1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Gjykata Kushtetuese në Kosovë i hap rrugë themelimit të Gjykatës Speciale për krime lufte

Ideja për themelimin e Gjykatës Speciale doli pas rezolutës në Këshillin e Evropës, që kërkonte hetime mbi supozimet e senatorit zviceran, Dick Marty, për trafikim të organe të serbëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë.

Në Kosovë Gjykata Kushtetuese i hapi rrugë themelimit të Gjykatës Speciale për krime lufte. Ndryshimet kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte nuk janë në kundërshtim me kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Kryetari i kuvendit të Kosovës në fillim të muajit mars kishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese propozimet për amendamentet kushtetuese, që mundësojnë themelimin e Gjykatës Speciale, e cila do të trajtojë dyshimet për përfshirje të ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime lufte.

Në arsyetimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës thuhet se “kjo Gjykatë, në mbështetje të nenit 113.9 dhe të nenit 144.3 të Kushtetutës së Kosovës në mbështetje të nenit 20 të Ligjit dhe në mbështetje të rregullit 56 (1) të Rregullores së punës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, në seancën e mbajtur më 14 prill 2015, njëzëri vendos që të deklarojë të pranueshme kërkesën e kryetarit të Kuvendit, të dorëzuar më 9 mars 2015, me Amandamentin nr. 24 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Më tej thuhet se "Gjykata Kushtetuese konfirmon, që Amandamenti nr. 24 nuk pakëson të drejtat dhe liritë e njeriut, të përcaktuara në Kapitullin II të Kushtetutës, si dhe në Kapitullin III të Kushtetutës dhe me shkronjën e me frymën e saj, siç është përcaktuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës, andaj fton që t'ua kumtojë këtë aktgjykim palëve dhe ta publikojë atë në Gazetën Zyrtare".

Ky konfirmim nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, se themelimi i Gjykatës Speciale për krime lufte nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, tash i hap rrugë parlamentit të Kosovës, që të nisë amandamentimin e Kushtetutës dhe disa ligjeve, që të mund të themelohet Gjykata Speciale.

Senatori zviceran Dick Marty

Senatori zviceran Dick Marty

Ideja për themelimin e Gjykatës Speciale doli pas një rezolute në Këshillin e Evropës, që kërkonte hetime mbi supozimet e senatorit zviceran Dick Marty, i cili pretendonte se pjesëtarë të UCK-së kanë kryer krime lufte dhe kanë trafikuar organe të serbëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë. Një prokuror amerikan, Clint Williamson, tashmë ka kryer një hetim të gjerë rreth këtyre pretendimeve. Kjo gjykatë do të merret me të paktën 10 raste të dyshuara për krime lufte.

Gjykata Speciale për Kosovën në përbërjen e saj do të ketë vetëm prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë, të cilët rastet e dyshuara si krime lufte pritet t'i gjykojnë jashtë Kosovës. Gjykata pritet të vendoset në Holandë, ndonëse ende nuk ka një marrëveshje për këtë çështje.

Vitin e kaluar Kuvendi i Kosovës me një vendim ishte pajtuar për themelimin e Gjykatës Speciale. Ndërsa këtë vit, gjatë debateve në parlament, partitë opozitare nga ana e tyre themelimin e kësaj gjykate po e cilësojnë si një nga të këqijat, që po i bëhen Kosovës. Ato thonë se kjo gjykatë cenon sistemin e drejtësisë në Kosovë. Ndërsa partitë në pushtet themelimin e Gjykatës Speciale e arsyetojnë me kërkesat dhe trysnitë në rritje nga faktori ndërkombëtar, duke theksuar se kjo gjykatë nuk është kundër UCK-së, por do të gjykojë individë të dyshuar, se mund të kenë kryer krime.

Dy të tretat e parlamentit duhet të votojnë për themelimin e Gjykatës Speciale

Dy të tretat e parlamentit duhet të votojnë për themelimin e Gjykatës Speciale

Që të votohet në Kuvendin e Kosovës themelimi i Gjykatës Speciale, nevojiten dy të tretat, 80 vota nga 120 deputetët, sa i ka Parlamenti i Kosovës. Në këtë kuadër nevojiten edhe dy të tretat e votave të deputetëve të pakicave.

Përfaqësues të institucioneve qendrore të Kosovës, por edhe prania ndërkombëtare, thonë se në rast të dështimit të Kosovës për të përmbushur këtë detyrim, kjo çështje do të kalonte në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e cila mund të marrë vendim për themelimin e kësaj Gjykate, pa e pyetur fare Kosovën.