1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

021208 Thailand Verfassungsgericht

Bernd Musch-Borowska2 Dhjetor 2008

Kryeministri tajlandez Somçai Uongsauat pranoi sot të japë dorëheqjen. Ai tha se të gjitha i bën jo për të mirën e vet, por për të mirën e popullit. Ndërkohë janë zhbllokuar disa godina qeveritare, por jo edhe aeroportet

https://p.dw.com/p/G7ag
Kryeministri i Tajlandës Somçai UongsauatFotografi: AP

Gjykata kushtetuese e Tajlandës vendosi për shpërbërjen e partisë qeveritare PPP e cila akuzohet për manipulimin e rezultateve të zgjedhjeve parlamentare para një viti. Kryeministri Somçai Uongsauat (Somchai Uongsawat) duhet të japë dorëheqje, ndërkohë që atij dhe disa udhëheqësve të tjerë të partisë u ndalohet marrja me politikë për pesë vjet me radhë. Mirëpo pritet që tensionet politike të shtohen, sepse simpatizantët e kësaj partie kanë paralajmëruar protesta.

Që para vendimit palët kanë paralajmëruar për mundësinë e përdorimit të dhunës. Në aeroportin Don Muang në Bangkok të martën pati një shpërthim, ku u vra një demonstrues ndërsa 20 u plagosën, njoftojnë mediat e atjeshme.

Një ditë më parë kundërshtarët e Qeverisë vendosën t'i zhbllokojnë godinat qeveritare dhe të koncentrohen tek protestat në aeroporte. Vendimi u shpjegua me shkaqe sigurie, sepse rreth godinave qeveritare ka pasur përleshje të shpeshta dhe dhunë. Në fundjavë atje pati shpërthime, nga të cilat u plagosën 50 vetë.

Thailand Proteste
Protestues në BangkokFotografi: AP

Mirëpo edhe në rradhët e Aleancës popullore për Demokraci, PAD është shtuar gatishmëria për dhunë. Shoqata tajlandeze e gazetarëve është ankuar për shtimin sulmeve ndaj gazetarëve që kanë raportuar për protestat. Televizioni tregoi edhe rrahjen brutale të një njeriu, të cilin e trajtonin si spiun dhe simpatizant të Qeverisë. Gazetat njoftojnë se demonstruesit kanë sulmuar edhe njerëz të rëndomtë, nëpër rrugë dhe tregje.

Në aeroporte janë forcuar barrikadat dhe janë vendosur roje të armatosura. Janë përgatitur edhe armë të ftohta për të cilat një demonstrues thotë se janë të domosdoshme.

"Ata kanë pistoleta dhe bomba, ndërsa ne gjëra plastike dhe asgjë tjetër. Ata të tjerët, pra policët, po hedhin bomba kundër nesh. Me 7 tetor janë vrarë dhe plagosur shumë prej nesh, kur u sulmua godina e Qeverisë."

Organizatat për mbrojtjen e fëmijëve kritikuan okupuesit e aeroporteve, sepse të gjitha sportelet e aeroportit kanë mbetur të mbyllura. Demonstruesit kritikohen për keqpërdorimin e fëmijëve si mburojë, për të evituar ndërhyrjen e policisë.