1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Gjykata Kushtetuese në Ankara para një dileme

Prokuroria e Përgjithshme e Turqisë ka kërkuar ndalimin e aktivitetit politik të kryeministrit turk Rexhep Taip Erdogan dhe presidentit Abdullah Gyl.

default

Protesta kundër ndalimit të AKP-së në Stamboll

Historia e Republikës së Turqisë është e mbushur me ndalime partish. Që kur hyri në fuqi kushtetuta e vitit 1982, e cila u përpilua nga ushtria, mund të thuhet se në Ankara ka një varrezë të madhe me parti të ndaluara. Shumica e tyre kanë qenë prokurde ose fetare, por falë demokracisë ato kanë dalë sërish në skenë: Me programe të njëjta, qëllime të njëjta, kanë ndryshuar vetëm emrat. Mentori politik i partisë qeverisëse të turke, AKP-së, Necmettin Erbakan (Nexhmetin Erbakan), ka humbur kështu katër parti, derisa në vitin 1997, u desh një ndërhyrje postmoderne e ushtrisë turke për ta rrëzuar nga posti i presidentit.
Por pasardhësit e tij më të rinj, si Erdogani, presidenti Gül (Gyl) dhe shumë të tjerë arritën sërish ta marrin në dorë pushtetin. Kurdët, të cilëve jo vetëm që u janë ndaluar shumë parti, por edhe u është vështirësuar edhe hyrja në parlament me barrierën dhjetëpërqindshe përfaqësohen në Kuvendin Kombëtar tani me një grup shumë të fuqishëm parlamentar. Shkak për këtë gjendje është është dështimi i mjerueshëm i partive të qendrës, dhe atyre majtas dhe djathas qendrës, të cilat nuk arritën të krijonin alternativa të dobishme demokratike për të mirën e vendit, por degraduan në luftëra meskine për pushtet. Për rrjedhojë, në zgjedhjet e fundit parlamentare më 22 korrik të vitit të kaluar, AKP-ja arriti të korrte gati gjysmën e votave, duke e ruajtur pushtetin pa asnjë vështirësi.
Gabimi i Erdoganit ishte se ai vazhdoi ta shikonte veten si të pathyeshëm dhe se nuk u kushtoi vëmendjen e duhur pikave të ndjeshme të shoqërisë dhe shtetit. Këtu bën pjesë stili perëndimor dhe modern i jetesës, heqja e ferexheve dhe shamive të kokës nga administrata dhe arsimtaria, mosndërhyrja e sekteve dhe krerëve fetarë në qeverisjen e vendit. Një nga frikat më të mëdha të turqve është shndërrimi i republikës së tyre në një shtet si Irani ose Arabia Saudite, ku si ligj themeltar shërben kurani. Përshtypja se Erdogani dhe shokët e tij po i përdorin liritë demokratike për ta dobësuar ose reduktuar demokracinë, forcohej edhe më shumë sa herë që Erdogani për ndonjë vendim të rëndësishëm ka kërkuar këshillë nga krerët fetarë. Çfarëdo vendimi që të marrë Gjykata Kushtetuese, qoftë pranimi i kërkesës dhe trajtimi i lëndës, qoftë rrefuzimi i kërkesës, të njëmbëdhjetë gjykatësit më të lartë të drejtësisë së shtetit turk gjenden përpara një detyre të pazgjidhshme. Rrefuzimi i ndalimit do t'i jepte aq krahë AKP-së saqë do të ishte vetëm një çështje kohe derisa islamizmi, me mbështetjen ose jo të perëndimit, me tolerimin ose jo të evropianëve do t'i brejë parimet themelore të demokracisë. Kurse ndalimi do të ringjallte tek popullsia turke reflekset e vjetra për të mbajtur anën e partive të reja me qëllimet e njëjta.
  • Data 15.03.2008
  • Autor Baha Güngör
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/DOxD
  • Data 15.03.2008
  • Autor Baha Güngör
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/DOxD