1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Gjurmuesit e tatimeve mbledhin 4 miliardë euro të padeklaruara

Më shumë se 40.000 procese penale u hapën në vitin 2010 dhe 2011 kundër evazuesve fiskalë. Kontrollet më të rrepta janë rentabël për shtetin.

Gjurmuesit e evazuesve fiskalë në landet gjermane, dy vitet e fundit i kanë siguruar zyrës së fiskut gati katër miliardë euro. Sipas raportit të fundit mujor të Ministrisë federale të Financave, këto të ardhura nga tatimet shënuan 2,2 miliardë euro në 2011 dhe 1,7 miliardë euro në 2010.

Numri i çështjeve të përfunduara ishte 35.592 në 2011 dhe 34.186 në 2010. Këtu nuk përfshihen të ardhurat fiskale shtesë pas vetëdenoncimeve të mashtruesve fiskalë.

Kontrollet e kryera nga gjurmuesit e evazuesve fiskalë në vitin 2010 çuan në hapjen e 25.437 procedurave penale, dhe në 16.119 procedurave në vitin 2011. Volumi i gjobave monetare në vitin 2011 u rrit në krahasim me 2010 nga 1, 7 milionë në 11,3 milionë euro.

Mashtrime të shpeshta me TVSH-në

Një pjesë të madhe të të ardhurave fiskale shtesë e përbënin zbulimet e mashtrimeve me taksën mbi vlerën e shtuar (TVSH). Pjesa e tyre në tërësinë e të ardhurave fiskale është rritur vazhdimisht vitet e kaluara, për të arritur në 44,2% në vitin 2011. Një model i shpeshtë mashtrimi është sipas ministrisë i ashtuquajturi "karusel me TVSH-në". Në këtë model të paktën tre sipërmarrje lidhin marrëveshje të rreme dhe kërkojnë nga zyra e fiskut rimbursimin e TVSH-së gjoja të parapaguar.

Puna e gjurmuesve të evazuesve fiskale është vendosur më fort në qendër të diskutimit publik për shkak të blerjes së CD-ve me të dhëna për evazuesit. Landi Renani Veriore - Vestfali, që ka blerë tashmë disa herë CD me të dhëna bankare të klientëve gjermanë në bankat zviceriane, e konsideron këtë metodë një mjet efikas në luftën kundër kriminalitetit fiskal. Qeveria gjermane nga ana e saj i refuzon bizneset me vjedhësit e të dhënave dhe kërkon ratifikimin e një marrëveshje fiskale me Zvicrën.