeti Arsim Bajrami.

Ndërkohë, përfaqësuesja e bllokut nga koalicioni LDK, AAK dhe Nisma, Vjosa Osmani, tha se zgjedhja e Isa Mustafës kryetar kuvendit ishte në përputhje me kushtetutën dhe ai duhet të njihet nga Gjykata Kushtetuese. "Kërkojmë nga kjo Gjykatë e nderuar që kërkesa e deputetëve të PDK-së është e papranueshme, sepse nuk është në përputhje me kushtetutën dhe e dyta, si alternativë dhe vetëm e vetëm nëse kjo Gjykatë vendos ta shpallë kërkesën të papranueshme, atëherë kërkojmë nga Gjykata të vendos që zgjedhja e kryetarit të kuvendit ishte në përputhje me kushtetutën", tha Vjosa Osmani.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme që u mbajtën më 8 qershor, PDK, e udhëhequr nga kryeministri Hashim Thaçi, doli partia e parë. Katër partitë tjera që e pasuan atë, LDK-ja, Lëvizja Vetëvendosja, AAK-ja dhe Nisma, arritën një marrëveshje bashkëpunimi, në të cilën pika e parë ishte që asnjëra prej tyre të mos hyjë në koalicion me PDK. Ky bllok po vazhdon t'i përmbahet qëndrimit të vet duke shprehur bindjen se do ta formojnë qeverinë e re të Kosovës me kryeministër Ramush Haradinajn.