1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Gjykata Kushtetuese mban seancë dëgjimore - me 21 gusht

Gjykata Kushtetuese e Kosovës pranoi kërkesën e koalicionit paszgjedhor LDK-AAK-Nisma, për seancë dëgjimore. Seanca mbahet para se të vendoset, nëse ishte kushtetuese zgjedhja e Isa Mustafës për kryetar të Parlamentit.

Seanca dëgjimore do të mbahet me 21 gusht. Ndërsa palët do të kenë mundësinë të paraqesin argumentet e tyre me gojë, pasi që argumentet me shkrim janë dorëzuar më parë. Pas mbledhjes argumenteve me shkrim dhe me gojë pritet që Gjykata Kushtetuese e Kosovës nga fundi i muajit gusht të marrë vendimin, nëse zgjedhja e Isa Mustafës për kryetar të Parlamentit ishte konform kushtetutës së Kosovës, apo ka pasur shkelje të aktit më të lartë juridik.

Kërkesa për një seancë të posaçme dëgjimore është paraqitur nga koalicioni paszgjedhor mes Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe koalicionit Nisma. Koalicionit LDK-AAK-Nisma i është njohur kjo e drejtë, që të argumentojnë se si ka ardhur deri tek zgjedhja e Isa Mustafës për kryeparlamentar. Ky koalicion është krijuar pas zgjedhjeve. Ai ka krijuar edhe një grup të përbashkët parlamentar dhe pretendon që atij i takon e drejta të ketë kryetarin e Parlamentit, pasi që e drejta e kandidimit i takon grupit më të madh parlamentar.

Ankesa e PDK

Më parë Partia Demokratike e Kosovës ka paraqitur në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për shqyrtimin e zgjedhjeve së Mustafës në seancën konstitutive për kryetar, pasi që, sipas saj, zgjedhja është në kundërshtim me Rregulloren e Parlamentit dhe me Kushtetutën e vendit. Gazeta Koha Ditore njofton se palët do të kenë mundësi për një "prezantim të shkurtër gojor të argumenteve".

Dy blloqet politike, LDK me aleatë në njërën dhe koalicioni LDK-AAK-Nisma në anën tjetër, pohojnë se zgjedhja e Mustafës ishte në kundërshim, respektivisht në harmoni, me dokumentet më të rëndësishme juridike në vend. Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar zgjedhjen e Mustafës në postin e kryetarit të Parlamentit, deri në marrjen e vendimit përfundimtar. Afati i fundit ligjor, për marrjen e vendimit është pas mesit të shtatorit. Por pritet që vendimi të merret më parë.

Influenca e vendimit

Më parë Gjykata Kushtetuese ka vendosur edhe lidhur me kërkesën për nominimin e kandidatit për krijimin e koalicionit të ri qeverisës. Sipas vendimit në raundin e parë të drejtën e nominimit e ka subjekti politik, i cili ka fituar më së shumti vota në zgjedhje. Ndërsa në raundin e dytë, në rast se mandatari i parë nuk arrinë të sigurojë shumicën e duhur në Parlament, Presidentja duhet të vendosë se kujt do t'ia jap besimin për krijimin e koalicionit qeveritar. Analistët në Prishtinë mendojnë se vendimi i Gjykatës Kushetuese për zgjedhjen e kryetarit të Parlamentit mund të influencojë edhe në zgjedhjen e kryeministrit.